Wednesday, February 15, 2012

Llambro Ruci: Si është gjendur greqishtja në Himarë?

Pjesa e dyte,

DYGJUHËSIA E HIMARËS DHE INTERPRETIME TË REJA

http://www.scribd.com/doc/81102251/Llambro-Ruci-Dygjuhesia-e-Himares-Dhe-Inter-Pre-Time-Te-Reja

referat i mbajtur ne Konferncen e tretë panhimarjote –Dhërmi- Qershor 2011


Sesi është gjendur greqishtja në Himarë, në fshatrat greqishtfolëse Palasë, Dhërmi, Himarë, janë rrekur ta zgjidhin në mënyrë shteruese mjaft autorë, si K. Frashëri, Sh. Demiraj, K. Prifti, R. Memushaj, Sh. Sinani, L. Malltezi, F. Bixhili, etj., që krahas historisë së krahinës, janë marrë enkas me këtë problem. Por duke përgjithësuar dhe duke vlerësuar këto kontribute në studimin e të kaluarës, jetës materiale e shpirtërore të krahinës, vihet re se qerthulli i literaturës dhe i dëshmive është i kufizuar e jo bindës.

Dhe në mungesë të argumenteve e fakteve, bëhen hamendësime, madje kur realiteti gjuhësor dëshmon ndryshe.

Hamendja e parë: Përmes punësimit të përkohshëm në territoret greke në kontinent apo nëpër ishujt jonianë .

Nuk përjashtohet mundësia, - shkruan Foto Bixhili, - që të jetë folur greqishtja, për arsyet që njohëm, edhe në Himarë, si dhe në zona të tjera të Iperit. Popujt e këtyre zonave kanë qenë në lidhje të vazhdueshme e të paprera me fqinjët jugorë dhe të ishujve të Jonit. Shumë himariotë, siç dëshmohet, jo vetëm për shkëmbim shkonin deri në Selanik, Atikë e Kretë, se Korfunë, Levkadhën dhe Qefaloninë i kishin afër, por dhe si punëtorë stinorë, ashtu siç vinin edhe prej tyre në Himarë...”

Por nëse ky fakt do të ishte i vërtetë dhe jo detaj letrar, do të duhej që në këtë rast brenda fshatrave të Himarës të kishte një përzgjedhje të sofistikuar, ku nga mbledhja e ullinjve apo punimet e tjera bujqësore të mërgimit sezonal, të përjashtoheshin Vunoi, Iliasi, Qeparoi dhe më tej Nivica, Shën Vasili etj., kur pozita gjeografike dhe ekonomia për gjithë Bregdetin himarjot është pothuaj e njëjtë.

Por ndodhte dhe ndryshe. Në librin e Aleko Rapos për historinë e Himarës, jepet një karakteristikë e shtegtimeve himarjote për të përballuar varfërinë dhe sigurimin e mjeteve të jetesës: “Në raportet e tij, Pano Bixhili, nga pozita e konsullit rus në Vlorë, shkruante në relacionet drejtuar Ministrisë së Jashtme Ruse se, mbi 500 himariotë të varfër, u detyruan të vijnë në bahçet e ullinjve të bejlerëve të Kaninës për t’ua mbledhur për një mëditje të ulët; një masë po aq e madhe syresh shkonin në Korfuz, po në sezonin e mbledhjes së ullinjve.”20

Po ashtu Eduard Liri në ditarin e tij të udhëtimeve përmend po të njëjtin fakt: “Pak më poshtë në faqe të malit, takuam një grup udhëtarësh himarjotë; s’ka njerëz që lëvizin kaq shumë sa himarjotët. Ishin nja tetëdhjetë a njëqind gra të ngarkuara si s’kisha parë askund tjetër, së bashku me të afërmit e tyre meshkuj, të cilët e ngjitnin malin për qejf të tyre, kurse gratë ishin ngarkuar me guna, foshnja e bohçe. ...Grupi ishte nisur për në Vlorë për të punuar në ullishta gjatë dimrit.”21

Mirë që në çdo lloj emigrimi shkonin himarjotët, por që të vinin në Bregdet grekë për punët e stinës, edhe nëse ka ndodhur, siç përmend Pukëvili, ishte gjë e rrallë; krahina ishte me burime të kufizuara ekonomike, që mezi mjaftonin për të siguruar mbijetesën dhe diçka për shkëmbim. Por nëse këtu nënkuptohen ca bucelarë e vozëtarë, kallajxhinj dhe lundërbërës, apo ata, që punonin në çifligjet e Aliut (kjo është një e dhënë pas pushtimit të Bregdetit të Poshtëm më 1798, kur ai i ktheu në çifligje të veta Nivicën, Ajio (Shën) Vasilin, Ondacovon (Hundëcovën), Likursin), çdo argument bie vetiu. Mjafton t’u referohemi akteve origjinale që ndodhen në Arkivin Shtetëror të Vjenës: Konfernca e tretë panhimarjote –Dhërmi- Qershor 2011

Burimi ushqimor kryesor i popullatës, - shkruan kapiteni Dedoviç në relacionin drejtuar perandorit Franc Josef në korrik 1787 - është blegtoria si dhe prerja e lëndës pyjore, prodhimet e të cilave shkëmbehen në Shqipëri kundrejt drithërave, dhe në Korfuz kundrejt pëlhurave dhe nevojave të tjera. Porse tregti atje nuk bëhet.22

Hamëndja e dytë: Përmes shkëmbimeve tregtare me bregdetin dhe ishujt jonianë

Po të marrim parasysh të dhënat e udhëtarëve të ndryshëm, që kaluan nëpër bregun himarjot, sidomos të misionarëve unitë, të cilët jetuan në Dhërmi, Himarë, Palasë, Vuno, për një periudhë shtrirë rreth në një shekull e gjysmë, do të shënojmë se vendi kishte një prodhim kryesisht për nevojat e veta (në kohë paqeje e të korrash të mbara), si dhe disa produkte që mund të shkëmbeheshin me Korfuzin si pikëmbërritje më e lehtë dhe më e afërt. Këto dëshmojnë disa vëzhgime (Letra e Joan Kamillit 1668; Raporti Dedoviç për krahinën e Himarës, 1787), po edhe përshkrimet e Likut, mysafir i kapedan Zahojorgjit në qytezën e Himarës (1805) etj.

Detaria himarjote është përdorur për të mbështetur tezën për mbartjen e greqishtes përmes punësimit stinor në territoret greke në kontinent apo nëpër ishujt jonianë, si dhe përmes shkëmbimeve tregtare me to, apo me largimet e përkohshme për t’i shpëtuar inkursioneve apo fushatave të pushtuesve turq...

Madje K. Frashëri23, F. Bixhili24 etj. për të bërë dallimet mes greqishtfolësve (Palasa, Dhërmi dhe Himarë) e shqipfolësve (Vuno, Qeparo, Kudhës dhe Pilur), të parët i bëjën detarë, apo me fshatra-liman në kontakt me botën greke, të dytët të përjashtuar nga kjo mundësi etj.

Por ndarja e banorëve të fshatrave të Himarës bregdetare në dy njësi, kryesisht në blegtorë dhe kryesisht në detarë, është hipotetike dhe e pasaktë, sepse nuk mbështetet në të dhëna konkrete, as në traditën popullore të Bregut.

Kleanth Andoni shkruan: “Dihet që himariotët kanë qenë detarë të zotë... Armatorë të tillë të suksesshëm ka pasur sidomos nga Vunoi, nga Dhërmiu, nga Himara e nga Qeparoi.25

Dr. Natasha Sotiri: “Mjeshtria më e parapëlqyer për burrat e Qeparoit, ashtu si për gjithë krahinën e Himarës, ka qenë lundrimi e tregtia, që fillimisht gërshetohej me piraterinë. Me mjete lundrimi të thjeshta (barka, që në këtë të folme quhen felluka) e moderne, ata i binin Mesdheut kryq e tërthor për të transportuar bagëti e kripë nga një vend në tjetrin dhe për të plaçkitur anijet e huaja. Nga fundi i shekullit të XIX, ata filluan ta lënë piraterinë dhe të merren vetëm me tregti, që e bënin me firma tregtare në Korfuz, Trieste, Napoli, Aleksandri, Britani të Madhe etj.”26

Gjeto Kola ka një pasazh edhe për marinën himarjote: “Himara si thame ma parë asht e vendueme nder shpate malesh në breg të detit, të cillët gadi të gjith ulen pingul në det. Prej natyret ky popull asht detarë sidomos Dhermijasit, Vunjotasit e Qeparjotasit.”27

Hamëndja e tretë: Liturgjia dhe roli i klerit në përhapjen e greqishtes në Himarë

Liturgjia, sigurisht që mund të ndikojë në një rreth të caktuar shërbenjësish të kishës, ndër klerikët, por s’është e mundur të kallë gjuhën në vatrat familjare, që punët e zotit i linin në kishë dhe merreshin me punët e tyre të përditshme. Konfernca e tretë panhimarjote –Dhërmi- Qershor 2011

Por edhe klerikët çfarë formimi kishin dhe a mund të ndikonin ata në futjen e greqishtes në familje?

Siç kemi thënë, Misionari i parë i Romës, që ka shkelur shtigjet himarjote, ka qenë qiprioti Neofit Rodinos, i cili shkruan për manastire himarjote: “...Nuk ka manastir që të ketë ndonjë njeri të arsimuar, te i cili të rrëfehen dhe të ruajnë përcaktimet e kishës... të rrëfejnë të keqen që kanë dhe ta ndreqin nuk duan...”28

Në një letër dërguar nga Himara, Nilo Katalanoja shkruan: “Tani për tani predikimi konsiston te Testamenti i vjetër dhe i Ri dhe te Etërit e Shenjtë; as që mund të arrihet në çështje të veçanta të Koncilit të Firences për shkak të paaftësisë së subjekteve: nuk ka persona të arsimuar. Priftërinjtë mezi dinë të lexojnë, as që kuptojnë shumë atë (që lexojnë); pjesërisht ngaqë merren me punë të mundimshme (materiale); pjesërisht për mungesë udhërrëfimi.29

Hamëndja e katërt: Shkollat në gjuhë greke

Himara është një krahinë, që e ka kërkuar shkollën njëlloj si dritën, bukën, armën, lirinë. Madje edhe duke sakrifikuar apo “mëkatuar” me besimin e saj ortodoks, duke pranuar murgjit bazilianë-emisarë të Romës katolike, vetëm e vetëm që të hapnin shkolla, që këto vatra të dijes të mbeteshin të ndezura për të ndriçuar mendjen dhe udhën e fëmijëve, për priftërinj, ushtarakë dhe njerëz të ditur... Dhe kjo prirje ishte e natyrshme për një popull, që ndiqte udhët e deteve e përtejdeteve, me etjen e njohjes së botëve, gjuhëve dhe kulturave të tjera.

Por edhe pse shkollat (ashtu si dhe liturgjia) zhvilloheshin në gjuhën greke (Schiroi raporton më 1729 se u mësonte fëmijëve dhe të rinjve shkrim-këndim greqisht e latinisht30), duhen patur parasysh që institucione të tilla gjatë sundimit osman, nën kujdesin e kishës ortodokse, ishin përhapur gjerësisht në Shqipëri, në Berat, Vlorë, Korçë, Përmet, Kolonjë etj., por nuk ndodhi që greqishtja të kthehej në gjuhë familjare.

Në një studim të Apost. P. Papatheodhoru (“Arsimi në Epirin e Veriut pas ‘21”), përmenden shkollat greke të hapura në Shqipëri sipas krahinave. Autori thekson se Himara, me luftërat e vazhdueshme arriti dhe mbajti gjatë gjithë periudhës së sundimit osman pronome (privilegje) të rëndësishme, si dhe realizoi shkolla të organizuara greke me shtysën kryesisht të Shën Kozma Etoliasit (1775): Himarë, Dhrymadhes, Ajios Vasilios, Likursi, Pikerni. Delvina kishte shkollë greke që në kohë të Venedikut (1537), nën Turqinë që më 1749, shkollë vajzash që më 1874. Vlora përmendet për shkollë greke që më 1741... Ndërsa më 1902 në rajonin e saj vepronin rreth 10 shkolla greke me 66 mësues dhe 435 nxënës. Në Berat shkolla greke vepronin të paktën që në shek. 17-të, por më 1902 ishin hapur 73 shkolla greke...31

Por historia e shkollave në Himarë, sipas të dhënave të gjertanishme, fillon me misionarët e Romës, pra nuk është themeluar nga kisha ortodokse; ajo është më e vjetër dhe më e ndryshme nga të dhënat e tabelës së Papatheodhorut, dhe për më tepër në to mësimi është zhvilluar dhe në greqisht, latinisht, po dhe në shqip, gjë që përbën një rast të rrallë për atë kohë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, gjuha e shkollës dhe e kishës, nuk mbështetej në të folmen e popullit, por në greqishten arkaike, pra ishte krejt e pakuptueshme për njerëzit e thjeshtë dhe kësisoj edhe ndikimi ishte i papërfillshëm. Dihet që gjuha e përbashkët fiton forcë dhe përhapje kur ka Konfernca e tretë panhimarjote –Dhërmi- Qershor 2011

në bazë gjuhën e folur të popullit dhe nuk është një krijesë, që u shërben një pakice të diturish dhe të shkolluarish. Po edhe me një grusht shkollarësh, nëse jetësohej kjo hipotezë, në Himarë duhej të flitej më herët italisht sesa greqisht. Himarjotët në letrën e 1759-ës për Elisaveta Petrovnën theksojnë se “...Në shumë krahina të gjithë të mësuarit flasin greqisht. Familjet e arkondëve (e shquara) flasin dhe italisht, për shkak të shumë oficerëve, që shërbejnë në shtete të huaja dhe të rinjve, të cilët studiojnë në seminaret (shkolla priftërore) e Padovës dhe të Napolit.

Duke analizuar hipotezat e depërtimit të greqishtes në familje në Palasë, Dhërmi, Himarë, nëpërmjet faktorëve të pretenduar, që u shqyrtuan më lart, vetvetiu lind pyetja: përse nuk ndodhi kjo edhe në Ilias, Vuno, Pilur, Kudhës, Qeparo, apo më tutje në Lukovë, Nivicë, Shën Vasil, Lëkurës etj. ku kanë vepruar të njëjtët faktorë politikë, socialë dhe ekonomikë, pra mesha në greqisht dhe priftërinjtë, shkolla, shkëmbimet tregtare, punësimi e largimi i përkohshëm, mërgimi?

Ja çfarë thotë lidhur me këto ide dr. Natasha Sotiri (E folmja dhe toponimia e Qeparoit, Konica 2001, fq. 11) : “Edhe pse të arsimuar në gjuhën greke, edhe pse shërbesat fetare kryheshin greqisht, qeparotësit flisnin, këndonin e qanin me ligje shqip. Në kishë dhe në shkollë ata e pranonin greqishten, sepse e shikonin si një mbështetje në luftën kundër islamizimit dhe si një mjet për zgjerimin e horizontit të tyre kulturor e për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike me vende të tjera, kryesisht me Greqinë. Jashtë këtyre dy sferave përdorej vetëm gjuha shqipe në variantin e së folmes së Qeparoit, e cila është ruajtur me konservatorizëm deri në ditët tona.”32

Hamëndja e pestë: Martesat e përziera me vajza greke

Padyshim ky element do të ishte i rëndësishëm dhe serioz për të përligjur dygjuhësinë, pra shqipen e babait dhe greqishten e nënës, apo ndërfutjen e greqishtes në fshatrat Palasë, Dhërmi, Himarë. Por mjerisht, ky detaj i përdorur nga Foto Bixhili33 e Shaban Sinani, është sa i pavërtetë aq dhe antihistorik, sepse martesat si rregull bëheshin brenda fshatrave dhe me raste mes fshatrave fqinje të krahinës, duke ruajtur miqësinë në hapësirën e besimit ortodoks. Kështu Liku përmend se himarjotët shpesh bëjnë martesa me vunjotësit. Ndërsa krushqitë e largëta ishin përjashtime, që nuk mund të ndikonin kurrsesi në arsenalin gjuhësor të fshatit apo të krahinës.

Madje studiuesi Sh. Sinani, në botimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave për Himarën, për të përligjur greqishten në familje në Palasë, Dhërmi e Himarë përdor faktin e njohur që Ali Pasha internoi kundërshtarët e tij himarjotë: “U kthyen disa qindra prej tyre pas tri dekadash. Sipas rrëfimeve të më të moshuarve të fshatrave të Bregdetit, “brezi i ri që u riatdhesua pruri në Bregdet edhe gjuhën greke, pasi të rinjtë ishin martuar me vajza greke dhe vetë ishin rritur në këtë mjedis gjuhësor.”34

Nuk është aspak e vërtetë se himarjotët e internuar nga pashai dorëgjatë i Janinës u kthyen pas tri dekadash. Pushtimi përfundimtar i Himarës (bashkë me Vunoin dhe Dhërmiun), historikisht ka ndodhur më 1810, ndërsa rënia e Aliut më 1822, pra vetëm 12 vjet, që nuk mund të përligjin as ndërkalljen e greqishtes, as martesat e përfolura, as hamendje të tjera patriotike.

Kosta N. Dede shkruan se nga Dhërmiu në kohën e Ali Pashës u internuan në Salaorë 2500 banorë dhe u kthyen vetëm 700, të tjerët vdiqën nga vuajtjet dhe nga Konfernca e tretë panhimarjote –Dhërmi- Qershor 2011

malaria.35 Ndërsa në librin e Nik. Ziagkut, autori duke iu referuar Aravantinos, përsërit një fakt tjetër: “Më 1814 Ali Pasha mbarti në Salahorë 100 familje himarjote. Por u shfarosën nga malarja dhe sa mbetën gjallë ikën pas izolimit të Ali Pashës në Janinë më 1820.”36

Hamendja e gjashtë: Greqishtja “e mbartur” nga vullnetarët himarjotë të Revolucionit grek?

Kristo Frashëri në librin e tij për Himarën, në kreun 10: “Himara dhe revolucioni çlirimtar grek”, shqyrton marrëdhëniet e himarjotëve me kryengritjen e Greqisë të 1821-së dhe, si pasojë, përhapjen e greqishtes në krahinë. Në argumentet përkatëse, kësaj here, nuk ka referime ndër autorë të tjerë dhe, gjykimet, siç duket, janë më shumë ndjesi personale sesa fryt i shqyrtimit të fakteve dhe të dhënave historike.

Emri më i shquar himarjot në këtë ndërmarrje është padyshim Spiromiloja, për të cilin thuhet: “Një nga oficerët e regjimentit ishte kapiteni Spiro Milo, një himariot i shkolluar në Akademinë Ushtarake të Napolit, i cili nuk e kishte mësuar ende mirë greqishten. Spiro Milo me disa qindra vullnetarë himariotë, dhërmiotë, palasiotë dhe të tjerë kaluan menjëherë në Greqi dhe morën pjesë në kryengritjen çlirimtare deri në përfundimin e saj”.37

Veç argumenteve që përdoren rëndom për hyrjen e greqishtes në tre fshatrat greqishtfolëse të Himarës, - detaria, mërgimet e përkohshme, shkolla dhe kisha në gjuhën greke, - siç duket të pamjaftueshme për të shpjeguar përdorimin e greqishtes në familjet e palasiotëve, dhërmiasve, himarjotëve, së fundi del në dritë edhe ai i mbartjes së saj nga vullnetarët himarjotë pas përfundimit të luftës (e 1821-së) për pavarësinë e Greqisë:

“Shumica u kthyen, së bashku me dekoratat dhe greqishten, në vendlindjet e tyre. Kështu për disa kohë Himara u bë krahinë me banorë me tre gjuhë - shqipen, si gjuhë amtare, italishten dhe greqishten si gjuhë të dytë.38 Pra, po të pranojmë arsyetimin e K. Frashërit, greqishtja, megjithëse ishte gjuha e vërtetë amtare (Himarë, Dhërmi, Palasë) e jo shqipja, krahas italishtes, u bë gjuhë e kafenesë!

Ky perceptim është i pambështetur në fakte historike, sepse dekorata dhe greqishten i morën edhe shumë shqiptarë të tjerë të Shqipërisë së Jugut, apo epirotë, që luftuan trimërisht kundër turqve duke menduar se luftonin edhe për lirinë e tyre. Por për çudi nuk shpjegohet pse pse s’ia dolën mbanë ta kallnin në familje në Vuno, në Qeparo, në Pilur, Nivicë etj.

Kur K. Frashëri shkruan “Spiro Milo me disa qindra vullnetarë himariotë, dhërmiotë, palasiotë dhe të tjerë”, te këta “të tjerë”, që ai nuk do t’i përmend se janë edhe himarjotët shqipfolës (madje dhe shumë nga Bregdeti etj.), por që fshatrat e tyre nuk flasin greqisht. Kështu Kleanth Andoni përmend një nga kontributet e vunjotasve: “për trimat e epopesë së Mesolongjit, ku vetëm nga Vunoi u vranë 18 burra, ja disa vargje të një valleje të rëndë:

Në Mesolongje të madhe,/Mbenë taborretë tabje,/N’ato tabje plot llagëma, Ç’kishin pjellë ato mëma,/ Ato kauretë frenga, Kishin pjell’ e bërë drëra, Luftojn’ e s’u dridhej këmba.”39

Gjendja gjuhësore e krahinës së Himarës, ku bashkëjeton idioma e greqishtes me atë të shqipes, nuk është aspak rrjedhim i faktorit të pjesëmarrjes së 300 himarjotëve në Revolucionin grek. Spiromiloja zbriti në revolucionin grek me 200 himarjotë, ku nuk kishte luftëtarë vetëm nga tre fshatrat greqishtfolëse, por dhe nga Vunoi, Qeparoi e më gjerë, Konfernca e tretë panhimarjote –Dhërmi- Qershor 2011

ndërsa Kostas Haxhiantoniu, thotë se “në betejën fundit në Petra më 1829 luftojnë dhe 300 himarjotë”.40

Vasali Krapsiti41 jep një katalog me emra të luftëtarëve himarjotë në Revolucionin Grek, ku siç duket ka luftëtarë nga fshatrat greqishtfolëse ashtu dhe shqipfolëse:

Siç dëshmojnë murgjit basilianë, që raportojnë nga Himara, dhe dokumentet e Vatikanit (përveç atyre që përmendëm më sipër), greqishtja ishte një fenomen i ngulitur dhe i trashëguar kush e di qyshkur në Himarë. Kjo hipotezë mbi hyrjen e greqishtes është paralele e sajesës së martesave të himarjotëve (të tre fshatrave greqishtfolëse) me vajza greke. Sepse të mos harrojmë që nëse do të mund të ngulitej ndonjë gjuhë tjetër në familjet himarjote përmes kësaj rruge, pra luftëtarëve në troje të tjera, kjo do të ishte italishtja, ngaqë tradita e stradiotëve në Venedik e Napoli, është disa shekullore dhe nis që me vdekjen e Skënderbeut, aleat të të cilit ishin dhe himarjotët. Madje për disa shekuj një pjesë e konsiderueshme familjesh janë mbajtur me pensionet, që merrnin nga perëndimi.

Kështu p.sh. ja çfarë shkruan Liku (Uilliam Martin Lik, Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve, Migjeni 2008, fq. 101) për mikpritësin tij në Himarë, kapiten Zahariasin, të birin e Jorgjit (Ζαχαριας Γεοργιου): “Ka rreth 100 pensionistë të mbretit të Napolit në qytet, duke përfshirë edhe oficerë që paguhen nga Kapiten Zahua. Për këtë qëllim ai viziton Korfuzin çdo vit, që të marrë pagesën nga konsulli i Napolit, duke qenë përfaqësues i tij. Ai merr një pension prej dymbëdhjetë dukatesh në vit për shërbimin ushtarak që ka kryer, katër të tjerë për konsullatën ose përfaqësinë, si dhe tetë dukate për të venë e një djali që ka rënë duke kryer shërbimin.

Edhe përfundimi i K. Frashërit se greqishtja ishte “gjuha... që flitej nga disa familje të Himarës, Dhërmiut dhe Palasës”, apo se disa prej tyre banorëve të kësaj krahine e njohin greqishten, të cilën e kanë mësuar gjatë mërgimeve periodike në viset greke dhe e kanë konsoliduar gjatë arsimimit në shkollat greqishte, janë gjithashtu të pambështetura në të dhëna historike, apo dëshmi të tjera, qoftë dhe të tërthorta, e si të tilla nuk qëndrojnë, përballë realitetit historiko-social të Himarës, por edhe përballë toponimisë, onomastikës dhe vetë idiomës së greqishtes – gjuhë familjare në Palasë, Dhërmi, Himarë.

Po ashtu është nevojshme të kuptohet se greqishtja, edhe pa revolucionin grek, në shtetin e Ali Pashës ishte gjuhë e komunikimit dhe e administratës për ortodoksë e myslimanë, shqiptarë e grekë, pa dallim. Dhe dëshmitë i kemi dhënë nga Arkivi i Aliut, ku nuk ndeshen dokumente të shkruar shqip qoftë dhe me germa greke.

No comments: