Thursday, February 11, 2010

Disa te verteta mbi konvertimin dhe regjistrimin e popullsise

Paragrafi i fundit i ketij shkrimi, rezikon te jete nje e vertete e hidhur per minoritetin. Me sa duket, cdo gje eshte organizuar ne menyre te tille, qe regjistrimi te jete nje farse e vertete dhe numrat perfundimtare, te jene ne favor te ketyre "patrioteve" qe lehin si te llahtarisur neper televizione e gazeta.
Une kam mare pjese ne regjistrimin e popullsise qe eshte bere ne Itali ne vitin 2000-2001. Nuk vinte anketuesi ne shtepi, po komuna linte modularet e regjistrimit ne çdo familje, per sa veta pebehej nukli familjar. Gjithsekush nga familjaret i mbushte me qetesi dhe kishte dy muaj kohe per ti dorezuar ne zyren e lagjes. Pra u lihej kohe qytetareve te interesuar te mbushnin formularin edhe nese per momentin nuk ndodheshin prane familjes. Ndersa kjo menyre qe pretendon te prerdore z.Pollo, eshte si te lozesh me syllambylla.. qe une te vije ti bije deres tende pasi te kam ruajtur qe nuk je ne shtepi. Omonia duhet te luaje rol shume deciziv ne kete iniziative dhe jo te jete thjesht nje spektatore pasive e farses qe me sa duket po organizohet.

Kohet e fundit po terheq vemendjen debati mbi regjistrimin e popullates edhe mbi baza etnike e fetare. Jane hedhur ne tregun mediatik mjaft ide e opinione, qe e kundershtojne, por ka pasur edhe zera qe gjithe kete situate e shohin sa absurde aq edhe fyese per vete inteligjencen tone si qytetare te ketij vendi. Gjithsesi do mundohem ta trajtoj fenomenin nga nje tjeter kendveshtrim, nisur nga biseda me nje mik. Fillimisht duket paradoksale, sic tha edhe Lubonja ne shkrimin e tij para ca ditesh, qe e tere kjo kundershti, vjen me se shumti nga njerez te rreshtuar majtas, qofte politikane, intelektuale apo njerez te medias, kur presupozohet qe ata perbejne pjesen progresive e liberale perballe qeverise se djathte, e cila ka ndermarre iniciativen mbi regjistrimin. Por le t'ia leme studiuesve kete cudi sociale e identitare te nje pjese te elites se vendit. Personalisht nuk e shoh si fundin e botes nese behet ose jo ky regjistrim, ajo c'ka dua te them edhe si qytetar i ketij vendi, ka te beje me "lavazhin" e trurit qe po kryhet me argumenta patriotike e qe per fat te keq te kujtojne kohe te shkuara. E gjitha kjo eshte e qarte, ka te beje me pakicen greke dhe friken se shume shqiptare ne Greqi, duke u konvertuar ne ortodokse e duke nderruar emrat, mund te vetedeklarohen greke, e keshtu na shtojne numrin e kesaj pakice. Kjo ide qesharake edhe mund te qendroje teorikisht, por praktikisht eshte nje perralle e madhe, sic me tha nje miku im qe ndjehej tejet i fyer nga kjo situate. Eshte thjesht ceshtje perceptimi, sepse nese themi qe ne Evrope, imazhi i emigranteve shqiptare perfaqesohet nga kriminelet apo prostitutat, kjo gje besoj nuk pranohet dhe te gjithe biem dakord se eshte nje perceptim i gabuar. Natyrisht jo se nuk ka edhe kriminele e prostituta, por e njejta gje mund te thuhet per konvertimin, sidomos ne Greqi, ku sipas "patrioteve" dhe klisheve, tashme te sterdegjuara, emigrantet jane te detyruar te nderrojne emrin e kombesine. Madje thuhet se jane rreth 140.000 apo me shume qe jane bere homogjene ose kane aplikuar per t'u bere te tille, duke nenkuptuar se kjo shifer perbehet ne shumice nga shqiptare etnike. Mirepo miku im me befasoi me interpretimin qe i beri kesaj situate.

Pakica greke, sipas regjistrimit zyrtar te vitit '89 eshte rreth 60.000 vete, por perfaqesues te pakices e mohojne kete duke pretenduar dyfishin, ne mos me shume. Per te qene luajal, miku im midis 120.000 e 60.000 zgjodhi nje shifer rreth 80.000 vete. Nese ketu shtojme martesat e perziera mes shqiptareve e grekeve, para e pas viteve '90 (dihet sa ndikon ky faktor ne marrjen e kartave te homogjenit), mund te themi se minimumi i numrit qe i shtohet shifres sone eshte 10.000 vete, duke llogaritur edhe femijet e kesaj martese te perzier. Ketu hyn ne loje edhe komuniteti i vllehve shqiptare qe ndahet ne dy kampe, arumunet dhe vllahohelenet, e qe per fat te keq nuk merren ne konsiderate fare, ne akuzat e "patrioteve". Numri i vllehve per disa shkon nga 100.000 deri ne 150.000 por ne vazhdim te luajalitetit le te themi se jane rreth 80.000 vete. Nese e ndajme ne mes kete shifer midis dy rrymave, atehere kemi 40.000 vllahohelene. Ata qe kane njohuri mbi Greqine e dine shume mire fuqine e ndikimin qe kane ne qarqet zyrtare greke vllehet, ashtu sic dihet shume mire se vllehet shqiptare kane qene nga te paret qe kane marre kartat e homogjenit, fale kesaj mbeshtetjeje. Nuk po llogarisim fare romet apo egjiptianet qe mund te kene marre karta, fale lidhjeve te komunitetit ketu me ata te Greqise. Kesaj shifre tani i shtojme pjesen shqiptare te konvertimit apo mashtrimit. Kur themi konvertim, pra nderrim emri e pagezim ne baze edhe te dokumenteve te falsifikuara ose jo, kemi parasysh ata hallexhinj qe permenden shpesh nga media jone, por kur themi mashtrim kuptojme gjithe ata qe thjesht duan te perfitojne e qe s'kane asnje parim. Le te themi me shume dyshim se kjo shifer eshte rreth 10.000 vete, e shumes ne total qe del 140.000 i shtojme edhe 10.000 vete minimumi, bazuar ne rritjen natyrale te kesaj popullsie per 20 vjet (1990-2010), pra ne fund hesapi del 150.000 vete me karta homogjeni..! Sigurisht, nuk besohet se gjithe pakica greke apo vllehe ka marre karta, sepse njohim mjaft te tille, keshtu heqim nja 10.000 vete nga totali dhe na ngelen 140.000 homogjene, aq sa thote akuza e "patrioteve", por dallimi esencial eshte se prape shumica e kesaj shifre nuk eshte e etnise shqiptare.

