Monday, December 06, 2010

Edhe një përgjigje tjetër ndaj shpifjeve këmbëngulëse.


Anastas Janullatos

Ortodoksia shqiptare, Kisha dhe identiteti i saj është tema e polemikës që ka nisur prej kohësh në “Gazetën Shqiptare” mes kryepeshkopit ortodoks, Janullatos dhe historianit Kristo Frashëri. Në këtë numër, kryepeshkopi i përgjigjet Frashërit për disa pikëpyetje të ngritura prej tij për rolin e Janullatosit në Kishën shqiptare.

Ndiej keqardhje, që për herë të tretë jam i detyruar, të zhbëj akuzat këmbëngulëse të z. Frashëri. Nëse bëhej fjalë vetëm për shpifje dhe fyerje të adresuara ndaj personit tim, nuk do të isha përgjigjur më. Por me ato që mbështet z. Frashëri synon të verë në dyshim kanonicitetin dhe ligjshmërinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të një komuniteti në të cilin bëjnë pjesë qindra mijëra besimtarë. Për më tepër, sulmi i tij shtrihet edhe ndaj Patriarkanës Ekumenike.
Le të supozojmë për një çast- duke e marrë si hipotezë- se ka vlerë teoria e tij jo e vërtetë që përsërit, pas 18 vitesh, se Kryepiskopi është “i paligjshëm”. Atëherë edhe të gjithë episkopët, presviterët dhe dhjakonët e shtetësisë shqiptare që ai i dorëzoi klerikë janë të paligjshëm... Sipas kësaj hipoteze nuk do të kishte sot një hierarki dhe kler kanonik shqiptar. Por nëse do të ndodhte diçka e tillë, Kisha e sotme e Shqipërisë, duke mos pasur episkopë dhe klerikë kanonikë, nuk mund të jetë “Autoqefale”. Por as edhe Kishë Orthodhokse! Kjo hipotezë tregon qartë se ku të çojnë pikëpamjet e z. historian. Ai përpiqet të vendosë një bombë artizanale me shpërthim të vonuar në ndërtesën e sotme të Kishës Orthodhokse. Këto që po paraqes nuk janë një “apologji”, siç vazhdimisht e quan z. Frashëri, thjesht po çaktivizoj mekanizmin shpërthyes të arsyetimeve dhe të akuzave të tij.

Tomosi Patriarkal për Autoqefalinë dhe Statuti i vitit 1929


1. Po e filloj me Statutin e vitit 1929. Z. Frashëri ka pohuar i sigurt, në mënyrë të përsëritur, 14 herë, se ky Statut është miratuar dhe legjitimuar nga Tomosi Patriarkal me të cilin, më 12 prill të vitit 1937, iu dha Autoqefalia Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Ai akuzon Patriarkanën Ekumenike sepse “vepron kundër Statutit të vitit 1929, që e miratoi me Tomosin e vitit 1937”! Për më tepër, na qorton: “fyet Patriarkanën që kishte miratuar Statutin e vitit 1929”. Meqë teksti në fjalë ka një rëndësi esenciale, po e paraqesim të plotë, edhe me fotokopjen e origjinalit. Siç mund të konstatojë çdo lexues, në asnjë pikë të tij nuk flitet për Statutin e vitit 1929. Pra, del shumë qartë se sa e vështirë është t’i besosh z. Frashëri.
Në përgjigjen e mëparshme, shpjegova në mënyrë të shtjelluar temën e Statutit. Theksoj përmbledhtazi se nga ana juridike, Statuti i vitit 1929 u zëvendësua përfundimisht në vitin 1950 nga Kongresi III i Përfaqësuesve Orthodhoksë. Ky kongres hartoi Statutin e ri, që në vazhdim u miratua me Dekretin nr. 1065, të 4 majit 1950 dhe u bë ligj i Shtetit Shqiptar. Por edhe ky dekret reshti së pasuri fuqi për shtetin me dekretin 4337 të 13 nëntorit 1967.
Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, nuk ndodhi një ringjallje automatike e legjislacionit ekzistues të kohës së Zogut. Nëse do të ishte bërë diçka e tillë, do t’u ishin kthyer të gjithë pronarëve, si edhe Kishës, pasuritë e tyre, dhe do të ishte ripërtërirë roli i kujdestarisë së pushtetit shtetëror mbi Kishën. Theksova (31.10.10) se në vitin 1992, në periudhën e tranzicionit politik, shteti demokratik i Shqipërisë nuk kishte ende Kushtetutë të re. Ishin votuar nga Kuvendi Pluralist “Dispozitat Kushtetuese” që nuk i referoheshin asnjë Statuti Kishtar. Në Statutin e vitit 1929 ka mjaft dispozita, që e vënë Kishën nën kontrollin e mbretit dhe të qeverisë, d.m.th., që bien ndesh me frymën e Kanoneve të Kishës Orthodhokse, si edhe me Kushtetutën demokratike të votuar në vitin 1998. Po parashtrojmë dy nene të tij: Në nenin 15 të Statutit të vitit 1929, thuhet: “Në rast që Kryepishkopi i zgjedhur prej Sinodhit nuk pëlqehet prej Mbretit, Sinodhi detyrohet të zgjedhë një tjetër, të cilin ia paraqet Mbretit për pëlqim dhe dekretim”. Paragrafi 3 i nenit 21 shkruan: “Për shkaqe të jashtëzakonshme të sqaruara drejtpërsëdrejti e me Dekret Mbretëror, Kryepishkopi, Peshkopët dhe Ikonomi i Math Mitrofor,... largohen me një herë nga detyra me dekret Mbretëror”. Pra, është një Kishë robinjë e vullnetit dhe arbitraritetit të pushtetarit më të lartë të vendit e madje të mbretit të një besimi tjetër. Z. Frashëri ka nostalgji për një autoqefali të këtij lloji dhe ai do që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë të ecë në bazë të këtij Statuti në periudhën e re të demokracisë, e nënshtruar ndaj pushtetit të kësaj bote dhe madje ndaj pushtetarëve jo orthodhoksë. Por këto dekrete janë në kundërshtim absolut me Kanonet e Shenjta të Orthodhoksisë dhe me konceptin e Autoqefalisë, që përjashton çdo ndërhyrje të cilitdo pushteti jashtë strukturave të Kishës Orthodhokse. Fatmirësisht, rrjedha e kohës ka përjashtuar një mundësi të tillë.

Pak ditë pas Tomosit Patriarkal dhe Sinodik të 12 prillit 1937, Patriarkana Ekumenike njoftoi me Letra Kishat e tjera Orthodhokse Autoqefale. Shembull për këtë është letra e 19 prillit 1937, drejtuar Kishës së Serbisë dhe Rumanisë ku thuhet se Patriarkana Ekumenike ndërmori organizimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri në tërësinë e saj, pa dallime racore dhe se të gjitha komunitetet në Shqipëri, pavarësisht etnisë së tyre do të shijojnë po të njëjtat kushte për t’u zhvilluar nga ana kishtare dhe se do të kenë të njëjtat të drejta të cilat Kisha u përpoq t’i sanksionojë zyrtarisht në marrëveshjen e saj me Qeverinë e nderuar mbretërore të Shqipërisë...”. Me shpalljen e Autoqefalisë nga Patriarkana Ekumenike, të gjithë anëtarët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (shqiptarë, grekë, arumunë, sllavë etj.) “kanë të njëjtat të drejta pa asnjë dallim etnik”.

Nga ana kishtare, Tomosi Patriarkal dhe Sinodik për Autoqefalinë përbën themel të ri, për Kishën e Shqipërisë dhe në mënyrë indirekte mënjanon esencialisht Statutin e vitit 1929. Nuk njeh se ka ekzistuar “Kishë Autoqefale” kanonike përpara vitit 1937. Tomosi për Autoqefalinë, e theksojmë përsëri këtë gjë, vë një themel të ri kanonik dhe të vlefshëm. Është e qartë, se nuk do të jepte diçka, të cilën e njihte se kishte ekzistuar më parë. Që të jepej Autoqefalia, Kryepiskopi Visarion u detyrua të dorëhiqet (maj 1936), e u zgjodh një Sinod i Ri në Konstandinopojë nga Patriarkana Ekumenike në fillim të prillit 1937. Njëkohësisht me Tomosin, më 12 prill 1937, u dërgua “Letër patriarkale dhe sinodike për grigjën orthodhokse në Shqipëri”, ku ajo u njoftua për ngjarjet e mësipërme dhe ku iu kërkua popullit orthodhoks të Shqipërisë të qëndrojë me besim rreth Sinodit të Shenjtë. Nuk i referohet asnjë votimi të mëparshëm të popullit dhe as e kërkon një gjë të tillë.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, duke iu përgjigjur kushteve të reja të shoqërisë shqiptare, e votuar në vitin 1998, përcaktoi karakterin “laik’ të shtetit dhe me dy nene të saj (neni 10 dhe 24), sanksionoi plotësisht lirinë fetare dhe pavarësinë e komuniteteve fetare. Në këtë mënyrë, bazuar në nenin 10, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bashkë me komunitetet e tjera fetare të vendit, njihet si person juridik dhe është e pavarur për sa i takon administrimit dhe përdorimit të pasurisë së saj “sipas parimeve, ligjeve dhe kanuneve të saj”. Siç e shpjegova, si rrjedhojë pas ardhjes së demokracisë në vitin 1993 u bë një Kongres dhe së fundmi, në vitin 2006 u bë një Asamble tjetër me 257 pjesëmarrës, që miratoi Statutin e ri mbështetur në Kushtetutën e vitit 1998, ku morën pjesë midis të tjerëve, edhe të gjithë klerikët. Sot marrëdhëniet midis Shtetit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë mbështeten mbi nenet e lartpërmendura 10 dhe 24 të Kushtetutës shqiptare dhe rregullohen me hollësi nga “Marrëveshja midis Këshillit të Ministrave dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”. Kjo marrëveshje, pasi u ratifikua në Kuvendin e Shqipërisë, u bë, e theksoj këtë gjë, ligj i shtetit nr. 10057 / 22.1.2009.

ZGJEDHJA, FRONËZIMI DHE PATRIARKANA EKUMENIKE


2. Ndërsa për sa i takon çështjes së vlefshmërisë së zgjedhjes dhe të fronëzimit, z. Frashëri iu rikthehet, duke përsëritur po të njëjtat fjalë si në artikujt e mëparshëm, duke këmbëngulur te mendimi i gabuar se nuk u respektuan kanonet. Po cilat kanone? Është e pavërtetë se më 2.8.1992 u pyetën “besimtarët e ndodhur aty, nëse pranonin ose jo”. Gjithashtu të tjerë kanë bërë përshkrimin e asaj dite me hollësi. Unë po i hyj thelbit, anës nomokanonike dhe dua të nënvizoj se thirrja e termit “anaksios” nga cilido grup nuk sjell kurrfarë pavlefshmërie as të zgjedhjes dhe as të fronëzimit. Asnjë Kanon kishtar nuk thotë apo nënkupton diçka të tillë. I solla z. Frashëri referenca për vepra themeltare të së Drejtës kanonike. Por ai nuk e di pse përsërit dhe rithotë në mënyrë monotone teorinë e tij të fabrikuar. (Më hollësisht për këtë temë shih Gazetën Shqiptare 31.10.2010).


Ai mbështet tezën se në vitin 1991 ekzistonte Kishë Autoqefale meqë ekzistonin disa grupe besimtarësh që i kishin mbijetuar persekutimit të sistemit të mëparshëm. Sipas së Drejtës kanonike të Kishës Orthodhokse, pa praninë e episkopit nuk mund të ekzistojë as episkopata e për më tepër as Kishë lokale autoqefale. Realiteti kishtar i vitit 1991, siç është e ditur, ishte gërmadhë dhe vetëm gërmadhë, varfëri dhe braktisje. Çdo element pasurie ishte konfiskuar nga shteti. Të vërtetën që parashtrova e njohin të gjitha Kishat Orthodhokse në botë. “Përrallë e pahijshme” janë pra, sa z. Frashëri thotë në mënyrë arbitrare, pa pasur njohje dhe mbështetje. Më në fund, le ta kuptojë edhe njëherë, se nuk ka të drejtë të japë mendime për të Drejtën Kanonike të Kishës Orthodhokse sidomos me njohjet e pakta dhe të pjesshme që disponon.

3. Në shënjestër të z. Frashëri kësaj radhe shtohet edhe Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës dhe Patriarku i sotëm Ekumenik Vartholomeu, një figurë e madhe, e vlerësuar jo vetëm në botën orthodhokse, por edhe në mbarë botën e krishterë e jo të krishterë. Ai është i njohur për formimin e tij theologjik dhe gjykimin e drejtë, dhe për më tepër është doktor i së Drejtës Kanonike i Universitetit të famshëm Gregorian të Romës. Pra z. Frashëri i jep këshilla Patriarkut se çfarë duhet të bënte dhe e qorton për gjoja shkeljet e ndodhura. Komentet janë të tepërta. Patriarkana Ekumenike, për 16 shekuj, është një institucion mbarëbotëror, i pavarur, garantues; nuk është zmbrapsur para kërkesave nacionaliste - as të Qeverisë së Greqisë dhe as të Kishës së Greqisë dhe të asnjë vendi tjetër. Ca më shumë nuk zmbrapset përpara teorive të pasakta të njerëzve që nuk kanë lidhje me çështjet kishtare.

Kur Kisha e Shqipërisë ishte shpërbërë plotësisht, pas persekutimit të egër, vetë autoriteti kishtar, Patriarkana Ekumenike, që kishte dhënë Tomosin e Autoqefalisë, mori me shpejtësi iniciativa të reja për të restauruar Autoqefalinë, duke zgjedhur një udhëheqje të re kishtare. (Shih përshkrimin analitik të ngjarjeve në përgjigjen time të mëparshme). Këtu duhet të theksojmë edhe një herë se Sinodi i Parë Kanonik i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në prill 1937, u zgjodh në Kostandinopojë nga Patriarkana Ekumenike.
Z. Frashëri pyet veten përse një ndërhyrje e ngjashme nuk u bë në Kishat e tjera Orthodhokse, që kishin pësuar persekutimin komunist. Përgjigjja është e thjeshtë. Kishat e tjera të Rusisë, Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë etj., nuk reshtën së pasuri Sinod të Shenjtë kanonik dhe episkopë dhe, klerikët e këtyre vendeve nuk u ndaluan të kryejnë Liturgjinë Hyjnore. Në Shqipëri u ndalua çdo shprehje e jetës së Kishës për 23 vite. Nuk u ruajtën as Sinodi dhe as episkopët. Grupet e vogla të paorganizuara të besimtarëve, që ekzistonin në vitin 1991 pa episkop, nuk përbënin “Kishën e gjallë Autoqefale”. Është parim kishtar bazë se pa episkopin nuk ekziston Kisha. Nëse do të kishte ekzistuar qoftë edhe një episkop, procesi i rindërtimit të Kishës do të ishte i ndryshëm.
Pra, i vetmi tekst kishtar serioz, i njohur nga Orthodhoksia në mbarë botën dhe që kishte autoritet kanonik për periudhën e tranzicionit 1991-1992, ishte Tomosi i Patriarkanës Ekumenike mbi Autoqefalinë dhe Kanonet e Shenjta. Në bazë të këtyre u ringrit Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në themele të forta kanonike dhe për këtë arsye sot njihet nga të gjitha Kishat e tjera Orthodhokse të botës.
KISHA E SHQIPËRISË, MARRËDHËNIET, BURIMET

4. Z. Frashëri këmbëngul të shikojë Greqinë si vend armik dhe çdokënd që lidhet me atë si të rrezikshëm. Ai ngatërron me të sotmen eksperiencat familjare traumatike të Luftës së Parë Botërore dhe shikon si “nepërka” kryepriftërinjtë e priftërinjtë që vijnë nga Greqia. Me fraza nënçmuese, kultivon dyshimin dhe armiqësinë. Në këtë përpjekje të tij ai rreket të përfshijë edhe Kryepiskopin. Nuk merr në konsideratë shtrirjen bashkëkohore të marrëdhënieve greko-shqiptare (investimet në fusha të ndryshme të industrisë, shëndetit, qindra mijë shqiptarë që punojnë në Greqi, bashkëpunimin në NATO, rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian etj.), por sjell në kujtesë klimën e epokave më të vjetra. Nga sa kam dijeni, qeveritë dhe partitë e mëdha politike, si të Shqipërisë ashtu edhe të Greqisë, theksojnë, në kundërshtim me këtë teori, se marrëdhëniet midis dy vendeve janë miqësore deri në të shkëlqyera. Sigurisht, nuk mungojnë grupet, që ngulin këmbë në kundërshti dhe armiqësi. Unë, e kam deklaruar në mënyrë të përsëritur, se besoj me fjalë dhe vepra që rruga e vetme për të ardhmen është bashkëpunimi i sinqertë dhe solidariteti i popujve fqinjë. Kurrë nuk kam menduar asgjë kundër integritetit dhe dinjitetit të ndonjë vendi. Jam i sigurt se vetëm ata që punojnë sinqerisht për kultivimin e respektit të ndërsjellë, miqësisë dhe mirëkuptimit, kontribuojnë esencialisht në bashkëjetesën paqësore dhe në progresin midis dy vendeve.


5. Z. Frashëri deklaron se shqetësohet sepse “në bashkëpunim me Patriarkun e sotëm të Konstandinopojës Vartholome shkelëm Autoqefalinë e KOASH dhe se ajo u kthye në një Kishë Autoqefale Greke në Shqipëri”. Askush nuk duhet të ketë edhe shqetësimin më të vogël për një gjë të tillë. Për 19 vite me radhë, luftova me përpjekje të mundimshme dhe të vazhdueshme për arsimimin e klerikëve të shtetësisë shqiptare, si kuadro të Kishës sonë dhe për përgatitjen e tyre që të përballojnë të ardhmen. Tre episkopët, tre arkimandritët, 130 priftërinj, presviterë dhe dhjakonë, që përbëjnë klerin e sotëm, rreth 750 nëpunës që punojnë në sektorë të ndryshëm të Kishës, shkolla, klinika etj. dhe qindra mijëra qytetarë shqiptarë që mbushin kishat, tregojnë në mënyrën më të qartë se sa i pabazuar është ky shqetësim. Sa për shtetasit grekë që shërbejnë sot në Shqipëri, përveç Kryepiskopit janë vetëm katër klerikë të tjerë, e katër gra. Gjithashtu ndihmojnë katër gra amerikane dhe dy amerikanë laikë. Z. Frashëri le të shqyrtojë se sa qindra të huaj, nga vende të afërta e të largëta punojnë për komunitetet e tjera fetare.

U përpoqëm tok me bashkëpunëtorët e mi, vendas dhe të huaj, që nga gërmadhat të ringremë, të organizojmë dhe të zhvillojmë Kishën lokale, me veprimtari të gjera sociale, me të vetmin qëllim për t’i dorëzuar stafetën brezit të ri të klerikëve shqiptarë, të cilët do t’ia dalin mbanë të mbijetojnë dhe të durojnë presionet dhe vështirësitë e shumëllojta të së ardhmes.

6. Sa i takon ndihmës ekonomike që ka ardhur nga jashtë, nuk përbën sekret dhe z. Frashëri ndërmerr të na e zbulojë gjoja këtë të fshehtë. Gjatë gjithë këtyre 19 viteve të vështira, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë kishte burime financiare të pakta, por u përball me nevoja direkte jashtëzakonisht të mëdha për mbijetesë, për mbajtjen e klerikëve dhe të organeve të tjera administrative, si dhe të programeve që ka zhvilluar. Për të gjitha këto, falë autoritetit ndërkombëtar të Kryepiskopit janë mbledhur shumë ndihma nga vende të ndryshme- Amerika, Greqia, Australia, Turqia, Danimarka, Gjermania, Zvicra, Holanda etj. Sigurisht, më shumë të njohur dhe miq i kemi në Greqi. P.sh një besimtar i thjeshtë na dhuroi tërë pasurinë e tij- 3,5 milionë euro. Kryepiskopi, është kthyer në një magnet dhe urë që të vijnë dhurata prej miliona eurosh dhe dollarësh. Me këto burime ekonomike janë lehtësuar dhe vazhdojnë të lehtësohen mijëra njerëz të vuajtur, studiojnë të rinj, shërohen të sëmurë. Gjithashtu janë vënë në dispozicion jo vetëm të infrastrukturës kishtare, por edhe më gjerë, për veprën sociale në Shqipëri. Kujtoj edhe një herë se gjatë krizës së vitit 1999, nëpërmjet Këshillit Botëror të Kishave dhe Konferencës Evropian të Kishave, në të cilat bëjmë pjesë, arritëm të grumbullojmë 12.000.000 dollarë me të cilat ndihmuam rreth 33.000 refugjatë nga Kosova.

Përveç kësaj vepre të shumanshme, të cilën e kemi treguar në një rast tjetër, ekziston një kontribut i qartë në të gjithë ekonominë e Shqipërisë. Me mijëra njerëz kanë gjetur punë, paguhen taksat, fuqizohet ekonomia. Në vend të falënderimit dhe të mirënjohjes, disa ndërmarrin të na akuzojnë edhe për këto gjëra. Ata që kanë njohuri, e dinë mirë, por edhe populli i thjeshtë e kupton fare mirë, se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën drejtimin e Kryepiskopit, pa dyshim i ka bërë mirë vendit dhe ka ndihmuar në progresin e tij.


PASAKTËSI DHE TË DHËNA TË PABAZUARA NË HISTORI


7. Ekzistojnë edhe shumë pika të pasakta dhe të pabazuara në tekstet e z. Frashëri, me dalje të gjata jashtë teme, si dhe shumë pasaktësi historike, tek të cilat po të zgjeroheshim, do të na nevojiteshin shumë faqe. Në përgjigjen time të mëparshme nënvizova shumë pasaktësi (në emra dhe në kronologji) që e ekspozojnë historianin. Gjithashtu kam shkruar (31.10.10) “Një përfaqësi kleriko-laike vizitoi Patriarkanën Ekumenike 5-8.6.1992”. Z. Frashëri e shtrembëron informacionin dhe komenton: “A mund të quhet si përfaqësi një komision i përbërë vetëm nga dy persona nga të cilët askush nuk ishte klerik”. Në përfaqësinë që u zgjodh nga Këshilli i Përgjithshëm Kishtar morën pjesë përveç dy laikëve, edhe tre klerikë (atë Kozma Qirio, atë Gaqi Petri dhe atë Joan Trebicka).

Në një pikë tjetër prezanton një fotokopje të një teksti të sajuar nga Shërbime të çuditshme të vitit 1991-92. Me mendim të pakët kritik, nga dëshmitë e brendshme të këtij teksti çdo studiues serioz është në gjendje të kuptojë se sa pa lidhje dhe i pavërtetë është. Dhe sigurisht, nuk u realizuan kurrë dhe nuk u vërtetuan parashikimet e tij. Sa i takon gjoja fyerjes së z. Frashëri nga Kryepiskopi, ato që mbështet ai me aq inat, janë ato që e fyejnë në të vërtetë. Unë thjesht sa i nxjerr në pah. Ai, papritur, nisi kundër meje një ligjëratë fyerjesh të palejueshme. Si kryetar i Komunitetit Orthodhoks, që sulmohet pa të drejtë kohët e fundit nga qarqe të ndryshme, fakt që si përfundim minon vetë harmoninë ndërfetare, kam detyrimin ta mbroj duke zbuluar të vërtetën. Gjithashtu isha i detyruar duke theksuar kompetencën time shkencore dhe theologjike- gjë që ai e kishte lënë në harresë me nënvlerësim - që të qartësoja të vërtetën.
Z. Frashëri, i cili për shumë vite pati marrëdhënie të mira deri miqësore me ne, pohoi se dyshimet e tij të para u zgjuan pas deklaratës sime për vrasjen e Aristotel Gumës, në të cilën bëra thirrje “për përgjegjshmëri dhe shmangie të vetëgjyqësisë” (Shih tekstin e plotë në përgjigjen time të mëparshme). Dhe përsëri ai ngul këmbë se “vajtuat publikisht për fatkeqin A. Guma si për një martir helenorthodhoks”. Diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Pas kësaj ndërmori të mbyllë me dhunë gojën e kryepiskopit dhe ta varrosë historikisht me shpifje të panumërta dhe keqinformim të qëllimshëm të publikut. Në 81 vitet e jetës sime, të jetuar në vende dhe kushte të ndryshme, nuk kam dëgjuar dhe as kam lexuar ndonjëherë fyerje të tilla kaq personale. Me këtë rast, dua të theksoj se nuk ruaj asnjë “ndjenjë të keqe” për z. Frashëri, personalisht e kam falur.

Dy prova të fundit për të njohur shkallën e pabesueshmërisë së z. Frashëri lidhen: e para me emrin e gazetarit të njohur të një gazete me emër të Athinës To Vima e zonjës Maria Antoniadhu. Z. Frashëri, me cilësinë e tij si historian, përshpejton të sigurojë se “zonja Antoniadhu, e cila dyshoj se nuk është greke, por shqiptare - nga familja e njohur shqiptare himarjote Andoni dhe si grekomane ka ndërruar dhe mbiemrin, dhe së bashku me mbiemrin ka ndërruar edhe ndërgjegjjen. !!”. Por ajo dhe sa e njohin atë, qeshin me këtë gjetje historike. Sepse është gjerësisht e njohur nga të gjithë se familja e saj e ka origjinën nga Ponti i Azisë së Vogël.

Por aty ku z. Frashëri kapërcen çdo cak të seriozitetit shkencor është se del në përfundimin që Patriarkana Ekumenike duhet”ta mbronte këtë parim të bekuar nga Krishti në bazë të porosisë që ai u dha apostujve të vet për të krijuar në çdo komb kishat e veta”. Çdo i krishterë i edukuar mund të shikojë nivelin e besueshmërisë të historianit në lidhje me teologjinë biblike dhe historinë kishtare.

Nuk do të zgjerohem më tepër në pika të veçanta. Nuk mendoj se ka më shumë kuptim të zgjas diskutimin dhe parashtrimin e argumenteve të kundërta. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, lavdi Zotit, është rindërtuar krejtësisht nga gërmadhat, në të cilat e kishte katandisur regjimi ateist. Ajo zhvillohet në mënyrë krijuese, me përpjekje të vazhdueshme, duke ngushëlluar popullin dhe duke lehtësuar dhimbjen njerëzore. Në këtë vepër Kryepiskopi ka përkushtuar të gjitha fuqitë e tij dhe përpiqet për 19 vjet me radhë, duke marrë pjesë në mundimet, privimet dhe vuajtjet e popullit. Kisha e sotme Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka kultivuar marrëdhënie të përzemërta me komunitetet e tjera fetare, duke kontribuuar në simbiozën harmonike të shoqërisë shqiptare. Gjithashtu kultivon marrëdhënie miqësore me Kishat e vendeve fqinjë dhe në përgjithësi, me botën e krishterë. Punon për fuqizimin e miqësisë dhe solidaritetit midis popujve të Ballkanit dhe kontribuon në përgjithësi në lartësimin e shoqërisë dhe në përparimin e Shqipërisë.

No comments: