Monday, June 18, 2012

“Golpe” europiane?-artikull i shkruar para te dieles, por qe vlen edhe pas saj

Dr. Kesiana Lekbello

Europa pret këtë të diel një vendim nga grekët, të lodhur nga manifestimet kundër ‘ndihmave’ europiane që kishin lidhje me huanë 130 miliardëshe dhe shkurtimin e 100 miliardëve ndaj borxhit. E diela fton edhe francezët në zgjedhjen e Parlamentit. Krizës rrezikon fort vetë qëndrueshmërinë BE-së . Po pse u shthur problemi grek në një Europë që vazhdon dhe flet për unitet, mos ndoshta një “golpe” po shpërbën Europën?

Prej dy vitesh, Greqia është nën “vëmendjen” e Trojkës (BQE, KE e FMN). Në vend që të shikonim ndonjë përmirësim, Greqia u bombardua në kohë paqeje nga faktorët ekonomikë. Dihet nga erdhi ky bombardim ekonomik: nga korrupsioni masiv, mospagimi i taksave, puna në të zezë dhe Olimpiada 2004. Problemi është hajdutllëku i klasës politike greke. Pse BE lejoi shkatërrimin e një vendi pjesëtar? Për këtë BE-ja t’i japë llogari popullit grek dhe jo anasjelltas. Si i pranoi BE-ja falsifikimet e politikanëve grekë, ndërkohë ajo di t’i bëjë llogaritë? Pse nuk u thërrit austerity-ja gjermane.

Duket se Europa e Veriut kërkon të drejtojë falimentimin e kontrolluar të Greqisë, mbase edhe të vendeve të tjera me probleme me borxhet. Huaja ndaj Greqisë do të përdoret për të paguar interesin e borxhit, por asnjë euro nuk shkon për popullin. Përse? Me rikapitalizimin e bankave, ish-qeveria greke do të marrë aksione të urdhëruara pa pasur të drejtë vote në asamblenë gjenerale të bankave, grekët duhet të paguajnë për të shpëtuar bankat, që bashkë me politikanët shkatërruan vendin. Shkurtimi i borxhit me 100 miliardë mbetet në duart e privatëve, ata do të drejtojnë politikat e vendit; sovraniteti i shtetit ka marrë fund, ndaj votimet nuk i përkasin vetëm Greqisë, po mbarë BE-së.

Demokracia në Greqi dhe Europë është viktimë e kreditorëve, peshkaqenët e tregjeve. Me dakordimin që është bërë më parë në Eurogrup, Trojka dhe kreditorët zotërojnë sovranitetin e Greqisë. Trojka dhe Gjermania përsërisin që huaja ndaj Greqisë mban rekord historik, por nuk thonë që borxhet do të falimentohen edhe nga borxhe të tjera që kanë vendosur ata si huadhënës; pra borxhe mbi borxhe. Ajo që duhet të na shqetësojë tani është përçarja e politikës europiane, madje nuk ka menduar kurrë për t’u bashkuar. Nuk ekziston një Europë politike, ekziston vetëm Europa ekonomike; kriza mbetet një faktor politik dhe jo ekonomik. Pra, fati i Greqisë duket i shënuar, austerity-ja gjermane nuk lëshon pe, politika e eurozonës nuk funksionon e nuk ka një zë të përbashkët. Pas Greqisë, efekti domino do të vazhdojë, është në rrezik Portugalia, Irlanda, Spanja, Italia, Malta…dhe akoma në rrezik të vërtetë është euro. Deri më sot, BE-ja flet vetëm për ekonominë në plan të parë. Guvernatorit i BSh, Fullani, tha se “në një kohë krize, ekonomia duhet vendosur mbi politikën”. Pra, agonia e BE-së do të zgjasë.

Shumë zgjidhje teknike janë propozuar, sepse “o vjen shkatërrimi i shoqërisë, o falimentimi si shtet”. Si të dalë Greqia nga eurozona, ashtu sikurse mund të bjerë poshtë monedha euro, ajo që mbizotëron sot në Europë është kaosi ekonomik, fazë që çon vetvetiu drejt një dështimi si BE. Në kohën e krizës së një euros duhet rivendosur dhe ndërtuar një tjetër Europë. Para së gjithash duhet denoncuar “plani i ndihmës” që BE-ja nuk i dha Greqisë dhe që po kërkon të mbysë vendet e tjera anëtare. Duhet denoncuar kriminaliteti i spekulatorëve e kreditorëve, që u lejuan të arrihej deri këtu, të luanin me lekët tona, kur ne sot paguajmë borxhet e “kumarxhinjve” që hodhën kursimet e njerëzve në “bingot” e tregjeve financiare. Nuk duhet pritur më, Europa politike duhet të fitojë mbi Europën ekonomike. Përndryshe, bombardimet ekonomike do të godasin edhe vende të tjera. Loja e dominosë sapo ka filluar…në pritje të skenarëve që do të vijnë.

No comments: