Tuesday, April 26, 2011

Interviste me Priamo Bollanon: Me regjistrimin që do të bëhet në nëntor 2011. Çfarë sugjeroni ju të bëhet?


Priamo Bollano, doktor i shkencave ekonomike, aktualisht eshte ne pension. Si himarjot ka shtetesine shqiptare dhe greke. Ai sugjeron regjistrimin e popullsise sipas te gjithe parametrave demografike, perfshire fene dhe kombesine

Intervistë (Shqip on line)

Flet ish-drejtori i Përgjithshëm i Statistikave

Në muajin tetor pritet të zhvillohet regjistrimi i ri i popullsisë. Proces që duhej të zhvillohej në prill, por që u shty, zyrtarisht për shkak të zgjedhjeve lokale dhe realisht pas polemikave që nisën me publikimin e formularit të popullsisë, i cili parashikonte deklarimin e etnisë dhe të besimit fetar. Një eksperiencë e parë kjo parë edhe rastet e kaluara të këtij procesi. Në kohën e regjimit komunist, pra në vitin 1989 kur është zhvilluar regjistrimi i fundit i saktë, i cili merret shpesh për bazë ka bërë një aplikim në bazë të etnisë, por jo të fesë. Duke shpjeguar regjistrimin e asaj kohe, për “Shqip” flet në një intervistë, Priamo Bollano, drejtuesi i regjistrimit në vitin 1989. Drejtori i Përgjithshëm i Statistikave, zoti Bollano shpjegon në mënyrë të hollësishme atë proces, por jep edhe sugjerimet e tij....

Zoti Bollano, regjistrimi i fundit në Shqipëri në mënyrë zyrtare është bërë në vitin 1989. Ndërkohë, për efekt të zgjedhjeve lokale, regjistrimi i popullsisë është shtyrë në muajin nëntor të këtij viti. Pyetja ime është, se në ’89-n ky regjistrim u bërë me të njëjtën tablo që është paraqitur edhe sot, pra mbi baza etnike dhe fetare, apo përdorur metodë tjetër?

Regjistrimet e popullsisë janë një aksion që sigurojnë të dhëna për popullsinë në një moment të dhënë në datën e regjistrimit e cila quhet nga ana statistikore pika kritike. Regjistrimi i 4 prillit 89 është regjistrimi i fundit i bërë në kohën e monizmit. Deri në atë kohë ishin bërë disa regjistrime. Duke filluar nga viti ‘60 nuk u vendos në rubrikë etnia dhe besimi, ndërsa në vitin ‘89 u vendos etnia, por jo besimi. Etnia u fut sepse në atë kohë filluan të hapeshim një çik me komisionin ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën. UNFPA zbatoi programin e parë për regjistrimin e popullsisë në ‘89 me një fond prej 500 mijë dollarësh. Në atë kohë në Shqipëri u dërguan mbi 75 kompjuterë, 10 aparate fotokopjuese që deri në atë kohë Shqipëria ishte me makina llogaritëse, pra mekanike me pak elektronikë. U bë regjistrimi i popullsisë nga pikëpamja etnike me këto rubrika të cilësuara: popullsia greke, maqedonase, malazeze dhe rubrika të tjera. Në të tjera përfshiheshin serbe apo italiane ose franceze. Në bazë të përfundimeve të këtij regjistrimi doli popullsia me kombësi jo shqiptare. Nga regjistrimi doli se 65 mijë banorë në të gjithë territorin e Shqipërisë me 3 milionë e dyqind mijë banorë, ishin të kombësisë joshqiptare minoritet. Më pak se dy për qind afërsisht. Nga këta 59 mijë ishin të kombësisë greke. 6 mijë afërsisht ishin maqedonas, zona e Prespës dhe të tjerët ishin të tjerë.

Sa zgjati periudha e regjistrimit në atë kohë, një muaj?

Periudha e regjistrimit zgjati një javë. Në atë kohë ishte shteti i socializuar dhe angazhuam në regjistrim arsimtarët dhe regjistri u bë në mënyrë shumë të organizuar. Pati të meta edhe ky proces, pasi shumë shtetas që nuk ishin në zona të mirëfillta, por ishin etnik. P.sh., minoriteti grek që nuk ishte në jug të Shqipërisë apo maqedonas që ishin në Tiranë, apo Korçë apo Shkodër. Për shkak të kufizimeve që sillte regjimi nuk bën deklarimin ekzakt. Kaq është e vërtetë saqë në atë regjistrim dolën serb gjithsej 100 veta. Po të shikoje pjesën e fshatrave në liqenin e Shkodrës apo kartelat e regjistrimit ato ishin të gjitha me mbiemra të huaj me prapashtesën “viç” nga fund. Regjistrimi u bë mbi bazën e vetëdeklarimit për moshën 16 vjeç e lart, ndërsa për moshën nën 16 vjeç me deklarimin e prindërve sipas kartës së kombeve të bashkuara.

Si e konsideroni ju këtë strategji të qeverisë shqiptare që regjistrimi të bëhet mbi baza etnike dhe fetare. Ju duket e drejtë kjo?

Shikoni çfarë ndodh. Të gjitha të dhënat që merr statistika i merr të dhënat konfidenciale dhe nuk i intereson subjekti, qoftë për personin apo për subjektin. Duke qenë se shumë abuzohet për popullsinë në Shqipëri mirë është që të jepet një shifër ekzakte për minoritetet. Pasi duke dhënë këtë shifër i lëmë organizatat nacionaliste, apo shtete të tjera fqinje, ose personat studiues me tendenca të caktuara të imagjinojnë dhe të bëjnë shifra pa fakte, absurde dhe jashtë realitetit.

Çështja e pensioneve për minoritetet, kryesisht greke, është përdorur shpesh kohët e fundit si një tendencë që rrit në mënyrë artificiale numrin e pakicës greke në Shqipëri….

Unë do jap një shembull. Ky është mendimi im në konsultim me specialistët demografë. Për mua edhe sikur të merret ekzakt ajo 59 mijë është e paktë. Por gjithsesi, ajo nuk e kalon 100 mijëshin në Shqipëri. Dikush mund të flasë me koncepte ballkanike se kush janë ortodoksë janë grekë apo kush është mysliman është turk. Por kjo më duket absurde dhe më duken koncepte arkaike të tejkaluara. 90% e popullsisë del e pastër në Shqipëri dhe nuk mund të thuash që shteti shqiptar është multinacional. Ju më folët për pensionet. Unë me sa di nga pikëpamja e pensioneve më shumë se 20 mijë veta nuk marrin. Kjo më shumë është për të krijuar një lob apo një frikë sesa një shifër ekzakte. Plus pastaj sot në kushtet e krizës që jeton Greqia ka kërkuar dokumente më të plota deri te karta e identitetit dhe të tjera.

Në ’89-n ju keni qenë drejtori i Përgjithshëm i Statistikave, duke pasur rrjedhimisht edhe rol kryesor në procesin e regjistrimit zyrtar të fundit në Shqipëri. Jam kureshtar të di pse u pengua regjistrimi fetar në Shqipëri në ato vite dhe a u bë një tentativë për të futur edhe këtë pikë në regjistrimin e popullsisë?

Nuk u bë regjistrimi me bazë fetare, sepse me Kushtetutën e vitit 1976, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë quhej shtet ateist. Kishat, xhamitë dhe objektet e kultit ishin prishur që në ‘67-n ose ishin mbyllur. Një pjesë e tyre ishte kthyer në depo për kooperativat bujqësore, ose ishin kthyer në shtëpi kulture e vatra rinie dhe prandaj nuk mund ta shtronim këtë problem kurrë, sepse të ndalonte Kushtetuta. Ishte një ideologji marksiste-leniniste. Në atë kohë nuk shtrohej problem edhe për pakicat kulturore. Sepse ne kemi minoritete etnike dhe minoritete kulturore. Për këtë të fundit nuk shtrohej problem. Këtu bie fjala për vllahët, egjiptianët dhe romët. Kjo kategori nuk është konsideruar si pakicë kombëtare. Këta janë quajtur të tillë pas viteve ‘90, kur u krijuan shoqatat e ndryshme dhe mund të kenë ndikuar edhe shtete të caktuara për interesa të caktuara dhe që ndodhën gjithë këto pastaj.

Me regjistrimin që do të bëhet në nëntor 2011. Çfarë sugjeroni ju të bëhet?

Unë mendoj se regjistrimi është një rast i mirë që të dhënat t’i marrin në konfidencë, të dhëna që mungojnë. Në vendet e përparuara sa futet emri në sistem, bëhet fshirja automatike, duhet të interesojnë vetëm karakteristikat. Ky është rasti për të treguar jo vetëm popullsinë e banueshme, por edhe popullsinë prezente. Kjo është baza e statistikës. Ne nuk dimë sesa emigrante kemi, sa janë të përhershëm dhe sa të përkohshëm. Baza është demografia. Ky është një rast që jepet për të krijuar një bazë të dhënash. Kjo bazë për kombësinë për shkak të kufizimeve që mbarte regjimi i djeshëm them se është i domosdoshëm sot.

No comments: