Tuesday, March 15, 2011

Monika Shoshori: Sindroma e armikut fqinj...

NE, NË GOJË TË “UJKUT” HEDHIM VALLE

2011-03-15 (Shqip)

Monika Shoshori Stafa

Ka disa javë që Shqipërinë e ka zënë makthi dhe tmerri i armikut. Ai është gjithandej: në tokë e në det, në veri e në jug, brenda dhe jashtë, në popull e në qeveri, në shtyp e në televizion, i hapur dhe i fshehtë.

Armiku më i madh, armik përmbi armiqtë, është Greqia fqinje, ku një në tetë banorë është shqiptar. Greqia ka vendosur ta helenizojë gjithë jugun e Shqipërisë; ka vendosur t’i bëjë gjithë ortodoksët grekë; të rindërtojë Vorio Epirin dhe të kthejë Bizantin deri në Shkumbin. Greqia do të bëjë kësaj radhe atë që nuk e ka bërë dot për afro tre mijë vjet me radhë: ta greqizojë Shqipërinë dhe ta gllabërojë më shumë se gjysmën e saj. Dhe këtë do ta arrijë shumë thjesht: me anë të një regjistrimi popullsie. Konsulli Theodhoros Ikonomu, me mjekër dhe xhup, është vetëm instrumenti i kësaj politike.

Po nuk mbeten mbrapa në armiqësinë e vet edhe fqinjët veriorë: serbë, malazezë, maqedonas. Me anë të njerëzve të tyre ata e kanë shti në dorë tashmë pasurinë e Shqipërisë. Qeveria u shet armë ish-bashkëpunëtorëve të Millosheviçit. Sllavët po nxisin popullin në Vrakë, në Gorë, në Gollobordë, të regjistrohen në kombësinë e tyre. Dhe e keqja e më të këqijave - s’ka shpëtimtarë prej kësaj situate, sepse, sado që po çirren gazetarët, radiot, televizionet, zëdhënësit, opozita, komisioni i zgjedhjeve, gjykatësit, kryetarët e shoqatave joqeveritare, rreziku mbetet i njëjti, sepse deri tani janë 4300 shqiptarë që e kanë ndërruar kombësinë juridikisht dhe shumë shpejt do të jenë më shumë.

Në fakt, thellë-thellë i bie që edhe Europa duhet të jetë antishqiptare, jo vetëm fqinjët e saj. Përderisa projekti i regjistrimit të popullsisë është antishqiptar; me arsyetim del se edhe Karta e Kopenhagës duhet të jetë antishqiptare dhe kërkesa europiane për një regjistrim të ri të përgjithshëm dhe më të detajuar të popullsisë dhe të pasurive duhet të jetë antishqiptare. Në fund të fundit, gjatë dy dekadave të fundme a nuk janë miratuar dy rezoluta europiane, në përmbajtjen e të cilave Shqipëria quhet shtet multietnik?

Për të mos munguar dhe ana parodike, të zënë në kurthin e një koalicioni armiqsh, gjyqtari akuzon Greqinë apo Serbinë pse gjykatat shqiptare, që ai i ka nën hierarki, ua pranojnë shtetasve të vet kërkesat për ndërrim shtetësie; padit fqinjët pse nëpunësit shqiptarë janë të komprometuar dhe ndoshta të shitur; kërkon nga Athina apo Beogradi anulimin e vendimeve që kanë dhënë e do të japin gjykatat shqiptare për shtetasit shqiptarë. Nuk mbeten prapa kryetarët e partive, të cilët e mbushin Shqipërinë me demonë të brendshëm e të jashtëm; e ushqejnë popullin me një panik të paparë, aq sa njerëzit të harrojnë zgjedhjet, protestat, mospasjen, çmimet, skandalet, dështimet.

Thënë me një fjali të vetme, në Shqipërinë e dy dekadave pas përmbysjes së totalitarizmit, mendësia se ne jetojmë si në rrethim nën kërcënimin e armiqve të panumërt, që shfaqen gjithandej; pavarësisht se jemi anëtarë të aleancës euroatlantike me të njëjtit armiq apo shpresojmë të jemi së bashku nën të njëjtën çati ndërshtetërore. Kompleksi i armikut, psikoza e demonizimit të tjetrit në çastin kur dikush duhet të përgjigjet pse gjërat brenda vendit nuk shkojnë mirë, është po aq i fuqishëm sa dhe më parë. Nëse ka gjëra që në Shqipëri shkojnë keq e mos më keq, duke përfshirë dhe vetëdijen kombëtare, atëherë përgjegjësit duhet të jenë në Athinë, në Beograd, në Shkup, pse jo dhe në kryeqytetet europiane. Dhe, si përherë, “dhe në gojë të ujkut hedhim valle”: nuk jemi të zotë të detyrojmë gjykatat tona të zbatojnë me rreptësi ligjin për kombësinë, por jemi të shkëlqyer për ta paraqitur veten fitimtarë midis dhjetëra armiqve dhe kundërshtarëve imagjinarë. Sepse ne nuk rrojmë dot pa armik, armiku është pjesa e së përditshmes sonë, armiku është gjysma jonë; armiku është qysh në krye të herës, kur kalaja e Rozafës ngrihej ditën e shembej natën. Dhe, tek e fundit, shqiptarët trashëgojnë një teori rrezikimi prej armikut ose prej një grupi armiqsh, madje dhe prej aleancash të tyre.

