Friday, January 14, 2011

Shtypi shqiptar ne skanerin e Mustafa Nanos

http://www.respublica.al/mat.php?idm=510&idr=174&lang=1

Shtypi skandaloz dhe skandalet e shtetit


Sot, me t’u zgjuar në orën 11.00 (kam një regjim prej gazetari: flej vonë e zgjohem vonë), si kurrë më parë, bleva më shumë se gjysmën e gazetave (në fakt, të gjitha gazetat më kryesore, gjithë-gjithë nja 10), me synimin për të parë reagimin e atyre që, në teori të paktën, do të duhej të përfaqësonin interesin e opinionit publik me qëndrimet e mbajtura ndaj scoop-it të mbrëmshëm të transmetuar nga programi Fiks Fare në televizionin Top-channel. Po përpara se t’u hidhja një sy, hapa televizorin. Në kanalin News 24 transmetohej live mbledhja e qeverisë. Dhe tani është radha për të qeshur (apo për të qarë? Apo për të marrë malet?): Berisha, ky njeri që bën si i sëmurë psikik në mënyrë që ne t’mos merremi me ndyrësitë e tjera të mëdha, po fliste për mbjellje ullinjsh. Në krah të tij, Ilir Meta po bënte sikur po lexonte diçka në lap-top-in që kish përballë. Të dy e injoruan atë që kish ndodhur, e për të cilën nuk ka shqiptar që nuk flet në këto orë të ditës së sotme. E fika televizorin në panik. Kisha frikë se mund të lajthisja.

Po kthehem tek shtypi. Mendja ma thoshte, se të gjitha të përditshmet do ishin fokusuar gjerë e gjatë tek ky skandal. “Kanë pasur dhe kohë në dispozicion”, mendoja, “pasi biseda e përgjuar u transmetua nga ora 20.00 deri në orën 20.30 të ditës së djeshme”. E vërteta është se e kisha marrë një goditje përpara mëngjesit të sotëm. Dy televizione nacionale kishin heshtur lidhur me këtë lajm. Televizioni shqiptar, dhe TV Klan-i, nuk folën fare për skandalin as on air, as on line. Nuk folën as për reagimin “kurajoz” (lexo: të paturp e idiot) të LSI-së, në të cilin thuhej, se gjithçka ishte montim, dhe se LSI-ja, tok me Ilir Metën, do vijonin të luftonin korrupsionin. Nuk folën as që Lulzim Basha i ka bërë një vizitë në zyrë zv.kryeministrit, bash në atë zyrë, ku ky i fundit demonstronte se si i gjithë sistemi është po aq i sëmurë dhe i korruptuar, sa dhe ai vetë, tok me boss-in e tij “të ullinjve”.

Ç’thoshin të përditshmet? Po i marr me radhë, siç janë në dëngun që më ka dhënë gazetashitësi. Gazeta e sotme Shqip hapej me titullin “Korrupsioni në krye të shtetit”. Siç shihet, nuk është një titull neutral. Përkundrazi, është një qëndrim i fortë, që theksohej edhe nga fotoja flou e marrë nga materiali filmik, ku lexoheshin titrat: Meta – për hidrocentralin mbaroje sot që të jenë gati. Në faqen 2 dhe 3 jepej e tërë biseda e zbardhur, me gërma të mëdha e me foto që zinin të dy faqet. Në faqen 4 jepeshin opinionet e disa politikanëve të opozitës.

Gazeta Shqiptare ish mjaftuar thjesht me një njoftim në faqe të parë, që mbyllej brenda një kuadrati të vogël. Mbi foton, që tregonte Metën e Priftin duke biseduar, lexohej reagimi i LSI-së: “çimka që shpifi”; ndërsa poshtë fotos, me gërma tepër të vogla, lexohej titulli i lajmit: Fiksi denoncon “aferat” Meta-Prifti. Fjalën “aferat” nuk është se po e fus unë në thonjëza; jo, jo, e kish vendosur vetë gazeta. Dhe këto thonjëza janë baras me një qëndrim; thonjëzat janë hije dyshimi mbi materialin e Fiksit. I dini dy lajmet kryesore të Gazetës Shqiptare? Njëri, ai më kryesori, thosh se “Gjinushi është për bojkot institucionesh”, ndërsa tjetri bënte fjalë për një skandal provimesh tek Mjekësia. Lajmi i Fiksit zhvillohet në faqen 7, ku përveç materialit të zbardhur, ishte dhe reagimi i LSI-së dhe i PS-së.

Panorama, për befasinë e atyre që kanë pritur një trajtim të maskuar të ngjarjes, e kishin lajm kryesor. Ky lajm nuk ish shoqëruar me foto në faqe të parë, por titulli ishte me gërma të mëdha. Ndërsa me lajmin merreshin në faqen 2 dhe 3, në të cilat binte në sy e gjithë biseda e transkriptuar, reagimi i LSI-së, dhe një numur fotosh.

Gazeta MAPO kish nxjerrë mirë në evidencë lajmin: katër foto nga takimi sleazy Meta-Prifti ishin ngjeshur brenda një kuadrati, në çdo foto kish titra me mesazhe të kripura nga biseda, në krye ish titulli “Përgjimi”, e poshtë kuadratit me foto ish titulli kryesor “Video në zyrën e Priftit, zbardhet biseda Meta-Prifti”. Titujt janë shumë neutralë, por mënyra e faqosjes, tok me zhvillimin e lajmit në faqet 2 e 3, ishin një fshikull për zv.kryeministrin (është ende kryeministër ky bandill? Hej, kjo është pyetja ime; s’ka lidhje me MAPO-n).

Shekulli e kish vlerësuar aq shumë lajmin, sa kish ndryshuar dhe faqosjen e faqes së parë. Një numur fotosh të Berishës e të Metës të lidhura në mënyrë disi të shkujdesur ishin poshtë titullit të fortë “Videoja e hajdutërisë”. Në faqen 2 dhe 3 kish gjithashtu foto të shumta, ndërsa lajmi zhvillohej i përzjerë me komente e qëndrime. Ashtu si dhe Tema, e cila luante në mënyrë spektakolare me foton e madhe të Ilir Metës, mbi të cilën ishte stampuar me gërma të mëdha të kuqe fjala “hajdut”.

Standardi e kish lajm kryesor në faqe të parë, por nuk i kish kushtuar ndonjë vëmendje të madhe në faqet e brendshme. Merrej me scoop-in vetëm në 4/5 e faqes 5. Tirana Observer e njoftonte skandalin në faqe të parë, në një kënd të parëndësishëm, dhe ç’është më e veçanta, titullin nuk e kishin nxjerrë nga lajmi, por nga reagimi i LSI-së: “Video është montazh, Prifti është pjellë e krimit të organizuar”. Në faqe të dytë zhvillohej i njëjti lajm, dmth reagimi i LSI-së. Ndërsa të gjithë faqen 3 e zinin me një intervistë të një djali me mbiemrin Çela, i cili është, sipas gazetës, sekretari i LSI-së për marrëdhëniet me publikun. Gazeta Ballkan e trajtonte lajmin qartë në faqen 4, por në mënyrë të çuditshme nuk i linte vend të mirë në “skenën” e faqes së parë. Vetëm kjo gazetë ka dalë me titull aq të vogël e të fshehur në faqen e parë, s’ka gjë se titulli i lajmit është bajagi i qartë: Meta-prifti, korrupsioni 700 mijë euro. Dhe në fund vjen gazeta Koha Jonë, e cila i jep vend kryesor ngjarjes, vetëm se këtë të fundit e sheh me kokëposhtë, dmth mbititulli është “videoja është e montuar”, titulli është “Prifti përgjon Metën, ndërsa Meta denoncon montazhin”, dhe nënntitulli është “LSI-ja reagon kundër çimkës”.

Çfarë rezulton nga kjo pasqyrë e shtypit? Përfundimet jeni të lirë t’i nxirrni vetë.

No comments: