Thursday, March 03, 2011

Disa pikëpyetje rreth Partisë Çame

Autori ben nje gabim:1. E quan PDNJ si parti te minoritetit grek, ne te vertete ajo perfaqeson edhe pakicat e tjera kombetare, (autori keshtu shpreh mentalitetin shqiptar kunder minoritetit grek, semundje kjo qe e kane edhe ish-presidente, diplomate e ish diplomate).

Autori thekson me te drejte se : Partia Çame po përdor, në mënyrë jo fort korrekte, një ndjesi antiminoritare që është krijuar së fundi nga problemet e regjistrimit etnik të popullsisë. (C'pune kane camet me minoritare?)...Do të ishte gabim i madh për këtë parti nëse sendërtohet sipas modelit “kundër” dhe jo sipas modelit “për

Të gjithë jemi dëshmitarë të risisë që solli krijimi i Partisë Çame, jo për faktin se nuk ekzistonin në Shqipëri parti politike me karakter etnik, por sidomos për një kundërvënie ndaj partisë tjetër me natyre etnike: Partisë së minoritetit grek: PBDNJ. Në këtë kontekst, duket se Partia çame, PDIU, po përdor me mjaft të drejtë një kërkesë legjitime për të vënë në vend një padrejtësi të madhe historike ndaj komunitetit çam me largimin nga trojet e tij në Greqi. Nga ana tjetër, Partia Çame po përdor, në mënyrë jo fort korrekte, një ndjesi antiminoritare që është krijuar së fundi nga problemet e regjistrimit etnik të popullsisë.

Partitë etnike nuk janë një risi në Europë, por një vitalitet të madh kanë fituar pas rënies së komunizmit dhe emigracionit masiv nga vendet në zhvillim drejt Perëndimit në fillim të viteve ‘80. Mjaft prej partive etnike kanë patur sukses në arenë politike të vendeve të tyre, sepse janë lidhur fort me kërkesat e grupit etnik që përfaqësojnë dhe kanë garantuar një përqindje të caktuar të elektoratit që, pak a shumë, është solide sepse bazohet te grupi etnik specifik.

Partia Çame, për shumë arsye është një parti etnike, që shfaq disa veti atipike që nuk i hasim te partitë etnike në Europë. Ndërkohë që në Europë partitë etnike janë përhapur masivisht në ambientet e minorancave etnike (siç është rasti i PBDNJ-së në Shqipëri), Partia Çame nuk është një parti minorance, sepse çamët janë shqiptarë. Nga ana tjetër, ndërkohë që partitë etnike, përgjithësisht, kërkojnë të zgjidhin probleme apo të favorizojnë grupet etnike prej të cilave burojnë, brenda territorit politiko-administrativ të shtetit ku kanë lindur, Partia Çame kërkon, bazikisht, zgjidhjen e një problemi që e ka zanafillën e vet jashtë kufijve politikë aktualë të shtetit shqiptar. Pra, del e qartë se Partia Çame është një parti krejt sui generis në kuadrin e partive etnike.

Studjuesja Kanchan Chandra në librin e saj Why Ethnic Parties Succeed: Patronage and Ethnic Headcounts in India (Cambridge UP, 2004), qartëson arsyet se pse partitë etnike kanë një sukses thuajse të sigurt në ambientin politik ku veprojnë, por ajo thekson se partia etnike duhet të jetë qartësisht e vetmja forcë në terren që përfaqëson denjësisht komunitetin etnik prej nga buron. Partia Çame ka dhënë një provë elektorale, para se të bashkohej, që mendoj se ishte e suksesshme dhe, në kushtet e një kodi elektoral me korrektim kombëtar, mund të kishte patur dhe më shumë deputetë. Deputeti Idirizi, kryetari aktual i kësaj partie, është fiktiv, pasi nuk është zgjedhur me votat e asaj partie dhe mbetet për t’u provuar nëse bashkimi i dy partive do t’i përgjigjet realisht ndjesisë së elektoratit çam.

Për zgjidhjen e plotë të problemit çam me pronat në Greqi, kjo parti në misionin e saj merr mbi vete një natyrë trans-etnike, pasi veprimi i saj politik i kalon kufijtë e Shqipërisë dhe aktiviteti i saj mund të forcohet pas hyrjes së Shqipërisë në BE, ku luhet fort edhe politika trans-nacionale. Në këtë pikë lindin edhe pikëpyetjet, sipas meje, se a do të dijë Partia Çame të luajë një politikë që të mbetet përherë autentike për zgjidhjen e problemit historik të çamëve? Personalisht, e ndiej fort për zemër problemin çam dhe mendoj se zgjidhjen e tij e dëshiron çdo shqiptar i ndershëm, por kam dyshimet e mia nëse Partia Çame mund të arrijë ta zgjidhë atë problem. Ai është një problem që kërkon ndërhyrje të fortë të partive të mëdha, sepse vetë problemi është i madh në përmasën e tij politike. Pra, unë, do të shikoja më mirë një luftë të fortë të përfaqësuesve të këtij komuniteti në favor të problemit çam, brenda partive të mëdha sesa krijimin e një partie që mund të ketë edhe ndonjë ministri në rast rikompozimi të qeverisë, por që nuk do të ketë mundësi reale për zgjidhjen e problemit çam.

Një pikëpyetje tjetër rreth krijimit të kësaj partie e shikoj te “moda” që mund të zgjojë në terrenin politik shqiptar. Duke qenë se kjo nuk është një parti etnike atipike (jo minorancë), ndonjë grup etnik tradicional shqiptar apo ndonjë grup jo etnik por social mund të ngrejë idenë e formimit të partive të tyre për zgjidhjen e problemeve që ata mendojnë se një parti me karakter etnik mund t’i zgjidhë më mirë se partitë e mëdha. Mirditorët, p.sh., sipas disa studiuesve, janë mbi 300 mijë në gjithë Shqipërinë, mund të thonë se ndihen të përfaqësuar në mënyrë të pamjaftueshme në qeveri e në struktura të tjera shtetërore! Përfaqësimi është një problem kardinal në demokraci. Raste të tilla mund të ketë disa në Shqipëri. Kjo vjen edhe për faktin se edhe vendimmarrjet që mund të kishin karakter thjesht administrativ, në kushtet tona marrin përherë natyrë politike. Kjo mund t’i nxisë grupet etnike në një garë morboze drejt grupimeve politike sektare.

Pikëpyetja e fundit që mund të përballë Partia Çame, dhe që shpresoj ta evitojë sa më shumë, ka të bëjë me tendencën raciste që kanë partitë me natyrë etnike. Kujtoj rastet e Umberto Bosit në Itali apo Jorg Haider në Austri. Historia e shkurtër e partive etnike na dëshmon se është lehtësisht e verifikueshme tendenca raciste e këtyre partive. Do të ishte gabim i madh për këtë parti nëse sendërtohet sipas modelit “kundër” dhe jo sipas modelit “për”. Pra, të jetë një parti “për” zgjidhjen e problemit çam dhe të gjejë idealet e mbijetesës në kushtet e zgjidhje përfundimtare të këtij problemi, gjë të cilën e urojmë të gjithë.

No comments: