Mirë t’i bëhet Greqisë?! Por ç’vjen më pas?
11/03/2010
Monika Shoshori Stafa (Shqip)
Shtatë. Tetë. Nëntë. Dhjetë. Knockdown!
Pikërisht si një fund-ndeshje ringu po përjetohet në mjediset shqiptare jo vetëm popullore, por edhe të gazetarisë, ajo që po ndodh me fqinjin tonë jugor. Mirë t’i bëhet Greqisë! Ka dy dekada që shfrytëzon shqiptarët. Na ka diskriminuar një gjysmë milioni popull. Don të krishtërojë gjithë Jugun dhe të helenizojë gjithë brezin e ri të Shqipërisë.
Të gjitha këto mund t’i dëgjosh në biseda publike të formuesve të opinionit, në takimet rastësore të njerëzve, midis përshëndetjeve të tyre po aq rastësore. “Sto diavolo!” gjithë grekëve! E marrtë dreqi Greqinë, si ajo “e marrtë dreqi botën” në filmat shqiptarë, kur e dëgjon të mbërthen e qeshura, por nën zë natyrisht, se ndryshe hyn në atë grupin e atyre që s’janë mirë. E kështu poshtë e më poshtë i shkoftë Greqisë!
Ky lloj entuziazmi është aq i përhapur sa duket sikur ne shqiptarët, fqinjët më të lashtë të Greqisë këtu afër, mezi po presim të shpërthejmë në ovacione. Po kush fitoi? Mirë që Greqia po humb e po gjunjëzohet, po ne ç’kemi?
E gjitha kjo i ngjan një ndodhie të viteve të para të pasluftës, kur fuqitë fitimtare thirrën Konferencën e San Francisco-s për të vendosur për rendin e ri botëror. Shqipëria, sikurse dihet, nuk u ftua në këtë konferencë. Pushteti i atëhershëm organizoi manifestime popullore në të gjitha qytetet ku kishte misione të huaja. Slogani i manifestuesve, sipas shtypit të kohës, ishte: “Duam të shkojmë në San Francisco!”. Por në Shkodër, ku kishte një bashkësi të qëndrueshme të besimtarëve të urdhrit të San Francescu-t, manifestuesit, duke menduar se bëhej fjalë për shenjtorin, jo për qytetin, shtonin nga vetja: “E dona! Asht jona!”. Dhe misionarët e huaj pyesnin me habi: “Ç’thonë këta shqiptarët kështu?”.
Në krizë nuk është vetëm Greqia. Në krizë është dhe Shqipëria. Ajo që ndryshon midis dy vendeve është vetëm sjellja me krizën. Qeveria greke, të parën gjë që bëri, me të vërejtur se pikërisht në kohën kur kontinenti po kalonte në fazën e ringritjes, Greqia po zbriste në një cikël më të rëndë rënieje dhe rrënimi, shpalli hapur dhe pa asnjë ekuivok rrezikun që po vinte. Kriza është katërcipërisht sunduese në vend. Populli dhe qeveria duhet të përgatiten për ditë më të këqija. Pasojat duhet t’i ndajnë bashkë të qeverisurit dhe qeverisësit. E keqja duhet ditur deri në fund. “Për të pasur shpresë se mund të ringrihemi, duhet të marrim vesh se sa poshtë kemi rënë”, thotë një personazh i I. Kadaresë në romanin “Nëntori i një kryeqyteti”. Pikërisht këtë po bën qeveria greke: po bind popullin e vet se sa poshtë ka rënë. E njëjta krizë ndodhi e vazhdon të ndodhë edhe në Shqipëri. Por në vendin ku pritet me zell knockdown-i i tjetrit, kriza jo vetëm është fshehur, por është zbukuruar me “rritjen dyshifrore”, më të madhen në botë, sikur Shqipëria është një ishull me mure edhe më të pathyeshëm se ato të periudhës bolshevike. Fshehja e krizës është shprehje e mbijetesës së një kulture të vjetër politike të mbështetur mbi demagogjinë. Vetëm me shoqërinë e hapur nuk ka të bëjë.
Ndryshimi tjetër. Qeveria greke, me t’u njohur me prognozat e zymta të së ardhmes së afërt, ndërkombëtarizoi me urgjencë shqetësimin e vet, në Europë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar se nuk është vetëm Greqia në rrezik, por do të ndodhë që pasojat të ndihen edhe përtej Atlantikut. Ndërsa autoritetet e shtetit shqiptar jo vetëm që nuk e kanë shkuar ndonjëherë nëpër mend se duhet të flasin dhe ata për krizën e tyre, por, edhe kur rikthehet për diagnostikim një mision që konsiderohej i tërhequr, misioni i FMN-së, i cili paralajmëron se kriza në Shqipëri është dhe çështje ndërkombëtare, ne dimë vetëm çfarë kanë thënë misionarët e huaj, jo dhe përgjigjen dhe qëndrimin e tanëve.
Qeveria greke jo vetëm e njohu rrezikun, por zgjodhi mjetet dhe rrugët për ta ndarë atë pjesë-pjesë, për ta bërë peshën e krizës sa më të përballueshme. Asnjë vëmendje nuk i është kushtuar faktit që masa e parë e qeverisë së vendit fqinj ishte të ulte në masën 10 për qind pagat e administratës shtetërore. E kthyer në gjuhë politike, kjo do të thotë që së pari ta ndash krizën me të tutë, me mbështetësit, pastaj dhe me tregun, me qytetarët që rrojnë prej nismës së lirë. Kur ka krizë kufizohet konsumi. Po cila ishte përgjigjja e autoriteteve tona, që numëron me zell knockdown-in e tjetrit? Të shiten të gjitha pasuritë publike, të shiten edhe 160 repartet ushtarake, t’u shiten veturat atyre nëpunësve që i kanë pasur në shërbim, t’u shiten spitalet, klinikat, shkollat, hekurudhat, portet, gjithçka, privatëve. Në fakt, kjo do të thotë ta shkarkosh krizën tek pasuria e patundshme, domethënë të rëndosh jetesën e brezit që vjen. Është me interes të evokohet këshilla e misionarëve të FMN-së, të cilët në fakt rekomanduan të kundërtën: rishikimin e buxhetit jo duke prekur investimet, por shpenzimet e pakthyeshme, njësoj siç po bën qeveria e Athinës, qeveria e rënë më gjunjë e Athinës.
........
Por vëzhgimi i krizës greke dhe i dallimeve në sjellje me krizën shqiptare paraqet edhe një interes tjetër. Në kohën e sotme, kur vetë Europa është globalizuar, kur gjithçka varet nga shëndeti i euros, nuk ka kufij as për të mirat, as për të këqijat. Kriza greke do ta prekë dhe Shqipërinë. Jashtë dyshimit. Jo vetëm si fqinjë të drejtpërdrejtë. Mbi të gjitha se mesatarisht çdo familje shqiptare ka një të punësuar në Greqi. Një të punësuar që, edhe pse mund të diskriminohet prej afendikoit grek, merr aq para sa paga e një ministri në Shqipëri. Kriza, pasi ka goditur disa qindra mijë nëpunës të shtetit grek, nuk ka asnjë gjasë të përjashtojë nga goditja shqiptarët e atjeshëm, pas të cilëve qëndrojnë familjet e tyre. Sikur vetëm gjysma e shqiptarëve të punësuar në Greqi të mbeten pa punë, goditja do të jetë edhe më e madhe se ajo e efekteve të përmbytjes në veriperëndim në fillim të vitit. Por nuk është vetëm kjo. Ndoshta më shumë se një e treta e rrjetit bankar të Shqipërisë, e bankave të nivelit të dytë, janë filiale të bankave greke. A mund të mendohet që këto banka, që funksionojnë me bankat-mëmë si enët komunikuese, duke qenë në “kështjellën Shqipëri”, nuk do të preken nga asnjë efekt? Është naive ta mendosh.
Ja pse nuk ka asnjë arsye për të numëruar me entuziazëm knockdown-in e fqinjit, por përkundrazi, është koha e fundme për të reflektuar si mund të sillesh seriozisht me një krizë, që është karakterizuar si më e madhja që prej asaj të vitit 1929, krizës së Depresionit të Madh! Në një krizë edhe më depresive se ç’po sheh Shqipëria sot, entuziazmi është qesharak dhe dramatik njëherësh.
No comments:
Post a Comment