Problemet me pronat, tri iniciativat që duhet të ndërmarrë shteti
Në radhët e pushtetarëve të sotëm dhe të djeshëm ka "kampionë" të tillë që kanë marrë pronat e gjyshërve, stërgjyshërve e katragjyshërve duke "vërtetuar" trungun e tyre edhe deri si pasardhës të Ali Pashë Tepelenës. Ndërsa pronarëve të vërtetë shteti iu ka "ofruar" sot mundësinë t'i blejnë tokat e tyre nga "zotëruesit" e rinj!
Ligji 7501 në themel të tij e deri në palcë është një ligj komunist që konsideron çdo gjë të shtetëzuar si pronë të shtetit me të cilën pushteti mund të bëjë ç'të dojë siç ka bërë dhe po bën faktikisht.
Sigurisht, mënyrë më të mirë për të vjedhur për qeveritarët duke ndërtuar vila e lokale në tokat e të tjerëve nuk mund të kishte. Kjo ishte në thelb interesi i pushtetit me programin "social" të tij.
INTERVISTA Armand Vinçani, Senior Financial Analyst/ Projects Coordinator në Neë York University (SHBA) analizon gjendjen aktuale të pronësisë në Shqipëri, katrahurën që ka shkaktuar zbatimi i ligjit 7501, implikimi i mafies në pushtet me pronat e pronarëve të ligjshëm dhe rrugët që duhet të ndiqen, sipas shembujve botërorë, që toka të kthehet te i zoti dhe pronat të jenë burim i fuqishëm për zhvillimin e vendit
"procesi i njohjes së pronave deri më sot është shoqëruar nga vjedhjet, mashtrimet dhe korrupsioni i jashtëzakonshëm pa përmendur më tej pasojat e njohura të ligjit famëkeq 7501 ligj të cilin propaganda e qeverisë së PD-së është munduar ta mbrojë me çdo mjet duke pretenduar se ai është në përputhje me interesat e shumicës së popullsisë.
Ky pretendim është sa absurd aq edhe problematik duke rritur konfliktet midis individëve, individëve dhe shtetit si dhe antagonizmin midis gjendjes aktuale dhe aspirimit për t'ju bashkuar Komunitetit Europian që operon mbi baza të tjera ligjore dhe e konsideron pronësinë kategori absolute të së drejtës".
Armand Vinçani, Senior Financial Analyst/ Projects Coordinator në Universitetin e Neë York në SHBA, analizon në një intervistë për gazetën "Shekulli" gjendjen e mjerueshme të pronësisë në Shqipëri, problemet që ka sjellë ajo për të sotmen, por që do të ndikojë edhe në të ardhmen e vendit që aspiron të bëhet anëtar i BE-së.
Z.Vinçani do të donim të kishim mendimin tuaj lidhur me çështjen e pronave që shpesh ka ngjallur debate të nxehta në dy kampet kryesore të politikës shqiptare. A mendoni se ligjet dhe aktet n/ligjore të nxjerra në këto 20 vjet krijojnë kushtet e përshtatshme për zgjidhjen e këtij problemi kaq të mprehtë?
Në çështjen e pronave ajo e tokave ka përbërë dhe vazhdon të përbëjë nyjen e këtij problemi që për shkak të politikave të papërgjegjshme e shpesh në unison me interesat personale të qeveritarëve në pushtet në këto vite të post-diktaturës ka arritur në atë pikë sa edhe më optimistët në fillimet e viteve 90-të i ka kthyer në pesimistë të tillë që e konsiderojnë tashmë këtë problem të pazgjidhshëm.
Nëse i referohemi periudhës që fillon me triumfin e komunizmit në Shqipëri e deri më sot nuk është e vështirë të dallosh se vendi yne i është nënshtruar tre reformave në lidhje me tokat.
Dy prej tyre u ideuan e zbatuan nga Enver Hoxha. Në vitin 1946 tokat e pronarëve të mëdhenj dhe ato të fermave të mëdha u shpronësuan dhe iu dhanë fshatarëve të vegjël; në vitin 1950 toka u riorganizua duke krijuar të ashtuquajturat "kolkoze" shqiptare. Reforma e tretë daton pas vitit 1991 dhe u projektua nga Ramiz Alia e zbatua nga Sali Berisha qeveria e se cilit e rishpërndau atë përsëri midis privatëve të vegjël.
Reforma e fundit ka qenë një ripërsëritje e reformës së tokës së vitit 1946 dhe toka e punueshme e ish-kooperativave dhe fermave shtetërore u shpërnda pa përfillur të drejtat e pronarëve të periudhës para-komuniste. Krejtësisht ndryshe nga vendet e tjera në tranzicion në Europën Qendrore dhe Lindore, vendi ynë adoptoi një reformë të rishpërndarjes së tokes dhe nuk e ktheu atë tek pronarët e vërtetë.
Në të gjithë legjislacionin e hartuar në këto 20 vjet të post-diktaturës është krejt e dukshme sjellja e shtetit si pronar mbi të drejtat e pronarëve të vërtetë dhe qëllimi i vetëm ka qenë krijimi i terrenit të përshtatshëm për të krijuar kapitalistët e rinj jo mbi bazën e punës dhe oportuniteteve që krijon sistemi por mbi bazën e pervetësimit të mundit dhe djersës të të tjerëve duke e degjeneruar këtë çështje kaq të rëndësishme në korrupsion dhe plaçkitje.
Lidhur me debatet në kampet politike, që iu përmendët në pyetjen tuaj, do të thosha se kurrë nuk ka patur të tilla që vërtet të synonin zgjidhjen e këtij problemi kyç për një vend që synon të ndërtojë një shoqëri kapitaliste. PS-ja ka qenë krejtësisht e tërhequr dhe pa asnje vizion në këtë drejtim duke i mëshuar herë pas here çështjeve sociale dhe kjo më shumë për qëllime elektorale.
PD-ja manifestoi një qëndrim shkuar të majtës dhe e gjithë katrahura e sotme i dedikohet asaj dhe drejtuesit të përjetshëm. Prandaj në programet e të dy partive kryesore nuk ka patur kurrë një qëndrim koheziv dhe në përputhje me Kushtetutën e shumë konventa ndërkombëtare duke filluar me atë të të "Drejtave dhe Lirive Universale të Njeriut".
Politikanë të të dy krahëve në këto vite, pa u shqetësuar aspak për shkeljen e tyre, kanë "dhuruar" zonat turistike e bregdetare, majtas e djathtas, në varësi të qindra fije lidhjesh që në mënyrë të padukshme rrethojnë misterin e pronave rreth kupolës së pushtetit.
Në qëndrimet e dy forcave më të mëdha politike është dëshmuar qartë dyzimi i tyre në të vërtetën absolute se kapitalizmi qëndron sot si e vetmja mënyrë racionale për të organizuar një ekonomi moderne. Pavarësisht fjalëve të bukura në thelb ata nuk kanë kuptuar se një komb i përgjegjshëm nuk ka zgjedhje tjetër.
Ku e mbështesni përfundimin se ligji 7501 ishte iniciuesi i katrahurës me pronat?
Nuk ka se si të mendoj ndryshe. Të aspirosh ndërtimin e kapitalizmit me një ligj të hartuar nga Alia e të përforcuar më pas nga Berisha është një nga çuditë që ndodhin jo në 100 vjet si në rastin e pretenduar të përmbytjeve të fundit por në 200 vjet. Ai ligj realisht i tregoi shqiptarëve dhe botës se ne do të eksperimentonim një ekonomi të çuditshme, kapitaliste dhe socialiste në të njëjtën kohë.
Në emër të barazisë sociale shteti mendoi të aplikonte padrejtësinë. Ligji 7501 në themel të tij e deri në palcë është një ligj komunist që konsideron çdo gjë të shtetëzuar si pronë të shtetit me të cilën pushteti mund të bëjë ç'të dojë siç ka bërë dhe po bën faktikisht.Sigurisht, mënyrë më të mirë për të vjedhur për qeveritarët duke ndërtuar vila e lokale në tokat e të tjerëve nuk mund të kishte. Kjo ishte në thelb interesi i pushtetit me programin "social" të tij.
Askush nuk ka dyshimin më të vogël se një shoqëri moderne kapitaliste sot siguron barazinë në oportunitet por jo në shpërndarje. Kjo do të thotë që përpara ligjit jemi të gjithë njëlloj dhe po ashtu përpara mundësive për të prosperuar.
Të gjitha ligjet apo aktet nënligjore të mëvonshme kane qenë thjesht manipulime për të sterilizuar të drejtat e pronësisë. Edhe ndonjë ligj që vërtet synonte të drejtën, siç ishte p.sh. ligji 8053 ku një nen i tij parashikonte kthimin e tokave të ish-fermave shtetërore në zonat turistike tek te zotët u anullua.
Sigurisht këto zona janë më të preferueshmet për klanet e djeshme dhe të sotme. Me fjalë të tjera për sa kohë ligji 7501 do të jetë në fuqi po për aq kohë problemi i pronave nuk do të zgjidhet kurrë.
Dhe për sa kohë Berisha do të jetë në pushtet po për aq kohë premtimi i tij nuk do të bëhet realitet. Por, po për aq kohë Shqipëria nuk do të futet në rrugën e vërtetë të zhvillimit dhe shfrytëzimit të të gjitha potencialeve të mundshme.
A kanë patur vendet e zhvilluara kapitaliste probleme të ngjashme me çështjet e pronësise në historinë e tyre të kaluar? A është e mundur që eksperienca pozitive të hedhin dritë e tregojnë rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve tona?
Vendet e zhvilluara sot kanë kaluar në etapa pak a shumë të ngjashme pavarësisht ndryshimeve në kohë.
Një eksperiencë tejet e ngjashme është ajo e SHBA-së. Kur Amerika u fut në shekullin e 19-të në rrugën e ndërtimit të shoqërisë ajo trashëgoi nga anglezët jo vetëm një ligj kompleks të tokave por edhe një sistem të pafund të ndërthurjes së tyre.
E njëjta parcelë mund t'i takonte dikujt që e pati marrë nga mbretëria por në të njëjtën kohë mund t'i takonte dikujt tjetër që pretendonte se e kishte blerë nga indianët apo dhe një të treti që e kishte pranuar atë në vend të pagës që duhej të merrte nga shteti.
Ndërkohe fluksi i imigranteve filloi të vendoste kufij në tokat që zaptuan, i punuan ato, ndërtuan shtëpi, i transferuan dhe vendosën kreditin shumë kohë më parë se sa shteti t'ju akordonte të drejtat për të ndërmarrë akte të tilla. Ata insistonin që puna e tyre, jo titujt formalë apo vijat arbitrare të kufijve, i dhanë vlerë tokës dhe vendosën kështu pronësinë.
Në themel të arsyetimit të tyre qëndronte mendimi se nëse ata i zunë tokat dhe i përmirësuan ato me shtëpi e ferma tashmë ato ishin të tyret. Por pushtetet lokale dhe federal e kundërshtonin një gjë të tillë dhe shpesh u dërguan trupa për të djegur fermat e shkatërruar ndërtesat.
Kjo e shkuar e tyre është në vija të përgjithshme e tashmja jonë - sigurisht me veçoritë e kohës ku shteti i sotëm shqiptar krijoi të gjitha kushtet për të zënë padrejtësisht tokat e pronarëve, bërë ndërtime dhe tashme i "bekon" ata me urimin për t'i gëzuar ato.
Cinizëm më i madh nuk mund të gjendet në një shtet që realisht veçse shtet nuk është. Duke u kthyer përsëri tek përvoja e mësipërme - gjykatat në mënyrë eksplicite favorizuan vetëm ata që mbanin titujt legalë të pronave.
Ato iu kundërvunë politikanëve që për hir të karierave të tyre mbështesnin të drejtat e atyre që zotëronin pronat ilegalisht. Gradualisht, politikanët amerikanë kuptuan se institucionet legale mund të mbijetojnë vetëm nëse ato iu përgjigjen nevojave sociale. Kjo domosdoshmëri i çoi legjislatorët dhe juristët në krijimin e një sistemi të ri shumë më produktiv dhe dinamik - ekonomia e tregut.
Por si do të mundej në vendin tonë që një sistem legal të aspirojë për legjimitet nëse dëmton interesat e një pjese të popullsisë-shqetësim i vazhdueshëm i së majtës?
Eksperiencat e huaja tregojnë se tre janë iniciativat kryesore që duhet të ndërmarrë shteti:
a)Identifikimi i kontratave të vërteta shoqërore të pronësisë b) Integrimi i tyre në ligj c) Ndërtimi i një strategjie politike të tillë që mundëson reformën.
Sigurisht, këto tre pika e vënë vërtet në provë të vështirë një shtet por kjo është rruga e vetme e zgjidhjes. Nuk është rruga e zgjidhjes kompensimi i ish-pronareve me letrat me (pa)vlerë që do të grumbullohen e që as për qellime higjenike nuk mund të shërbejnë.
Nuk është rruga e zgjidhjes as "zbulimi" i fundit për të nxjerrë në ankand çdo gjë që ka shteti. Kjo strategji kompensimi i shërben vetëm oborrit të pushtetit dhe njerëzve që i vijnë rrotull atij.
A mendoni se moszgjidhja e vërtetë e problemit të pronave dëmton vetëm pronarët e dikurshëm apo ajo frenon dhe zhvillimin në tërësi të vendit?
Nëse do të mendonim se çështja e pronave iu intereson vetëm individëve apo shtresave të caktuara të popullsisë kjo do të ishte një konkluzion fatal që do të vazhdojë t'i kushtojë shtrenjtë zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Fatkeqësisht, ky ka qenë dhe vazhdon të jetë kuptimi i drejtuesve të shtetit shqiptar të cilët duke patur një formim gjysmak dhe këtë të trashëguar nga sistemi i kaluar nuk arrijnë të realizojnë se cili është kyçi që e bën kapitalizmin të suksesshëm.
Nga vetë fjala "kapitalizëm" edhe dikush pa asnjë farë dijeje kupton se në themel të tij qëndron kapitali i cili ekziston sot si në vendet e perëndimit ashtu dhe në ato ish-socialiste.
Por në vendet e zhvilluara triumfi ekonomik bazën e vërtetë e ka në aftësinë për të kuptuar se jo çdo gjë që është reale dhe e përdorshme është në të njëjtën kohë e dukshme dhe e prekshme.
Kjo thënie të krijon në pamje të parë përshtypjen e një aksiome sofizmi por realisht ajo është sprova më e madhe për ne për të kuptuar se ajo çka na mungon është procesi i konvertimit të së padukshmes në të dukshme. Me fjalë të tjera, kjo mungesë na pengon ne për të krijuar kapital shtesë siç ndodh në Perëndim.
Edhe pse të klasifikuar si vend tejet i varfër ne përsëri i kemi asetet e duhura për ta bërë kapitalizmin të suksesshëm. Por resurset tona janë në forma difektoze: shtëpi të ndërtuara si kërpudhat në toka ku të drejtat e pronarëve nuk janë marrë parasysh, apartamente të blera pa hipotekë apo titullin e pronësisë, objekte të ndyshme të ndërtuara anash rrugëve automobilistike dhe në toka të punueshme, biznese të painkorporuara dhe me borxhe të papërcaktuara, edhe ajo pak industri është e vendosur në mënyrë të pastudjuar etj.
Për shkak se të drejtat e shumicës së këtyre zotërimeve nuk janë të dokumentuara ligjërisht ato nuk mund të kthehen lehtësisht në kapital, nuk mund të shkëmbehen jashtë ciklit lokal ku individët njohin e besojnë njëri-tjetrin, nuk mund të përdoren si garanci për hua-marrje dhe nuk mund të përdoren si obligim ndaj një investimi.
Duke mos qenë të përfaqësuar në dokumenta të vërteta pronësie asetet tona nuk mund të mbartin një jetë paralele e të padukshme krahas ekzistencës materiale të tyre.
Por vendet e zhvilluara e gjenerojnë kapitalin pikërisht në sajë të përfaqësimit të pronësisë së tyre. Një gjë e tillë ndodh sepse pronësia formale konsiderohet pjesë dhe parcelë kryesore e të drejtave fondamentale të njerëzimit.
Shumë konventa dhe ligje ndërkombëtare, të injoruara tek ne nga ish-komunistët dje dhe sot në pushtet, insistojnë në pronësinë si baza e përhershme e së drejtës njerëzore. Ndërsa kombet e zhvilluara i dhanë fund zakonit të vjetër të invadimit dhe plaçkitjes së pronave që nga Konventa e Hagës më 1899 tek ne ndodh e kundërta.
Ligji ndërkombetar i trajton të drejtat e pronësisë të individëve më të shenjta se sa edhe të drejtat e sovranitetit të shteteve duke pranuar konceptin që qeveritë mund edhe të humbasin nga pronësitë e tyre por jo individët privatë.
Mund të jepni pak më shumë detaje lidhur me pikëpamjen tuaj që asetet tek ne e kanë të vështirë të gjenerojnë kapital kur dihet domosdoshmëria e këtij të fundit në zhvillimin makro-ekonomik të vendit?
Në vështrim të parë duket e vështirë për të kuptuar rolin e aseteve përfshirë këtu dhe tokën. Kjo sepse mundon kuptimi i vërtetë i pronësisë e cila shpesh mendohet si diçka fizike që mund të karakterizojë materializimin e aseteve.
Në fakt pronësia nuk është cilësi e aseteve por është shprehje legale e një konsensusi ekonomik që arrin shoqëria për to. Eshtë vetëm ligji instrumenti që fikson dhe realizon kapitalin.
Në vendet që e kanë njohur kapitalizmin shumë më herët se sa ne ligji është më pak i interesuar për prezantimin e realitetit fizik të pronës se sa për sigurimin e një proçesi apo rregullave që e lejojnë shoqërinë të sigurojë një vlerë potenciale shtesë nga këto asete.
Ajo çka vendi ynë vuan më shumë sot nuk është përfshirja e të gjitha tokave, ndërtesave dhe aseteve të tjera brenda së njëjtës hartë por është integrimi i një konvente legale e formale brenda ciklit duke lënë jashtë pronën e paligjshme. Nuk ka absolutisht asnjë mundësi tjetër për të konvertuar asetet në një formë të tillë që do ti lejonte ato të futen në tregjet e zgjeruara e të shndërrohen në kapital.
E vetmja mënyrë në një shoqëri kapitaliste është zhvillimi i një ligji modern të pronësisë që do të shkëpuste dhe fiksonte potencialin ekonomik si një vlerë e ndarë nga ajo materiale.
Eshtë vetëm ligji ai që mund të vendosë urën e lidhjes midis aseteve dhe institucioneve financiare e investuese. Për të kuptuar më mirë mosaftësinë e aseteve tona për gjenerimin e kapitalit duhet të shohim vlerat e tyre të kapitalizimit.
Të gjitha asetet e sidomos pronësia që lidhet me tokat është e nën-kapitalizuar për arsye të mungesës së një ligji modern të pronësisë. Kjo pengon aktivizimin e instrumentave financiare në atë masë që mund të justifikojnë të ardhurat dhe asetet e disponueshme.
Kjo sjell mungesën e financimeve dhe investimeve të reja duke i kthyer parktikisht asetet e individit në gjendje pasive. Ai mund të ketë toka e shtëpi por nuk ka titujt, ai mund të ketë prodhim por nuk ka të drejtën legale për ta transferuar atë, ai mund të zotërojë një biznes por nuk ka statut të tij.
Kohë e fundit parlamenti shqiptar miratoi ligjin "Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore". Opozita e ka kundërshtuar këtë ligj me arsyen se mund të krijojë apo nxisë probleme sociale. A pajtoheni ju me këtë qëndrim?
Me sa jam i njohur nuk ka patur një qëndrim zyrtar të PS-së por kanë qenë opinione individuale nga radhët e saj. Megjithatë, edhe nëse do të ishte kështu, unë vij në të njejtin konkluzion por mënyra e përafrimit eshte krejtësisht ndryshe.
Nëse ligji në fjale ka si objektiv goditjen e korrupsionit dhe plaçkitjeve në zonat turistike ai realisht nuk krijon bazën e duhur për të bërë një gjë të tillë. Kjo sepse shteti i sotëm vazhdon të konsiderojë tokat e grabitura dhe të shtetëzuara nga regjimi komunist si prona të tij.
Kjo është në përputhje me interesat e klaneve në pushtet por është në kundërshtim të plotë me ato çka përmenda në përgjigjet e pyetjeve tuaja të mëparshme dhe do të vazhdojë të mbajë peng zhvillimin ekonomik të vendit. Interesat e pushtetarëve të sotëm me Berishën në krye janë të lidhura ngushtë me standartin e dyfishtë të ngritur në trajtimin e pronave.
Ç'ndodh sot me Jugun është krejtësisht e kundërt me atë çka ndodhi në zonat veriore të vendit ku kontratat sociale u zbatuan në mënyrë të përpiktë nga popullsia pa përfillur asnjë ligj të shtetit. Përse tokat në zonat bregdetare ju interesojnë kaq shumë mafies së pushtetit?
Ju përmendët kontratat sociale. Mund të shpjegoheni më gjerë rreth konceptit tuaj për to?
Kontratat sociale janë rregullat që shoqëria në përgjithësi ka vendosur në lidhje me pronësinë. Koncepti i tyre duhet të jetë në themel të ligjeve të sotme sepse ka të bëjë direkt me legjitimitetin.
Të gjitha të drejtat e pronësisë origjinojnë nga njohja shoqërore e legjimitetit të pretenduesit/pronarit dhe që të jetë legjitim një e drejtë jo domosdoshmërisht duhet të përcaktohet nga ligji formal.
Kjo do të thotë se nëse një grup individësh mbështet fuqimisht një konventë të veçantë kjo është e mjaftueshme që ajo të mbrohet nga ligji formal. Kjo manifestohet p.sh. ekzaktësisht në lëvizjen e njerëzve në pronat e tyre në zonat veriore të vendit.
Në zonat e jugut, kryesisht ato bregdetare, ligjet e shumta të pronësisë dhe titujve pa referenca në kontratat sociale kanë dështuar e do të dështojnë për sa kohë atyre ju mungon legjitimiteti.
Për të fituar legjitimitetin së pari është e domosdoshme vendosja e urës lidhëse midis dy sferave: asaj legale e që përfaqësohet nga pronaret e dikurshëm dhe asaj ilegale që ka përfituar nga mosrespektimi i shtetit të kontratave sociale e mosintegrimi i tyre në një sistem formal pronësie.
Me fjalë të tjera, prona formale është më shumë se sa pronësia e titujve dhe regjistrimi e identifikimi i aseteve; ajo është një instrument mendimi e prezantimi në mënyrë të tillë të aseteve që mund të lejojë individe të punojnë në to dhe nxjerrin vlerën shtesë.
Mungesa e pronësisë formale shpjegon pse në Shqiperi nuk mund të futesh lehtë në kontrata të favorshme me të panjohur, nuk mund të marrësh kredi, siguracione apo shërbime publike.
Arsyeja kryesore pse ndodh kjo është sepse shumica e individëve nuk kanë pronë që mund të humbasin. Dhe ata që s'kanë asgjë për të humbur janë kapur në çarkun e gjendjes para-kapitaliste.
Pa këtë sistem formal nuk ka asnjë mundësi që organizmat financiare të identifikojnë huamarrës të besueshëm. Si mundet ndryshe p.sh. që lënda drusore/pyjet në Pukë të sigurojnë një investim industrial në Peshkopi?
A ka rrugë tjetër për kompanitë e siguracioneve të gjejnë e kontaktojnë klientë që do të paguajnë faturat e tyre? Si mundet ndryshe që informacioni i axhensive imobiliare apo verifikimi i shërbimeve të vihet në dispozicion në mënyrë efektive dhe me pak kosto?
A mundet të funksionojë ndryshe sistemi i mbledhjes së taksave? Pra, kuptohet lehtë se prona formale nuk është thjesht një copë letër por ajo është një pajisje e tillë meditimi që kap dhe depoziton shumicën e asaj që e bën një ekonomi tregu të funksionojë.
Pronësia i jep jetë sistemit duke i bërë njerëzit përgjegjës dhe asetet të shkëmbyeshme duke dokumentuar transaksionet e vënë në dispozicion kështu të gjitha mekanizmat e duhur për të punuar sistemi monetar e bankar dhe funksionuar investimi. Ura lidhëse midis kapitalit dhe sistemit monetar i ka kolonat mbajtëse pikërisht në pronësinë.
Po nëse zbatimi i kontratave sociale do të krijonte problem ekonomik në ato shtresa që kanë qenë të çveshur nga pronësia?
Kjo pyetje ka të bëjë me "gogolin" e hedhur në treg prej kohësh nga politikanët që kanë qeverisur vendin deri më sot. Kjo lloj përzjerje "socializëm-kapitalizëm" është hedhur poshtë me kohë në vendet e zhvilluara ku jo çdo njeri ka prona në konceptin tonë për to por çdokush ka oportunitetin e njëjtë për ti krijuar ato.
Suksesi apo mossuksesi varet krejtësisht nga aftësitë e individit dhe inisiativat e tij. Në anën tjetër, kush më shumë e kush më pak shqiptarët kanë patur prona. Vetëm një pjesë e vogël e siperfaqës së tokave e cila nuk është më shumë se 3% ju përkiste familjeve latifondiste.
Por problemi është se procesi i njohjes së pronave deri më sot është shoqëruar nga vjedhjet,mashtrimet dhe korrupsioni i jashtëzakonshëm pa përmendur më tej pasojat e njohura të ligjit famëkeq 7501 ligj të cilin propaganda e qeverisë së PD-së është munduar ta mbrojë me çdo mjet duke pretenduar se ai është në përputhje me interesat e shumicës së popullsisë.
Ky pretendim është sa absurd aq edhe problematik duke rritur konfliktet midis individëve, individëve dhe shtetit si dhe antagonizmin midis gjendjes aktuale dhe aspirimit për t'ju bashkuar Komunitetit Europian që operon mbi baza të tjera ligjore dhe e konsideron pronësinë kategori absolute të së drejtës.
Sigurisht, zgjidhja e vërtetë e problemit të pronave do të krijonte edhe probleme që do të kërkonin ndërhyrjen e shtetit, adresimin dhe zgjidhjen e tyre duke ju referuar pronësisë së shtetit që ka qenë e tillë para ç'pronësimit komunist. Ato kurrsesi nuk mund të zgjidhen në kurriz të ish-pronarëve e shteti nuk mund të sillet sikur të ishte zotërues i tyre.
Arsye tjetër madhore që kërkon zgjidhjen e duhur të problemit të tokave është pengesa serioze në përdorimin e kapitaleve shumica e të cilave në formën e tyre të sotme janë totalisht të vdekura. Rigjallërimi i tyre do të mundësohet vetëm atëherë kur shteti dhe ligjet të kenë pajtueshmëri të plotë me kontratat sociale.
Në përgjigjet tuaja shpesh dëgjuam referenca ndaj kapitalit dhe lidhjes organike të tij me ligjin e pronësisë. Si dhe ku e shikoni këtë urë lidhëse?
Kjo është një pyetje mjaft domethënëse. Do të mundohem t'i përgjigjem asaj duke iu referuar shpesh analizave moderne të njërit prej studiuesve në zë të kohës në fushen ekonomike e sidomos në atë të kapitalit, De Soto, i cili trajton ne menyre shkencore misteret e tij. Në të gjitha përgjigjet e mia ka një referim të ndjeshëm ndaj konkluzioneve të kërkimeve të tij në këtë fushë.
Koncepti sa i vjetër aq dhe bashkëkohor i kapitalit është se ai nuk është bashkësia e aseteve por është potenciali i saj për të krijuar prodhim e vlerë shtesë. Kjo krijon një nocion abstrakt që duhet të fiksohet e materializohet e prurë në një formë të tillë të prekshme përpara se të aktivizohet.
Ekonomisti që sapo përmenda e krahason këtë aktivizim me çlirimin e energjisë potenciale nukleare të tullës së Einsteinit ku pa konvertim nuk mund të ketë eksplozion. Edhe krijimi i kapitalit kërkon një proces konvertimi.
Kapitali, ashtu si energjia, është një vlerë që "fle". Kjo do të thotë që ne duhet ti shohim asetet jo ashtu siç janë por ti mendojmë ato siç duhet të jenë në formën e tyre aktive.
Një nga mungesat serioze të ekonomisë sonë është informaliteti i saj dhe faktori kryesor që e sjell këtë është pikërisht mosfiksimi i aseteve në sistemin formal të pronësisë. Nga lind kjo domosdoshmëri?
Nga fakti se s'ka asnjë rrugë tjetër për të kontrolluar lëvizjen e tyre në një ekonomi tregu. Çdo shkembim kapitalesh/asetesh përpara se të kryhet transakcioni kërkon disa përgjigje si p.sh. a e zotëron shitësi pasurinë e patundshme dhe a ka të drejtë ta transferojë atë? Mund ta obligojë si garanci?
A do të pranohet blerësi/pronari i ri nga ata që zbatojnë ligjet dhe rregullat e pronësisë? Cilat do të jenë mjetet efektive për të përjashtuar pretendues të tjerë të mundshëm? Une nuk besoj se në Shqipëri mund të marrësh lehtësisht përgjigje për pyetje të tilla.
Ajo çka sheh sot është një kantier i zhurmshëm, shtëpi, apartamente e objekte të tjera që ndërtohen, parcela tokash që kanalizohen, punohen e mbillen, mallra që shkëmbehen, shiten e blihen por të gjitha këto materializojnë vetëm aspektet fizike të aseteve.
Ajo që mungon është jeta paralele e jashtë botës fizike të tyre që në vendet e zhvilluara konsiston në përdorimin e aseteve për të siguruar interesin e palëve të tjera si garanci për huamarrje, forma të ndryshme krediti, shërbime publike etj. Kjo kërkon përpjekjet e shtetit për të kuptuar se sa negativisht ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit tonë nën-kapitalizimi i aseteve.
Dhe nëse do të arrijë ta kuptojë këtë do të kuptojë edhe se sa e rëndësishme është reforma e tokës dhe kthimi i saj tek pronaret e ligjshëm. Të gjitha asetet kanë dhjetra lidhje me tokën dhe pa zgjidhur problemet e saj së pari ato nuk mund të kthehen në kapital aktiv. Kjo përbën dhe urën lidhëse që ju përmendët në pyetjen tuaj.
Dhe kjo urë lidhëse mund të vendoset vetem me konsolidimin e pronësisë formale. Në të kundërtën, sado asete që ne të grumbullojmë apo sado fort që të punojmë shumica e njerëzve nuk do të jenë në gjendje të prosperojnë në shoqërinë kapitaliste ku jemi futur e do të mbeten të padukshëm ekonomikisht.
Së fundi qeveria shqiptare është angazhuar në hartimin e përgjigjeve të një liste shumë të gjatë pyetjesh të BE-së. A mendoni që problemet për të cilat ju folët mund të kenë vendin e tyre në këto pyetje?
Edhe pse nuk di asgjë konkrete nga pyetsori llogjika e thjeshtë të thotë po. Kjo sepse Europa dhe gjithë vendet e zhvilluara kapitaliste operojnë mbi bazën e asaj filozofie.
Për ta është e qartë se globalizimi që po ndodh sot është rrjedhojë e hapjes së ekonomive në vendet në zhvillim dhe ato ish-socialiste, përfshirë këtu edhe vendin tonë; stabilizimi i monedhave të tyre, ndërtimi i kornizave rregulluese për të përmirësuar tregtinë e jashtme dhe legjislacionin për investimet private. Prandaj për vendet e zhvilluara kanë shumë rëndësi reformat e tyre makro-ekonomike.
Ajo çka unë do të dëshiroja të shihja në atë pyetësor është se cila është shkalla e njohjes dhe preokupacionit të BE-së për faktin që vendi ynë nuk është i integruar në sistemin legal dhe ne nuk kemi të njëjtën aftësi për ti përdorur resurset tona në tregun e hapur.
Kjo ka të bëjë me nocionin e rëndësishëm që për sa kohë shumica e aseteve nuk është e dokumentuar dhe lehtësisht e evidentueshme nga një burokraci pronësie ato jane të padukshme dhe sterile në treg.
Duke ardhur te pyetja e fundit do të donim të dinim nëse jeni optimist për një zgjidhje të drejtë të të gjitha problemeve që lidhen me pronat dhe pronësinë? Besoni se partitë politike shqiptare do të përqafojnë rrugën efikase e të vështirë?
Optimizmi im është relativ. Jam i tillë sepse duan apo nuk duan pushtetarët dhe politikanet tanë vendi nuk ka asnjë zgjedhje tjetër. Rruga e vetme drejt prosperitetit e zhvillimit të vendit kalon nëpërmjet ndërtimit të plotë të sistemit kapitalist e funksionimit të ekonomisë së tregut.
Kjo është e lidhur pandarshmërisht me zgjidhjen e drejtë të problemeve të akumuluara të pronësisë dhe njohjen e respektimin e plotë të të drejtave të ish-pronarëve.
Në anën tjetër, për këdo është krejtësisht e qartë se individët që janë cikluar e vazhdojnë të ciklohen në pushtet në këto 20 vjet nuk kanë asnjë interes për zgjidhjen e këtij problemi sepse ata jane ideatorët dhe aktorët e plaçkitjeve të pronave dhe interesat e tyre janë që katrahura të vazhdojë me shpresën se një ditë ato do të harrohen, dokumentat do të falsifikohen e zhduken, brezat do të shuhen.
Por ka histori edhe me shtete të tjera që provuan të njëjtën rrugë por edhe pas 150 vjetësh ato ndeshen sot me të njëjtat probleme si më parë dhe me intensitet më të madh në konfliktet sociale.
Lidhur me partitë politike e vetmja forcë që do të mund të kuptonte rëndësinë jetike të këtij problemi do të ishte e djathta në Shqipëri. Por ajo nuk ekziston; ajo u eliminua nga lidershipi i PD-së dhe sot është e paorganizuar, e papërfaqësuar e pothuaj jo-ekzistente.
Shoqatat apo grupet e interesit, edhe pse me një perspektivë mjaft të qartë për rrugët e zgjidhjes, janë të pafuqishme përballë interesave të kundërta të pushtetit. Sidoqofte, baza teorike dhe praktike e ofruar prej tyre është mjaft e ndershme dhe fleksibël.
Në anën tjetër, nga dy forcat politike më të mëdha, PD-ja u provua duke qenë më aktive por që krijoi atë çka u tha më sipër. Nuk ka asnjë shans të vetëm që lidershipi i saj të angazhohet seriozisht në këtë çështje e aq më tepër të ndreqë atë që me ndërgjegje e shkatërroi vetë.
Në radhët e pushtetarëve të sotëm dhe të djeshëm ka "kampionë" të tillë që kanë marrë pronat e gjyshërve, stërgjyshërve e katragjyshërve duke "vërtetuar" trungun e tyre edhe deri si pasardhës të Ali Pashë Tepelenës.
Ndërsa pronarëve të vërtetë shteti ju ka "ofruar" sot mundësinë t'i blejnë tokat e tyre nga "zotëruesit" e rinj!
PS-ja, tërësisht pasive deri më sot ka shansin të kuptojë se është momenti për të përqafuar qëndrimet moderne të të majtave simotra në vendet e zhvilluara për çështjet e pronësisë.
Në fushatën e zgjedhjeve të fundit ajo i prezantoi elektoratit një program mjaft ambicioz për bujqësinë e zhvillimin e saj por një gjë e tillë është pikësëpari e kushtëzuar me zgjidhjen e problemeve të akumuluara të pronësisë.
Një program i tillë mund të zbatohet nëse ajo arrin të kuptojë se zgjidhja e vështirë e këtyre problemeve nuk ka të bëjë vetëm me interesat e individëve apo ish-pronarëve.
Më shumë se kaq, ajo ka të bëjë me rrugën dhe alternativën e vetme për ta futur vërtet vendin në rrugën e zhvillimit kapitalist. Kohët e fundit në gjirin e saj ka patur inisiativa serioze për të riformuluar programin e ndryshuar qëndrimin e mëparshëm por kjo duhet të thellohet e shkëputet përfundimisht nga varianti i përzjerjes socializëm-kapitalizëm.
Një model i tillë as ka ekzistuar dhe as nuk mund të ekzistojë.Përfundimisht, shteti shqiptar kurrë nuk do të mundet ti shmanget përjetë zgjidhjes së drejtë të çështjes së pronave.
No comments:
Post a Comment