Intervistë
Tashmë u bënë më shumë se katër vjet që jeni ambasador i Shqipërisë në Greqi. Cilat ishin synimet tuaja kur morët detyrën dhe a mendoni se sot keni një bilanc arritjesh, por edhe mosrealizimesh?Ambasada sot është bërë shtëpia e të gjithë shqiptarëve në Greqi dhe stafi i ambasadës është në çdo moment pranë bashkëqytetarëve dhe në shërbim të tyre. I kam takuar pothuaj të gjithë bashkëatdhetarët aty ku jetojnë e punojnë dhe jam krenar me atë që kanë arritur, duke prezantuar cilësitë më të mira dhe duke fituar respektin dhe mirënjohjen e shoqërisë greke.Njoh në tërësi problemet e tyre, fatmirësisht nuk janë probleme të mbijetesës, janë probleme të integrimit, të indenditetit dhe të kulturës. Sigurisht kur i njeh problemet, vihesh më i motivuar në rrugën e zgjidhjes.
Si shpjegohet atëhere ajo që ndodhi me ushtarët gjatë parakalimit më 25 mars?
Ishte një incident i rëndë, i pajustifikuar për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve e dy popujve dhe u dënua tërësisht nga çdo qelizë e shtetit dhe shoqërisë greke. Ata ushtarë, me veprimin e tyre tejet të papërgjegjshëm, më shumë se gjithçka turpëruan vendin dhe shoqërinë greke. Incidenti ishte një vaksinë për shoqërinë greke, ishte një virus që iu injektua dhe reagimi ishte tregues i imunitetit të shoqërisë greke. Pati shkarkime dhe procedime penale, e rëndësishmja është reagimi institucional dhe popullor, ndjesa e sinqertë që u kërkua dhe përgjegjësia zyrtare dhe shoqërore për dënimin e incidentit, si garanci për mospërsëritjen e tij. Zyrtarë apo qytetarë të thjeshtë grekë, të njohur apo të panjohur, me gojë apo me shkrim, më shprehnin keqardhjen dhe ndjesën për atë që bënë bashkatdhetarët e tyre.
Refuzimi i Kadaresë për të mos ardhur në simpoziumin e Megaro Muzikis të Athinës, i dha një jehonë botërore dënimit të fashistëve grekë. Të këtillë u dëftuan ushtarakët grekë me ato thirrje të urrejtjes nacionale ndaj emigrantëve shqiptarë...
Di gjithçka për këtë vizitë dhe për reagimet, aq sa ka thënë shtypi shqiptar. Sigurisht, vendimi i zotit Kadare është vendim i tij, por mund të them që shkrimtari ynë i madh është një vlerë e çmuar për të gjithë ne dhe sa herë ka ardhur në Greqi, na ka rritur krenarinë tonë kombëtare.
Po ju si do të vepronit?
Kadareja është unik për nga madhësia e vlerave kombëtare dhe ndërkombëtare. Edhe për një arsye tjetër do të kisha dëshirë të vinte: do t’u jepte një mundësi bashkatdhetarëve këtu të ndiheshin më krenarë. Unë si njeri i politikës dhe diplomacisë mora pjesë në një konferencë ndërkombëtare në datën 15 prill organizuar nga MPJ dhe Qendra Greke e Studimeve Europiane. Diskutimi im kishte të bënte me rolin e Shqipërisë si faktor paqeje e stabiliteti në rajon dhe çështje të stabilitetit të Europës Juglindore pas krizës.
Pse qeveria shqiptare duhet të rishikojë kufijtë detarë me Greqinë?
Nuk është rishikim, është përcaktim i kufijve detarë, ku është e imja dhe ku është e jotja. Është pjesë e detyrave të çdo qeverie, për të mbyllur çdo shteg me vendet fqinje dhe mike, për shkaqe që mund të cenojnë marrëdhëniet. Është pjesë e punëve për të pasur fqinjësi sa më të mirë. Kjo gjë bëhet edhe midis dy fqinjëve kur duan të ndajnë kopshtin e përbashkët. Bien dakord ku të vënë gardhin.
Cili është reagimi politik dhe diplomatik i qeverisë greke ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
Nuk ka pasur asnjë reagim, ndoshta në pritje edhe të zbardhjes të vendimit. Por është shprehur respektimi ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si një e drejtë e pakontestueshme.
Populli grek e njeh pak botën tonë shpirtërore, pasi pak libra përkthehen. A mund të ishte ndryshe?
Jo, a mund të ishte ndryshe, por në realitet është ndryshe. Sot shqiptarët janë prezent me gati 10% të popullsisë greke, gjë që u lejon të shfaqin në tërësinë e vet botën shpirtërore dhe kulturore të tyre. Unë jam krenar se jam pjesë e kontributit që sot shqiptarët në Greqi kanë një jetë të pasur kulturore, kanë shoqatat e tyre letrare dhe artistike dhe pothuaj çdo muaj promovohen libra, krijimtari e tyre, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën greke, prezantojnë kulturën e tyre në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare që organizohen këtu, hapin ekspozita të arteve figurative, organizojnë koncerte recitale, organizojnë mbrëmje kulturore sipas krahinave në Shqipëri, e deri te manifestimet ku prezantohet kuzhina tradicionale shqiptare. Por nuk kanë munguar edhe vepra studimore shkencore. Kanë qenë pjesë e rëndësishme e veprimtarive kulturore të ambasadës promovimi i librave të autorëve shqiptarë të përkthyer në gjuhën greke, por duhet ta pranojmë që përkthimet janë në radhë të parë çështje e shijes, por edhe biznesi. Ne themi që “oreksi vjen duke ngrënë” dhe këtë e shoh edhe te përkthimet në gjuhën greke. Janë bërë përkthime dhe numri i librave të shitur numërohej me gishtat e dorës, u përkthye një vepër e Kadaresë dhe botimi pati jehonë. Së fundi u përkthye libri i parë i Ben Blushit dhe sot konsiderohet si një “Best Seller” edhe në Greqi. Madje, mund të bëj të ditur që shtëpia botuese “Kastrioti”, bëri kontratën e dytë me shkrimtarin Blushi edhe për përkthimin e botimin e romanit “Otello, arapi i Vlorës”. Kur them që botimet e huaja janë çështje shijeje, kam parasysh emrin e autorit, sa i njohur është, cilësinë e përkthimit, publicitetin që i bëhet etj., që ju i dini më mirë se unë.
Zoti ambasador, ju kam ndjekur në vazhdimësi të trajtoni çështjen e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve, publikisht, duke dalë në këto raste më shumë si një specialist i arsimit sesa si ambasador. A keni një bilanc sot pas katër vjetësh?
Para se të vija këtu, kisha lexuar në materialet që ishin në MPJ, se në Athinë funksiononte një shkollë publike që mbante numrin 132, ku mësimet bëheshin në gjuhën shqipe dhe financohej nga shteti grek. Mbi këtë bazë vihej si detyrë që të rritej numri i këtyre shkollave. E vërteta ishte krejt ndryshe. Sipas një projekti europian, ishte hapur një shkollë shumëgjuhëshe për fëmijët e të gjithë emigrantëve që ishin në Greqi, nga rajoni, Lindja e Mesme, Azia etj. Kur erdha në detyrë, projekti kishte përfunduar, ishin hapur probleme të parregullsive për financat e projektit, që vazhduan më pas edhe me një proces gjyqësor dhe asnjë nuk dinte sa fëmijë shqiptarësh kishin ndjekur “shkollën” dhe sa ishte përfitimi. Realisht pashë se problemi ishte shumë dimensional dhe kishte shumë aktorë: shtetin grek, që dha zyrtarisht miratimin për të vënë në dispozicion ambiente publike falas për mësimin e gjuhës shqipe, shtetin shqiptar, që me porosi të Kryeministrit Berisha kontribuoi dhe kontribuon me pajisjen falas me libra e mjete didaktike dhe me seminare vjetore për kualifikimin e mësuesve. Institucionet e specializuara në Shqipëri duhet të bëjnë më shumë për hartimin e një programi dhe teksti përkatës integral, të përshtatshëm për fëmijët në emigracion. Por problemi kryesor lidhej me të kuptuarit e çështjes të mësimit të gjuhës amtare nga komuniteti shqiptar, nga shoqatat kulturore të shqiptarëve dhe sidomos nga vetë prindërit. “Të kapësh demin për brirësh” për ta vënë këtë problem në rrugën e zgjidhjes do të thotë të ndryshosh mentalitetin e prindit, që unë do ta thosha me këtë fjali: gjuha amtare nuk mund të mësohet si e tillë në qoftë se në familje nuk flitet shqip. Sot shoqatat shqiptare me mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e pushtetit lokal dhe nën kujdesin e vazhdueshëm të ambasadës, kanë hapur mbi dyzet kurse të mësimit të shkrimit dhe leximit të gjuhës shqipe dhe duhet të ketë një vëmendje më të madhe të MASH për të përmirësuar cilësisht përmbajtjen e këtyre kurseve.
Emigrantët tanë nuk përfaqësohen këtu në Greqi. Edhe për ligjin e ri emigrantët pak reaguan edhe pse kanë probleme me rinovimin e lejeve të qëndrimit për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme vjetore...
Unë kam mendim krejt tjetër. Shqiptarët janë të organizuar në shoqata sipas vendeve ku jetojnë e punojnë dhe ku zhvillojnë një jetë të pasur kulturore në mbrojtje të identitetit të tyre kombëtar, në integrimin sa më harmonik në shoqërinë greke dhe në realizimin e një bashkëjetese të lavdërueshme. Në datën 22 prill jam ftuar nga shoqata në ishullin e Santorinit dhe para dy ditësh kryetari i bashkisë të ishullit më telefonoi për të më uruar mirëseardhjen. Mjetet e informimit publik në ishull kanë njoftuar si një ngjarje të veçantë vizitën e ambasadorit të Shqipërisë dhe unë të gjithë këtë e vlerësoj si një meritë të organizimit të shqiptarëve. Përfitoj nga ky rast për të falënderuar të gjithë kryetarët e shoqatave të shqiptarëve anembanë Greqisë, nga Mesolongji në Kavalla, nga Rodosi në Kalambaka, nga Kreta në Korinth e Megara, për bashkëpunimin e vazhdueshëm në të mirë të atyre që i kanë zgjedhur. Ligji i ri i miratuar përmirëson ndjeshëm jetën e emigracionit, e në veçanti atij shqiptar. Tashmë nuk është pasiguria për brezin e dytë, nuk është shqetësimi për lëvizjen për në atdhe, kur janë në proces rinovimi lejet e qëndrimit, shqiptarët do marrin pjesë në zgjedhjet lokale, pavarësisht nëse kanë apo jo dyshtetësinë etj. Por të mos harrojmë që çdo vend rregullon ligjërisht marrëdhëniet me shtetasit e vet dhe emigrantët në varësi të kushteve specifike të tij dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Greqia ka rreth 10 milionë banorë dhe ka rreth 1.5 milionë emigrantë, është anëtar i BE dhe i zonës Shengen. Kështu që ka detyrime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Meqë jemi këtu, a mendoni që Shqipëria është e vonuar në çështjen e liberalizimit të vizave?
E kam dëgjuar edhe herë tjetër këtë thënie. Në vitin 1993 kam qenë ambasador në Beograd. Ndonëse hapësirat e ish-Jugosllavisë ishin përfshirë në një konflikt ushtarak që u shoqërua me gjenocide të padëgjuara për kohën e sotme, qytetarët e saj lëviznin pa viza kudo në botë. Të thuash që mbetëm të fundit duhet thënë që më parë a ishim përpara ndonjë shteti tjetër në rajon dhe për këtë apo atë arsye mbetëm të fundit. Duhet të vlerësojmë shpejtësinë e hapave tanë për të kapur kohën e humbur. Dhe duhet bashkëpunimi i të gjithëve. Problemi i liberalizimit të vizave kishte të bënte me probleme të funksionimit të shtetit demokratik dhe të plotësimit të legjislacionit përkatës që lidhej me marrëveshjet e ripranimit. Ne i realizuam me sukses detyrimet politike dhe e kaluam me sukses testin për zgjedhje të lira e demokratike. Zgjedhjet tona të fundit u certifikuan nga komuniteti ndërkombëtar si më të rregulltat dhe më demokratike zgjedhje që janë bërë më parë. Problemet teknike donin kohën e tyre; hartimi i regjistrit kombëtar të qytetarëve, pajisja me pasaportat biometrike, modernizimi i kufijve dhe integrimi rajonal i logjistikës të tyre. Për sa kohë i kanë realizuar këto detyra shtetet e tjera dhe për sa kohë i bëmë ne? Kjo do të ishte një masë krahasuese dhe nga sa jam në dijeni, te ne këto reforma u bënë shumë shpejt. Kjo është arritje shumë madhore dhe do të dëshiroja që e gjithë politika shqiptare të ishte pjesëmarrëse, siç ka qenë edhe në shumë raste të tjera. Më kujtohet fare mirë rasti i njëjtësimit të të gjithë politikës tonë në kohën e krizës kosovare në vitin 1999. Në një nga ato ditë, kryetari i opozitës, zoti Berisha më thërret në zyrë dhe më thotë se do të organizojmë një miting të madh në Tiranë ku të marrin pjesë të gjithë demokratët nga e gjithë Shqipëria dhe të gjithë kosovarët që ishin prezentë në vendin tonë si pasojë e gjenocidit serb. Si kryetar i PD të Tiranës filluam punën për organizimin e mitingut. Të nesërmen që u bë i njohur lajmi, pata një telefonatë nga një miku im, ministër i qeverisë “Majko” atë kohë. Më propozoi në emër të PS, që mitingun ta bëjmë të gjithë bashkë. Kur ia thashë Doktorit, atij i ndritën sytë nga gëzimi dhe në entuziazmin e momentin më tha “Parulla e mitingut do të jetë: Një komb, një qëndrim”. Jam i sigurt që të gjithë e kujtojnë atë ditë kur panë bashkë në tribunë, përfaqësuesit më të lartë të shtetit, Presidentin Meidani, Kryetarin e Kuvendit Gjinushin, Kryeministrin Majko, kryetarin e opozitës, Doktor Berishën dhe të gjithë përfaqësuesit e forcave politike shqiptare. Shembull më i freskët është procesi i integrimit në NATO, si kontribut i të gjithëve dhe pjesëmarrja në Samitin e Bukureshtit të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.
Nuk mund të mos ju pyes për një problem që na shqetëson të gjithëve: a do të fillojë të bëhet aplikimi për pasaportat biometrike në konsullatat tona në Greqi?
E përjetoj çdo ditë këtë shqetësim shumë të drejtë të shqiptarëve dhe unë zyrtarisht me shkrim dhe me gojë e kam prezantuar me kohë para autoriteteve me të larta shqiptare. Kërkesa jonë që më mirë duhet thënë e drejta jonë ka gjetur mirëkuptim të plotë te Kryeministri Berisha dhe ai ka ngarkuar dy ministrat, të Jashtmin dhe të Brendshmin që të kontaktojnë me kompaninë private që merret me prodhimin e dokumenteve biometrike për ta zgjidhur problemin. Po ashtu jam në dijeni se si zv.kryeministri Meta dhe ministri Basha janë angazhuar në maksimum për këtë problem. Ministri Meta me dha gjithashtu porosinë të shohim mundësinë të hapim edhe qendra të tjera për të ndihmuar sa më afër emigrantët tanë. Jam në dijeni se kompania po punon për zgjidhjen e disa problemeve teknike për lidhjen e kompjuterëve që do të instalohen në konsullata me serverin e regjistrit kombëtar.. Së fundi, para disa ditësh një person i ngarkuar nga kompania private komunikoi me mua për të marrë informacion për disa probleme teknike për të realizuar aplikimin për dokumente në konsullatat tona në Greqi. Mendoj se problemi është vënë në rrugën e zgjidhjes.
Intervistoi: Jakup Gjoça
No comments:
Post a Comment