Monday, June 18, 2012

Dekorohet mësuesi grek, ndihmoi fëmijën e sëmurë shqiptar

Duartrokitjet nuk mbarojnë në sallë kur konsulli i Shqipërisë në Selanik, Riza Poda, i jep drejtorit të shkollës fillore të lagjes Eukarpia në Selanik, Aleksandros Filipidis, një certifikate mirënjohje nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë të firmosur nga vete prof.dr Myqerem Tafaj. Eshtë mësuesi grek, që së bashku me 24 nxënës të klasës së gjashtë para katër vitesh, u bënë simbol i humanizmit te pashembullt, duke ndihmuar në mbledhjen e një shume të madhe parash, për t’i dhënë mundësi nxënësit shqiptar të kësaj shkolle Ilia Demiri, tëe kurohej nga kanceri në kocka, në një prej spitaleve të Francës.

“Kam në duart e mia një titull të veçante që ju përket gjithë fëmijëve të Greqisë, gjithë grekëve dhe kjo na jep mundësinë që dy popujt tanë të jenë gjithnjë të bashkuar”, thotë Aleksandros Filipidis, drejtor i shkollës fillore.

Odiseja e gjatë e dhjetëvjeçarit atëherë Ilia dhe e përpjekjeve të prindërve të tij u kurorëzua me humanizmin dhe solidaritetin e shokëve të klasës të cilët në fillim mblodhën paratë e arkave të tyre të kursimit,e me pas drejtori i kësaj shkolle sensibilizoi bashkinë e qytetit, kishën, të gjitha shkollat fillore të Greqisë dhe kudo fëmijët greke dërgonin kursimet e tyre.

“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë me të vërtetë të shkëlqyera.Edhe ky aktivitet sot tregoi për nivelin e këtyre marrëdhënieve. Ka me dhjetëra raste të tilla në Greqi ku tregohet miqësia ,bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve,familjeve shqiptare dhe greke,të cilët bëjnë shumë për njeri-tjetrin”, tha Riza Poda konsulli i Shqipërisë në Selanik.

Ne aktivitetin e organizuar nga konsullata shqiptare ne Selanik merrnin pjesë edhe përfaqësues të autoriteteve vendore. “Fëmijët na tregojnë rrugën e duhur. Më në fund të kuptojmë që nuk duhet të ketë mesazhe raciste .Ekziston dashuria,adhurimi dhe liria për barazinë edhe për bashkëqytetarin tonë. Popujt e Ballkanit duhet të jetojnë në paqe dhe të vëllazëruar”, tha Dionisis Psomiadhis, kryetari i qarkut të Greqisë së Veriut.

Në fund me një shfaqje emocionuese, fëmijët e një klase të shkollës greke kane cuar një mesazh të fuqishëm në shqip dhe në greqisht për humanizmin, fqinjësinë e mirë dhe solidaritetin midis njerëzve dhe sidomos midis fqinjëve.
Marrë nga “Top Channel”

No comments: