Miratohet ligji për pronësinë e truallit në fshatrat turistikë
TIRANË - Parlamenti miratoi dje me 72 votat e mazhorancës projektligjin për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin. Nëpërmjet këtij ligji, kushdo që ka pasur në përdorim vilat ose fshatrat në zonat turistike, tani ka të drejtën që të blejnë edhe truallin. Mazhoranca dhe opozita u përplasën në kuvend duke shkuar deri tek akuzat për përfitime personale, pasi pronarët mund ta marrin tokën me çmime deri në 30 për qind më të ulëta se çmimet referencë të qeverisë, nëse e kryejnë pagesën brenda një afati të caktuar.
Qëllimi i vërtetë i ndryshimit të ligjit ekzistues, sipas deputetëve socialistë, është favorizimi i zyrtarëve të lartë dhe i të afërmve të kryeministrit Berisha. "Ky ligj është në konflikt të pastër interesi në gjithë këtë sallë. Përjashtohen deputetët si përfitues, përjashtojini ministrat si përfitues, sot në këtë ligj. Ky është turp, nuk mundet që një deputet të votojë për t'i ulur çmimin vetes. Nuk mundet që t'i ulet çmimi për 20 për qind. Ky është Parlamenti i popullit dhe miratimi i këtij ligji nuk e zgjidh problemin", - theksoi deputeti socialist, Erjon Braçe. Sipas anëtarit të majtë në Komisionin e Ekonomisë, procedura që ka vendosur qeveria për të miratuar shitjen e truallit shtetëror pronarëve të rinj është abuzive.
Braçe ka kërkuar që shteti të mos krijojë lehtësira financiare për të favorizuar zyrtarët. "Në ligjin bazë është neni 14, i cili përcakton qartësisht që subjekti që përfiton nga ky ligj është pronari i vilës që e ka blerë tek personi i stimuluar paguan 18 % të vlerës së truallit, ndërsa 20% e kësaj vlere paguhet nga personi i stimuluar. Pra, përfituesi është subjekti që i ka blerë vilën. Prandaj ju pyeta: Nuk mundet që ky Kuvend të përcaktojë përfituesit të bëjnë edhe atë që përcaktohet në nenin një dhe në nenin dy. Të ulë çmimet për veten e vet zoti Ministër, pra të thotë që çmimi i truallit reduktohet 10%, nëse paguhet brenda tre muajve nga njoftimi me shkrim. Ky është turp! Nuk mundet që deputetë të Kuvendit të votojnë për t'i ulur çmimin vetes së tyre", - tha Braçe.
Akuzat e ashpra të deputetit socialist kanë sjellë reagimin e mazhorancës, e cila e justifikoi me rregullimet që do të bëhen në këtë fushë. "Ky ligj planifikon të pastrojë të gjithë llumin që u krijua para 2005-ës nga disa ministra të qeverisë socialiste. Kjo është gazeta zyrtare e PS-së, 'Zëri i Popullit' dhe këtu më 3.12.2003 është prononcuar Besnik Dervishi, ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, në gazetën e partisë tregon se kush ka qenë politika juaj. Ky realisht pastron të gjithë paçavuren që ju krijuat me turizmin në Shqipëri. Ministri juaj thotë: "Shndërrimi i politikës së fshatrave turistikë në fshatra turistikë të politikës". Sa herë do të merrni fjalën keni nga një paragraf këtu nga gazeta e partisë suaj dhe nga ministri", - ishte përgjigjja e Xhaferrit. Sipas ministrit të Kulturës, përfitues nga ndryshimi i fundit në ligjin për fshatrat turistikë do të jenë ata zyrtarë ministra dhe ish-ministra të qeverisjes socialiste dhe zyrtarë të papërgjegjshëm, të cilët në vend që të ndërtonin fshatra turistikë bënë vila private.
Në ligj sanksionohet se poseduesi i ndërtesës do të mund të blejë fillimisht vetëm truallin mbi të cilin është ndërtuar objekti, ndërsa oborri dhe çdo pjesë tjetër si lulishte, rrugët e fshatit turistik do të kalojnë në bashkëpronësi. Çmimi i truallit që i shitet subjektit të interesuar ose personit të stimuluar do të jetë në proporcion me sipërfaqen e tij në funksion të njësisë së ndërtimit, që ai gëzon.
Debatet më pikante të seancës së djeshme
Ilir Beqja: Cilët nga ministrat e Qeverisë Berisha që janë këtu, apo në kafe, përfitojnë nga ndryshimet e këtij projektligji?
ArdianTurku: Nëse ka pyetje të tjera t'i bëjmë të gjitha, pastaj ministri t'u përgjigjet.
Ferdinand Xhaferraj: Ky ligj nuk adreson këtë çështje. Ky ligj planifikon të pastrojë të gjithë llumin që u krijua para 2005 nga disa ministra të qeverisë socialiste. Dhe sa herë që ju të ngrini çështjen unë e kam përgjigjen nga një paragraf të këtij shkrimi këtu. Kjo është gazeta zyrtare e PS, "Zëri i popullit" dhe këtu më 3.12.2003 është prononcuar në ministër i atëhershëm, zoti Besnik Dervishi. Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, në gazetën e partisë tregon se kush ka qenë politika juaj. Ministri juaj thotë: "Shndërrimi i politikës së fshatrave turistikë në fshatra turistikë të politikës". Sa herë do të merrni fjalën keni nga një paragraf këtu nga gazeta e partisë suaj dhe nga ministri juaj.
(Ilir Beqja kërkon fjalën)
Ardian Turku: Jemi te pyetjet.
Ilir Beqja: Kam dhe një pyetje.
Ardian Turku: Ju lutem zbatoni rregulloren. Zoti ministër ju lutem. Nuk keni mbaruar?
Ferdinand Xhaferaj: Zoti Dokle ju keni shumë fotografi, ndërsa unë kam vetëm një dhe nuk kam firmosur për fshatra turistikë.
Ilir Beqja: Ju jeni kundër turizmit.
Erjon Braçe: Duke marrë shkas nga kjo që përmendi zoti Xhaferi dhe meqë përmendi gazetën "Zëri i Popullit" ku unë kam qenë kryeredaktor në atë periudhë kam këto pyetje: A përfiton nga ligji në fuqi, pra duke u legalizuar madje dhe me skonto deri në 30 për qind, zonja Argita Malltezi Berisha, në deklarimin e pasurisë së të cilës, dëshmohet se disponohet një ambient i tillë në fshatin turistik në Gjirin e Lalzit? Përfiton nga ky ligj ish-zëvendëskryeministri, zoti Ilir Meta, në deklarimin e të cilit dëshmohet po prapë një ambient i tillë në fshatin turistik në Malin e Robit? Përfiton nga ky ligj ministri i Financave në deklarimin e pasurisë të të cilit dëshmohet një ambient i tillë në Malin e Robit në Kavajë?
Përfiton nga ky ligj ministri i Mjedisit, në deklarimin e pasurisë të të cilit dëshmohet një ambient i tillë në Qerret në Kavajës? Përfiton nga ky ligj ministri i Mbrojtjes, i cili në deklarimin e tij të pasurisë dëshmon për një ambient të tillë në fshatin Laguna blu në Malin e Robit? Përfiton nga ky ligj ish-ministri i Bujqësisë, zoti Lufter Xhuveli, i cili në deklarimin e tij të pasurisë dëshmon për një ambient të tillë në Malin e Robit? Përfiton nga ky ligj guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani që ka dëshmuar se disponon një ambient të tillë Malin e Robit? Përfiton nga ky ligj ministri aktual i Punëve të Brendshme, do të mbash shënim, apo...
Ferdinand Xhaferaj: Do të përgjigjem
Erjon Braçe: Ministri duhet të ketë minimunim e respektit, të mbajë shënime.
ArdianTurku: Ju lutem vazhdoni me pyetjet, do t'u përgjigjet dhe ky është respekti.
Erjon Braçe: Pra, po e përsëris, përfiton nga ky ligj ministri i Brendshëm i qeverisë aktuale, i cili ka dëshmuar në deklarimin e tij të pasurisë se disponon një ambient të tillë në fshatin Laguna blu në Malin e Robit? Dhe e fundit, ju personalisht përfitoni nga ky ligj?
Ferdinand Xhaferaj: Të falënderoj për gjithë pyetjet që ngrite. Duke qenë se m'u drejtove mua personalisht, jo vetëm që nuk përfitoj, por të jesh i bindur që në 18 vite politikë, dhe për sa kohë që do të jem, asnjëherë nuk do të marrësh dot atë përgjigje që do nga kjo pyetje që ngrite.
Erjon Braçe: Ky është turp, nuk mundet që një deputet të votojë për t'i ulur çmimin vetes. Nuk mundet që t'i ulet çmimi për 20-30 për qind. Ky është Parlamenti i popullit dhe miratimi i këtij ligji nuk e zgjidh problemin.
Jozefina Topalli: Këtu mbyllen diskutimet do të kalojmë tek kuorumet.
Namik Dokle: Për procedurë.
Jozefina Topalli: S'ka Procedurë në pikën e fundit të rendit të ditës. Ku ka procedurë, o Namik...
Namik Dokle: Shiko (i jepet fjala, por nuk punon mikrofoni).
Namik Dokle: Në të vërtetë mund të jem jashtë kohës, por që ka një shtrembërim me rregulloren.
Jozefina Topalli: Unë se kam fare problem me vërejtjen se zysha më ka tërhequr vëmendjen për tabelën e shumëzimit
Jozefina Topalli: Po mor Namik
Namik Dokle: E pra, Namik, Namik
Jozefina Topalli: Ke harruar krejt rregulloren, s'je brenda
Namik Dokle: Unë brenda jam moj zonjë, por ti nuk e ndjen
Akuza e opozitës
A përfiton nga ligji në fuqi zonja Argita Malltezi Berisha, në deklarimin e pasurisë së të cilës, dëshmohet se disponohet një ambient i tillë në fshatin turistik në Gjirin e Lalzit?
A përfiton nga ky ligj ish-zëvendëskryeministri, zoti Ilir Meta, në deklarimin e të cilit dëshmohet po prapë një ambient i tillë në fshatin turistik në Malin e Robit?
A përfiton nga ky ligj ministri i Financave, Ritvan Bode, në deklarimin e pasurisë së të cilit dëshmohet një ambient i tillë në Malin e Robit në Kavajë?
A përfiton nga ky ligj ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, në deklarimin e pasurisë së të cilit dëshmohet një ambient i tillë në Qerret në Kavajës?
A përfiton nga ky ligj ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili në deklarimin e tij të pasurisë dëshmon për një ambient të tillë në fshatin Laguna blu në Malin e Robit?
A përfiton nga ky ligj ish ministri i Bujqësisë, zoti Lufter Xhuveli, i cili në deklarimin e tij të pasurisë dëshmon për një ambient të tillë në Malin e Robit?
A përfiton nga ky ligj guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani që ka dëshmuar se disponon një ambient të tillë Malin e Robit?
A përfiton nga ky ligj ministri aktual i Punëve të Brendshme, Lulzim Basha, i cili ka dëshmuar në deklarimin e tij të pasurisë se disponon një ambient të tillë në fshatin Laguna blu në Malin e Robit.
No comments:
Post a Comment