Të djathtë e të majtë, të pasur e të varfër, katundarë e punëtorë, janë të gjithë të alarmuar se regjistrimi i ri i popullsisë do ta shkatërrojë kombin shqiptar. Prandaj ky regjistrim kurrë nuk duhet të bëhet dhe kurrë nuk do të bëhet! Betohen para mikrofonave dhe kamerave jo vetëm presidentët e shoqatave dhe klubeve patriotike, jo vetëm populli i vënë në sedër, por edhe gjyqtarë sqimatarë që i njohin mirë ato që quhen standarde europiane dhe që nuk mund të jenë dyfishe: një palë për ata që e kanë tejkaluar kompleksin e antagonizmit me fqinjin dhe njëherësh të mosbesimit ndaj vetes dhe një palë për popujt me ndërgjegje politike dhe historike të vonuar.
Në të vërtetë Shqipëria gjithë këto ditë po jeton një festival të vërtetë folklori atdhetar. Dhe, sa herë që shqiptarët bëjnë festivale të tilla, gjithaq herë evokohen sherret tipike ballkanike me fqinjin jugor dhe me ata veriorë; djallëzitë e dy-treqind vjetëve më parë, pabesitë e tjetrit të kënduara si heroizma me lahutë në veri e me iso në jug. Të shumtë janë ata që betohen se Europa është ideali i tyre, pavarësisht se pikërisht Europa politike është ajo që ka njësuar standardet e regjistrimit të popullsisë, si një provë nëse mund të pretendohet së afërmi kalimi prej një bashkimi kombesh në bashkim qytetarësh.
Patriotizmi negativ, forma më e përhapur e patriotizmit ndër shqiptarët - patriotizmi që lulëzon si urrejtje ndaj tjetrit, është njësoj hipokrit si në kohërat e hershme të “luftës së ftohtë”, kur kufiri ishte dëshmitari i poshtërimit të ndërsjellë ballkanik. Realitetet politike kanë ndryshuar aq shumë pozitivisht, sa nuk kanë asnjë krahasim me këtë shkallë primitive të ndërgjegjes atdhetare, më saktë të një ndërgjegjeje atdhetare fiktive. Prej dy dekadash, pjesa më e parivlerësuar e popullsisë shqiptare, çamët e shpërngulur, vajtojnë në elegji e me retorikë pamundësinë për t’u kthyer në trojet e të parëve, për të vënë një tufë me lule në varret e tyre, për të parë me sy ç’kanë dëgjuar me veshë prej prindërve. Kufiri shqiptaro-grek nuk është më një klon me tension elektrik. Ndryshimet gjithnjë shoqërohen me episode, dhe episodet janë të papërjashtueshme, por është realitet se lëvizja e lirë e qytetarëve prej kohës së heqjes së regjimit të vizave po shkon mbarë. Por ankimi me elegji e retorikë nuk ka ndryshuar aspak dhe “këlyshi i grekut” apo “demoni Gaxojanis” janë shprehje sunduese në dialogët politikë.
Duket sikur një komplot botëror po thur fatkeqësitë më të mëdha të popullit shqiptar. Serbët kanë financuar Dick Marty-n të inkriminojë Kosovën. Grekët po e helenizojnë jugun e Shqipërisë. Me një fjalë, Shqipëria, e cila vitin e ardhshëm mbush qindvjetorin e themelimit, është në rrezik të madh! Regjistrimi do ta deformojë dhe shkatërrojë popullin shqiptar.
Për faktin e thjeshtë se regjistrimi i popullsisë shqiptare nis qysh në vitin 1431, kur dheu i Arbërit quhej “Sançaki Arvanid”; dhe ka vijuar të përsëritet në kohë të mira e të këqija: prej sundimtarëve otomanë, prej autoriteteve austro-hungareze (1918), prej shqiptarëve vetë (1923), prej qeverisë republikane, prej qeverisë mbretërore, prej komunistëve, dhe populli shqiptar këtu është e nuk ka ndryshuar ndonjë gjë as në strukturën demo-etnike, as në atë fetare.
Për herë të parë, një regjistrim i tillë është bërë në vitet 1929-1931, prej qeverisë mbretërore. Në atë regjistrim iu lejua edhe hebrenjve deklarimi i lirë si besimtarë të judaizmit, megjithëse antisemitizmi kishte arritur të pushtonte Europën. Ai regjistrim njihet si pasqyrë e vullnetit të lirë të deklarimit të shtetasve shqiptarë sipas kombësisë dhe besimit.
A mund të manipulohen shifrat dhe përqindjet e regjistrave të popullsisë deri në atë shkallë sa të deformohet struktura e popullit shqiptar? Çudia më e madhe është se askush nuk shqetësohet se mos po rritet pesha e pakicës greke në territorin e saj të njohur me Kushtetutë, apo e “pakicës së vogël” sllave në thellësi të vendit; por se mos po na helenizohet Korça, mos po na e marrin Himarën grekët, mos po vjen Greqia deri në Shkumbin, mos po ngjallen ndjenjat romantike sllave “për shtetin në formë korridori përgjatë Drinit”. Dhe kur vjen puna për statistika, del se në Korçë 60 veta kanë kërkuar ndërrim kombësie dhe se në Sarandë në një familje njëri është deklaruar shqiptar e tjetri grek. Por le të pranojmë se këto janë statistika të parakohshme, sepse regjistrimi nuk është bërë. E çfarë hataje do të ndodhë nëse në gjithë Korçën do të deklarohen jo 60, por 600 grekë? A nuk kishte dhe më shumë grekomanë në Korçë gjatë Rilindjes dhe gjatë fillimeve të shtetit shqiptar? Dhe a i shkaktoi kjo ndonjë deformim strukturës së popullit shqiptar? Tekefundit, vetë populli shqiptar ka nevojë të njohë vetveten, të verifikojë karakterin e vet, të shohë se cilët janë ata që bëjnë pragmatizëm edhe me etnicitetin apo me besimin? Do të rikrishtërohen shqiptarët, pëshpëritin disa myslimanë të devotshëm. A do ta ndryshojë kjo strukturën dhe shëndetin etnik të popullit shqiptar. Kompaktësia e një populli nuk vendoset prej shkresave. Ato nuk kanë fuqi të ndryshojnë gjenet.
No comments:
Post a Comment