Kohët e fundit nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka hapur një kryqëzatë në mbrojtje të kombit duke na denoncuar ndonja njëmijë e pesëqind raste ku gjykatat e Jugut na paskan vendosur për ndërrimin, sipas tij, të "kombësisë" së shqiptarëve duke i bërë ata grekë. Jo vetëm mediat elektronike, por edhe gazetat, u mbushën me këtë lajm - duke na e paraqitur nënkryetarin si një shpëtimtar të kombit.
Nuk mund të mos të të bjerë në sy se, ndërkaq, zërin e Spahiut nuk e kemi parë të ngrihet thuajse asfare me ndonjë reagim të krahasueshëm me këtë - mesa e kam ndjekur shtypin dhe lajmet - ndaj dështimit të gjyqit të Gërdecit ku njëzeteshtatë shqiptarë vdiqën nga një krim i shëmtuar i patriotëve që kemi në krye të qeverisë, dhe u vranë për së dyti nga drejtësia që kryeson Kreshnik Spahiu.
A ka ndonjë lidhje me njëra tjetrën Gërdeci me kombësinë? Për mua kanë sepse këto alarme për ruajtjen e kombit më duken gjithnjë e më shpesh si një gjethe fiku për të mbuluar punën e turpshme të institucioneve tona ndër ta edhe të drejtësisë.
Së pari duhet vënë në pah se në tërë këtë propagandë mungon një shpjegim shumë i thjeshtë që një juristi si Spahiu i takon ta bëjë në vend se të bëjë manifestimie pseudopatriotike nëpër vend. E kam fjalën për atë se ajo që Spahiu e quan "kombësi" në pjesën më të madhe të shteteve perëndimore ka kuptimin e "shtetësisë" dmth. të përcaktimit të asaj se qytetar i cilit shtet - komb je, çka është identiteti kryesor i tij. Ndërsa ajo që ai e quan "kombësi' është më afër (nëse jo sinonim) i përkatësisë etnolinguistike apo shkurt i "etnisë" së një individi dhe ndryshimi është shumë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për atë se cila është parësore. Në shtetet kombe parësore është shtetësia aq sa thuhet se është pikërisht ajo që përcakton edhe atë që e quajmë ndryshe identitet kombëtar, apo kombësi. Megjithatë nuk dua të hy në hollësitë e këtij debati jo thjesht gjuhësor që mbetet gjithsesi i hapur jo vetëm tek ne (e kam trajtuar para disa kohësh edhe në një debat me Shkëlzen Maliqin). Ajo që dua të theksoj është se shtetësinë/kombësinë në kuptimin që i dhashë e që mendoj se është më i drejti nuk ta ndryshon dot një gjykatë, sepse që ta ndryshosh atë do të duhet më së pari të kesh të siguruar një shtetësi/kombësi tjetër e të lesh këtë tënden (siç është psh. rasti nëse do të bëhesh qytetar gjerman) apo mund ta shtosh si të dytë (siç është psh. rasti nëse do të bëhesh edhe qytetar italian).
Pra, mesa duket, ajo që po ndryshojnë qytetarët në jug është përkatësia etnike, që ne e quajmë kombësi duke krijuar, kështu, një lloj konfuzioni. Me shumë gjasa, kjo lidhet ose me ndryshimin e emrave dmth. fenomenin e njohur tashmë të kthimit të emrave nga muslimanë në të krishterë për ata që duan të shkojnë të punojnë në Greqi ose me atë se një pjese (me emra muslimanë apo të krishterë) kjo u leverdis sepse shteti grek jep pensionin e famshëm prej 300 eurosh. E këtu theksoj se e gjej të turpshme për një shtet të BE si Greqia nxitjen e një ndryshimi të tillë të identitetit. Megjithatë, nga sa di unë, nga përvoja si aktivist i të drejtave të njeriut, këto dy ndryshime vështirë se ia ndalon dot kujt. Gjithkush ka të drejtë të ndryshojë emrin dhe po ashtu të deklarojë përkatësinë e tij etnike paçka se nuk njoh ndonjë ligj që ta përkufizojë këtë. Dhe, nga ana tjetër, askush nuk ka të drejtë t'i përcaktojë qytetarit një emër apo përkatësi etnike që ai nuk e pranon. Kurse kur bëhet fjalë për shtetësinë/kombësinë në kuptimin e përkatësisë në një shtet - komb, këtë nuk e përcakton dot vetë dhe as ta heqin dot sepse këtë ta përcakton shteti komb në të cilin ti bën pjesë dhe, po të duash ta heqësh, do të duhet më së pari, sikurse thashë më lart, të ta japë një shtet tjetër sepse, përndryshe, nuk qarkollon dot nëpër botë. Dhe që të jesh apo bëhesh qytetar i një shteti komb pra që të kesh apo marrësh shtetësinë/kombësinë e tij, pra edhe pasaportën e tij, kërkohen, varësisht nga shtetet, disa kushte. Mund ta kesh këtë kur njëri nga prindërit është me atë shtetësi/kombësi (jus sanguini); mund ta kesh kur ke lindur aty (jus soli); mund ta marrësh pse je i martuar (jus matrimoni), mund ta kërkosh dhe ta marrësh duke kërkuar atë që quhet ndryshe (natyralizim) ku ekziston edhe rasti, si në Austri psh., kur kjo bëhet nëse ke bërë investime të rëndësishme atje. Me fjalë të tjera ata që quhen ndryshe minoritarë grekë apo që bëhën të tillë janë e mbeten me shtetësi/kombësi shqiptare dhe mund ta marrin atë greke vetëm nga shteti grek dhe jo nga gjykatat shqiptare.
E këtu le të vijmë tek çështja që më shtyu të shkruaj këto rradhë. Nënkryetari Spahiu dhe shumë atdhetarë të tjerë si ai do të bënin mirë, meqënëse e kanë për zemër kaq shumë ruajtjen e kombit, të kërkonin një studim tjetër: sa janë ata shqiptarë që e kanë ndërruar tashmë kombësinë/shtetësinë në botë. Unë nuk e di shifrën, por më rezulton se duhet të jetë një shifër shumë shumë herë më e madhe sesa njëmijë e pesëqind. Mjaft të kesh prasysh se të gjith ata që kanë emigruar me punë e me familje prej vitesh tashmë kanë kombësinë/shtetësinë e vendeve ku jetojnë. Edhe shumica e atyre që s'e kanë marrë ende aspirojnë ta marrin këtë. Ajo që deklaroi së fundi Spahiu se shqiptarët kanë shkuar të jetojnë në Gjermani, Francë, ShBA etj. dhe kanë mbetur shqiptarë, kurse në Greqi jo, nuk është e saktë sepse në shumë nga këto vende marrja e asaj që i thonë "nationality" dmth. "kombësi" përjashton dy-shtetësinë/kombësinë. Por, megjithatë, çështja (përsa i përket interesit kombëtar) nuk është thjesht këtu, por se shumica e fëmijëve të tyre ka rrezik të kenë humbur edhe gjuhën shqipe edhe çdo interes për Shqipërië.
E këtu le të kthehemi edhe një herë tek rasti Gërdeci dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Spahiu. Sikurse nënkryetari e di mirë për çështjen Gërdeci pati një gjyq edhe në SHBA dhe, për aq sa ishte fajtor, qytetari amerikan u dënua. Kurse Gërdeci shqiptar për turp të të gjithë atyre që e quajnë veten juristë, dhe jo vetëm të atyre, mbetën pa drejtësi. Në këto kushte pyetja që i shtroj unë nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësis është: po ku do të preferonte të jetonte më mirë një njeri në një shtet ku ka drejtësi apo në një shtet ku mbretëron padrejtësia?.
Morali i fabulës që desha të tregoj, pa e zgjatur më shumë është ky: sikur Nënkryetari Këshillit të Lartë të Drejtësis (dhe shumë si ai) të bënin mirë punën e tyre, atë për të cilën edhe paguhen nga taksapaguesi shqiptar, do të kontribuonin shumë më tepër për të na e bërë të pazëvendësueshëm vendin ku "kemi lerë" sesa duke i venë punës së tyre të keqe gjethe fiku me dokrra patriotike. (Panorama, 19 shkurt 2011)
No comments:
Post a Comment