Kryetari i shoqatës Kombëtare e të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, Rrapo Danushi kërkon që Parlamenti Shqiptar të analizojë me përparësi faktin se anarkia e pronës, e filluar me ligjin 7501 pas vitit 1991, po e shkatërron Shqipërinë! “Duhet analizuar pse qëndrojnë të verbër para realitetit jo vetëm oligarkia e politikanëve shqiptarë por dhe ambasadorët dhe përfaqësuesit
e institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri. Kemi të bëjmë me agjentë, influenca agjenturore, korrupsion apo çfarë? Këtë le ta studiojnë specialistët dhe analistët e politikës dhe të SHISH”, thuhet në letrën e kësaj shoqate drejtuar ambasadorëve të huaj në vendin tonë si dhe ndërkombëtarëve. Duke iu drejtuar konkretisht ambasadorit amerikan John Uithers dhe Helmuth Lohan, si përfaqësues i Bashkimit Evropian, përfaqësuesit e “Pronësi me Drejtësi”, kërkojnë përgjigjen e disa prej problemeve që i shqetësojnë. “Sa jetë njerëzish më shumë do të duhet të vyshken për shkak të abuzimit kriminal të pronave, sa dekada më shumë abuzimi kriminal me pronën do të duhet të kalojnë, sa më shumë do të duhet të pasurohen abuzivisht klasa politike dhe ata që janë mbrapa tyre dhe sa më shumë do të duhet të rrënohet klasa e pronarëve të vërtetë e të ndershëm, esnafëve, intelektualeve, patriotëve, etj., sa më i gjatë do të duhet të jetë vargu i gjeneratave të shitblerjeve abuzive, ilegale dhe antikonstitucionale të pronave, sa më i lartë do të duhet të jetë niveli i korrupsionit të ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit për shkak të abuzimeve me pronën, sa me thellë do të duhet të futen në konflikt social shqiptarët me njeri tjetrin për shkak të pronës që ju të ndërhyni për të thënë fjalën tuaj për këtë çështje kaq vitale për një komb dhe shtet?”, thuhet ndër të tjera në këtë letër. Kombëtare e të Shpronësuarve ”Pronësi me Drejtësi”, Shoqata ”Bregdeti”, akademikët dhe intelektualët e shumtë, prej shumë vitesh dhe shpeshherë edhe në mënyrë publike, kanë kritikuar se si politikanët shqiptarë, duke e trajtuar pronën e konfiskuar nga komunizmi si pasuri në interes të klaneve të politikës, po ecin në rrugën sllavokomuniste dhe prandaj, me apo pa koshiencë, ata po i shërbejnë interesave antikombëtare. “Nëse fillesat e anarkisë së pronës janë agjentura në kuptimin e plotë të fjalës apo thjesht influenca agjenturore, këtë ne nuk e dijmë, por ne kemi deklaruar se pas vitit 1991, antidemokracia dhe linja antikombëtare filloi me firmën e Ramiz Alisë për vazhdimin e maskuar të luftës së klasave me ligjin famëkeq, antinatyror, antinjerëzor dhe antikombëtar 7501”, vijon letra. Sipas “Pronësi me Drejtësi”, dhe SHISH pronat e zonës turistike të vendit janë përvetësuar nga politikanët që janë ndarë në disa parti dhe vetëquhen të majtë apo të djathtë, por të gjithë vazhdojnë luftën e klasave me pronarët e ligjshëm. “Ne kemi kërkuar që zgjidhja të jetë kthimi fizik, duke respektuar të drejtën e pronës dhe origjinën e saj, dhe kompesim, sipas rastit, le tu jepet personave të tretë që në këto vite kanë abuzuar me pronat tona. Për ta përkeqësuar situatën e anarkisë së pronës dhe të korrupsionit në administratën shtetërore janë miratuar edhe ligje që legalizojnë ndërtimet e paligjshme në tokën e pronarit të vërtetë”, përfundon letra.
(Gazeta Sot)
No comments:
Post a Comment