Tani le te shqyrtojme shifren e 10.000 vetave te etnise shqiptare e me gjere ne parim (me karta homogjeni ose jo), te cilet jane te "detyruar" te nderrojne emrin apo te pagezohen sepse ndryshe nuk gjejne pune..! Kjo perralle qe ka marre permasat e mitit ka dy ane te medaljes, qe ne fund te fundit tregon pjesen ballkanase te te dy paleve. Pala greke e ushqeu kete mit me optiken e saj te solidaritetit kombetar, duke dhene idene tek emigrantet se jane me shume te mirepritur ata te kombesise greke, te cilet natyrshem jane edhe ortodokse e qe ne nje fare menyre perfaqesonin idene romantike te grekeve matane kufirit te ndare nga atdheu. Duket se gjetja e nje pune ishte me e lehte per ta, madje edhe nese nuk flisje nje greqishte te paster, gje qe ishte e justifikueshme ne kushtet e regjimit komunist. Po te kemi ne konsiderate edhe efektin e shkaktuar ne publik nga aktet e shemtuara te disa emigranteve, te fryra edhe nga media greke ne fillimet e emigrimit, kuptohen akoma me qarte arsyet pse nje pjese e shqiptareve tentuan te konvertohen pavaresisht nese kjo gje dukej parimisht e gabuar, por ketu s'duhet te ngaterrojme ata qe realisht parapelqyen te nderrojne emrin, bazuar edhe ne origjinen apo kulturen kristiane te familjes ose te bindjeve vetjake. Akuzuesit e tezes se detyrimit grek, nuk jane ne gjendje te sjellin asnje rast te vetem qe kjo gje te kete ndodhur dhunshem, nuk kemi asnje rast te vetem te denoncuar ne media, ku nje individ te deklaroje se greket e detyruan te nderronte emrin, se i zoti i shtepise apo pronari, detyroi dike te nderroje emrin. Nese mikpritesit e atjeshem kane shprehur deshiren per t'i pagezuar, akt te cilin ata e quajne nje lloj detyre shpirterore, ky nuk eshte detyrim. Jane te shumta rastet, kur ky akt fetar eshte pare thjesht per nevoja perfitimi, madje ka pasur raste kur jane pagezuar nga dy apo tre here per te perfituar sa me shume. Pra ajo pjesa ballkanike qe folem me lart, pjesa tjeter e medaljes, ndikoi jo pak ne kete konvertim. Emigrantet bene lojen qe gjeten mes grekeve dhe perfituan edhe vete. Ne Greqi ndodhen edhe shume egjiptiane, irakiene, afganas, pakistaneze, palestineze etj, por nuk behet fjale qe ata te nderrojne fene apo emrin, e kjo shpjegohet shume thjesht. Ata nuk e njohin ndjeshmerine historike te pales greke ndaj minorances se saj qe eshte ne Shqiperi e as mund te vertetojne se jetojne prane tyre per t'u hequr si vorioepirote, por kjo s'do te thote se nuk jane te respektuar me emrat qe kane (Hasan, Muhamet, Tarek, etj) e as nuk kane ngelur pa pune. Nderkohe te gjithe i njohim rastet kur shqiptaret e Shqiperise beheshin kosovare ne Angli gjate luftes, thjesht per te perfituar nga statusi i azilantit politik. Natyrisht ka pasur hallexhinj, por ka pasur edhe mashtrues. Sa njerez njohim rreth nesh ne Tirane e gjetke, qe jane konvertuar ne fe apo sekte te tjera, ortodokse, protestante, ungjillore, katolike apo bahai, e kjo gje ketu gati quhet "trendy", por nese ndodh ne Greqi quhet denatyrim i kombit. Ne nje emision televiziv (Top show), gjate nje bisede mbi regjistrimin, dikush tha se ne Itali shqiptaret jane komuniteti me i madh mes te huajve qe po konvertohet ne katolike e askush nuk u skandalizua nga kjo deklarate, ne te kundert ne po ate emision nje zyrtar i komunitetit mysliman ngriti zerin fort, pse i afermi i tij ne Greqi kishte nderruar emrin!? Ne Amerike, nje Xhemal ndjehet me mire nese e therresin Xhimi, apo nje Petro nese i thone Piter etj. etj., e kjo gje duket normale, mirepo shkakton aq turbullira kur Kasemi behet Kristo ne Greqi. C'mund te thuash kur nje i ri, perfaqesues i nje partie te vogel te majte, tha ne nje emision fare i qete se, "..kur kthehen emigrantet per pushime thone, erdhen Jorgot!...", duke harruar se mes nesh, ka po aq Jorgo e Vasil shqiptare dinjitoze. Nuk po i hyjme nje debati tjeter qe ka te beje me gramatiken e emrave, sepse padija ketu ben te degjosh cudira si fjala vjen, Pirro Dhima ndryshoi emrin ngaqe ka nje s ne fund, pra Pirros!? Nga ky kendveshtrim pakica greke do te quhej e gjitha e asimiluar, sepse emrat e tyre ne Shqiperi s'kane S ne fund!

Nuk dija c'te thosha para arsyetimit te mikut tim nervoz. Por befasia nuk kishte mbaruar. Mendimi i tij ishte se ndoshta nga ky regjistrim, me shume do te demtohet pakica greke, sepse dihet qe shume nga ky komunitet ka emigruar, e nese kemi parasysh logjiken e regjistrimit qe parashtroi z. Pollo gjate nje emisioni televiziv ne tv "Alsat" se, "Do te regjistrohen vetem ata qe per momentin do te jene ne Shqiperi, atehere behet e qarte se zerat kundershtare te kesaj nisme qeveritare, do te ishte mire t'i kerkonin ndjese publike kesaj qeverie, e ta falenderonin qe po zvogelon numrin e grekeve ne vend! Fundja ky eshte thelbi i qellimit patriotik qe ata mbrojne. Sigurisht ka vend per saktesime ne kete ligj, sic ka nevoje edhe per nje debat me shume teknik e mirekuptues, se sa nacionalist apo akoma me keq nacionalkomunist. Keshtu u ndame me mikun tim, duke shpresuar e uruar te dy, per me shume dashuri e mirekuptim, sido qe te shkoje puna me regjistrimin.




Nga Stefan Taci(Gazeta Koha Jone)

No comments: