shenim: manipulimet e votave si fenomen kane shoqeruar vazhdimisht periudhen e tranzicionit dhe ne Himare ato kane qene me te theksuara. Me modelin e sotem te PD-se, PS e asaj kohe i hoqi Bollanos mandatin e kryetarit te bashkise ne 2000. Ne zgjedhjet lokale te 2003 ne Qeparo e Vuno e Pilur votuan gjithe emigrantet qe faktikisht nuk kishin ardhur nga Greqia si dhe te vdekurit prej 50 e me shume vitesh, me skandalozja ishte pjesemarja ne votime e babit te Xhorxh Tenetit
Gjeja me normale e nje grupi njerezish normale eshte te verifikohen kutite sa here te kerkohet nga nje subjekt politik i vogel apo i madh. Kutia e Ruzhdies, apo e Pandorës?
04/03/2010 (Shqip on line)
Skënder Minxhozi
Paska qenë e thënë që krizat elektorale në Shqipëri të kenë emra fshatrash myzeqarë. Dushku dhe Ruzhdia, dy lokalitete që vështirë se i gjen nëpër hartat fizike, janë sot simboli i gjithçkaje të keqe mbajnë brenda zgjedhjet në kujtesën e shqiptarëve. I pari për kombinacionet që i shumëfishuan mandatet e së majtës si në magjitë e David Koperfildit, i dyti për faktet shqetësuese që akuzojnë të djathtën dhe që lidhen direkt me temën e nxehtë të debatit për zgjedhjet, që po bllokon politikën shqiptare sot.
Historinë e djeshme (Dushkun) e dimë, atë të sotmen (Ruzhdien) po fillojmë ta zbulojmë. Në thelb, ajo që ka ndodhur këto orë, është se Prokuroria e Fierit, mesa duket e “painfektuar” nga sëmundja e gjumit që e ka kapur prej vitesh Prokurorinë e Përgjithshme, ka çuar përpara në heshtje një hetim. Sipas rezultateve të tij, del se në zonën e Ruzhdies kanë votuar njerëz që s’kanë qenë ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, janë vënë firma false për persona që s’ishin aty dhe janë kërcënuar komisionerët e opozitës, të cilët kanë ikur dhe kanë lënë fushë të lirë për të gjithë sa më lart.
Pozita është munduar që ta minimizojë çështjen “Ruzhdie” dhe të gjitha degëzimet e mundshme të saj. Kryeministri Berisha, impulsiv dhe replikues ndaj të gjitha sfidave publike që i kanë ardhur nga kundërshtarët politikë, çuditërisht heshti ditën kur Gramoz Ruçi i kërkoi që t’i vendosin karrierat politike mbi kutinë e kontestuar të Ruzhdies. Asnjë përgjigje, batutë, ironi apo sarkazëm, nuk doli nga goja e kreut të qeverisë, i cili duket se këtë qëndrim pasiv ia ka imponuar të gjithë mazhorancës, kur është fjala për të anashkaluar dosjen në fjalë. Vetëm dje kreu i grupit parlamentar të PD-së reagoi publikisht për episodin në fjalë.
Shumica po mundohet të bëjë me kokëfortësi veshin e shurdhët për të gjithë elementët delikatë që po dalin nga kjo dosje dhe që vjen e hapet në momentin më të pakëndshëm për qeverinë. Të hedhësh faktet e Ruzhdies në mesin e një debati të nxehtë për zgjedhjet, do të thotë të hedhësh benzinë në një zjarr, i cili u kujtua se mund të shuhet me duart e Këshillit të Europës. Dështimi i atij misioni në fund të shkurtit i ka vënë edhe një herë përballë palët. Dhe në këtë rast, beteja parashihet e ndezur dhe do të fitohet nga ai që ka më shumë “municione”. Kutia e Ruzhdies është një armë që i vjen në dorë Edi Ramës në momentin e duhur, pikërisht atëherë kur i nevojitej më shumë se asgjë tjetër, një provë për manipulimin e zgjedhjeve.
Prej muajsh është cituar në debatin politik dhe atë mediatik, raporti final i OSBE-ODIHR për zgjedhjet. Ndoshta paragrafi ku flitet njëkohësisht për “një të tretën e votave të numëruara keq” dhe për “mungesën e provave për manipulim”, merr në këto kushte një peshë dhe domethënie tjetër. Ashtu siç e ribëri pjesërisht Rezoluta 1709 e Këshillit të Europës Raportin Final të OSBE-së për zgjedhjet, ashtu edhe ngjarje si kjo e Ruzhdies sfidojnë përcaktime dhe formulime konkrete të këtij raporti, i cili përmban brenda shumë politikë dhe më pak objektivitet dhe realizëm.
A do ta modelojë debatin politik në vend rasti i Ruzhdies, siç bëri ai i Dushkut vite më parë? A do të flitet në të ardhmen për një “sistem Ruzhdie”, siç flitet e debatohet prej vitesh për një “sistem të Dushkut”? Dhe më në fund, a mund të jetë hetimi i 5 komisionerëve një kampion i besueshëm, për të arritur në konkluzionin se zgjedhjet e 28 qershorit janë manipuluar?
E vështirë të thuhet që tani. Së pari duhet që gjykata t’i gjejë të akuzuarit fajtorë dhe t’i dënojë. Duhet që ajo që ka ndodhur të vërtetohet se ka qenë një skemë manipulimi e vjedhjeje, e jo një gabim njerëzor apo më keq, një sajesë e opozitës. Akuzat e prokurorisë bëjnë të mendosh se është varianti i parë dhe jo ai i dytë apo i tretë, që duket më i vërteti.
Megjithatë, përtej këtij konkluzioni, i cili do të kërkojë afatet kohore fiziologjike që i duhen drejtësisë, politika vështirë se do ta presë atë ditë. Beteja ka filluar tashmë. Veç kësaj, eksperienca ka treguar se çdo episod i tillë, ku flitet për vota konkrete të devijuara, manipuluara apo të vjedhura, ka ndezur debate të forta. Në 20 vjet në këtë vend, të gjitha forcat politike kryesore kanë futur duart në një mënyrë a një tjetër në kutitë e votimit. E para është natyrisht PD, me rekordin e saj të hidhur të 26 majit 1996. Por ndërsa kjo është përjetuar si një e keqe e pashmangshme, si një bashkudhëtare e paevitueshme e demokracisë së korruptuar shqiptare, është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë kur të parët komisionerë zgjedhjesh të dënohen (eventualisht) nga një gjykatë e këtij vendi.
Pa u marrë shumë me efektet politike të kësaj ngjarjeje, një revolucion do të ketë ndodhur në rrafshin jo vetëm politik, por edhe atë të mentaliteteve dhe kulturës së zgjedhjeve, në momentin kur kundravajtja e parë ligjore që lidhet me votat, të jetë zbardhur dhe ndëshkuar. Dita kur një komisioner do të kuptojë mbi lëkurën e tij se të prekësh votat, do të thotë të rrezikosh të përballesh me ligjin, do të jetë një ditë e lumtur për demokracinë në këtë vend. Jo sepse kështu kërkon sot opozita (e cila ka me siguri mëkatarët e saj në këtë lëngatë elektorale 20-vjeçare), por sepse kjo është ndër të vërtetat e hidhura të zgjedhjeve në këtë vend, ku zullumqarët e zgjedhjeve paraardhëse janë ulur rregullisht në komisione edhe në votimet pasardhëse, për të bërë nga e para të njëjtën gjë që bënin. Pra, të devijonin vullnetin e mijëra njerëzve sipas urdhrave politikë. Ndoshta Ruzhdia, ashtu si dikur Dushku në mënyrën e vet, do të shërbejnë për të krijuar një precedent, ose më mirë një tabu, e cila lidhet me paprekshmërinë e zgjedhjeve dhe me prekshmërinë e atyre që i dhunojnë ato.
No comments:
Post a Comment