A po kalon Shqipëria vërtet një situatë të rrezikshme, për shkak të planeve djallëzore për destruktimin e përbërjes etnike të popullsisë së saj? A është projekti europian i regjistrimit të popullatës dhe pasurive me disa të drejta vetëdeklarimi që nuk ishin parashikuar më parë një projekt i drejtuar kundër interesave të Shqipërisë? Apo thjesht po “hedhim valle në gojë të ujkut”, si në këngët folklorike nacional-socialiste?

Po t’i marrim gjërat me radhë, rendi logjik i punës është ky: 1. Projekti i regjistrimit të popullatës shqiptare dhe pasurive të tyre është propozim europian. Ky projekt nuk detyron askënd të deklarohet se cilës etni i përket dhe cilin Zot beson. Pyetësori, përveç zgjidhjeve të emërtuara, përmban të gjitha garancitë që individi, nëse e konsideron deklarimin një cenim të vetjakësisë së tij, të zgjedhë: “Nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”, “Jam i papërcaktuar”, “Asnjërit prej tyre” ose etj., etj. 2. Projekti do të zbatohet nga administrata shqiptare, që do të thotë nën drejtimin e qeverisë, por me kompetencat që u njeh ligji institucioneve të qeverisjes vendore: gjykatave (për vendimet e ndërrimit të kombësisë); gjendjes civile (për regjistrimin). 3. Në të gjitha rastet, dokumenti themelor që zbatohet në gjithë vendet europiane përmban dhe një garanci të fundme, që procesi, kur vetëdeklarimi hyn në dyshim, duhet të certifikohet me dokumente.

Pyetja në këtë rast është: dokumenti është eurostandard, zbatuesi janë institucionet shqiptare, popullata është gjithashtu shqiptare. Si do ta deformojnë strukturën demoetnike të Shqipërisë grekët e serbët, përveç rastit që të arrijnë të manipulojnë me institucionet dhe shtetasit shqiptarë vetë? Kjo është e vetmja rrugë. Atëherë, sa humbim kohë duke krijuar armiq e koalicione armiqsh; duke ringjallur të shkuarën totalitare të luftës së ftohtë, urrejtjes dhe panikut; pse nuk merremi me ata “demonët e vegjël” që shesin kompetencën e tyre dhe i sjellin të keqen vendit të vet?

Interesante është që institucionet fetare janë treguar shumë më të pazellshme për të hyrë në këtë debat, shumë më të rezervuara se shteti laik i tyre.

Qeveria e shtyu realizimin e projektit të regjistrimit për në vjeshtë. Zyrtarisht u tha se kjo u bë për shkak të mbivendosjes në kohë të dy proceseve të mëdha: zgjedhjeve të administratës vendore në maj dhe regjistrimit vetë. Duam të besojmë se ky veprim i qeverisë është dhe një premtim për të fituar kohë dhe për t’u marrë jo me rrufjanët politikë dhe demagogët e opinioneve, jo me ata që kanë rikthyer komplotin e përgjithshëm të armiqve kundër Shqipërisë, por me ushtrimin e institucioneve dhe të njerëzve që do të merren drejtpërsëdrejti me këtë proces.

Tek e fundit, nëse ka 4300 shqiptarë me karakter të paqëndrueshëm, siç ka në gjithë popujt, nëse ka disa mijëra shqiptarë që e shesin kombësinë e tyre për një pjatë me fasule, le ta bëjnë. Një firo e tillë vetëm do ta shëndoshte jetën e popullit shqiptar. Ajo që është më e rëndësishmja është të njohësh vetveten: të dihet sa shqiptarë janë vërtet shqiptarë. Sigurisht, duke parandaluar mashtrimin përmes deklarimit me rreptësinë e vërtetimit dhe certifikimit dhe të shumë instrumenteve të tjera që vetë pyetësori i përmban. Por mbi të gjitha është me rëndësi që pikërisht ata zëdhënës që ia zunë frymën opinionit dhe popullit me fantazmën e demonëve dhe të armiqve të panumërt ta çlirojnë vendin nga ideja e marrë se “dhe në gojë të ujkut hedhim valle”, të mos ia largojnë qytetarit vëmendjen prej të këqijave të tjera më të mëdha që janë të përditshme në jetën e tyre: prej varfërisë deri te padrejtësia, prej mungesës së alternativave deri te kriza e besimit dhe dyshimi i përgjithshëm në vlerat e sistemit të ri politik dhe shoqëror.

No comments: