Friday, June 15, 2012

Kryeministri potencial Tsipras: Duam marrëdhënie dypalëshe të mbështetura në bazën e besimit reciprok dhe marrëdhënieve më të gjera të mundshme...",


image

"Nuk duam marrëdhënie “të ngrira” me asnjë nga fqinjët tanë. Duam marrëdhënie dypalëshe të mbështetura në bazën e besimit reciprok dhe marrëdhënieve më të gjera të mundshme...", thotë Cipras për Shqip

Aleksis Cipras, kryetari i së majtës radikale greke SYRIZA, lideri djaloshar, tek i cili kanë hedhur sytë papritmas jo vetëm fqinjët por edhe e gjithë Evropa, flet për herë të parë për lexuesin shqiptar, në prag të zgjedhjeve tepër të rëndësishme, për të ardhmen e fqinjëve, por edhe të Eurozonës, të 17 qershorit, që zhvillohen në Greqi. Në një intervistë ekskluzive, dhënë bashkëpunëtorit të gazetës Shqip në Athinë, Niko Ago, Cipras flet për planet e tij qeverisëse, për Eurozonën, për borxhet e Greqisë, për të Majtën, por nuk i shmanget as përgjigjes për marrëdhëniet shqiptaro-greke, si dhe për temën shumë të përfolur, atë të marrëveshjes së ujërave territoriale.
Z. kryetar, kur u ngjitët në krye të Koalicionit të Radikalëve të Majtë, kishit menduar se, shumë shpejt, mund të “ftoheshit” të qeverisni?
E vërteta është se, një alternativë e tillë, nuk ishte aspak në axhendë. Jo vetëm se kjo perspektivë dukej tejet e largët, por edhe për faktin se, të Majtën e preokupojnë mjaft çështje të tjera. Sikurse janë marrëdhëniet e saj me lëvizjet qytetare si dhe kontakti më i ngushtë me shtresat që do të përfaqësojë. Por, dy vjet “depresioni” të tmerrshëm ekonomik dhe masave shtrënguese që po e pasojnë, shkaktuan ndryshime rrënjësore në skenën politike. Partitë tradicionale qeverisëse po shemben dhe populli i drejtohet së Majtës, nga e cila kërkon shpresë dhe rrugëdalje. Qeverisja nuk është qëllim në vetvete për SYRIZA-n. Përbën mjet për të ndryshuar të ardhmen dhe për t’i dhënë shtysë barazisë, demokracisë dhe solidaritetit social.

Cili është, sipas jush, avantazhi më i madh që ka SYRIZA, ndaj partive të tjera rivale, në këto zgjedhje?

Në periudhën dyvjeçare, që shoqëria greke “shtyhej” drejt papunësisë masive dhe varfërisë, dy partitë tradicionale të pushtetit, morën përsipër realizimin e politikës më katrastrofale që u ushtrua ndonjëherë në Greqi. Për sa na përket, shpjeguam përse kjo politikë na fut gjithnjë e më thellë në një rreth vicioz rënieje ekonomike dhe përkeqëson problemin e borxhit, në vend që ta zgjidhë atë. Së fundi, propozuam si rrugëdalje anulimin e Memorandumit dhe rinegocimin e Greqisë me huadhënësit e saj, mbi një tjetër bazë. Ky pozicion politik i qëndrueshëm, ishte edhe faktori kryesor që e Majta greke shkon drejt 17 qershorit e përkrahur nga një shumicë sociale, e cila ka “përqafuar” programin e saj.

Nëse fitoni zgjedhjet dhe formoni qeverinë, do të jetë hera e parë që një parti e Majtë greke do ketë bërë të mundur diçka të tillë. Mund të bëjmë fjalë për një triumf personal apo thjesht, u poqën kushtet?

Një rezultat i tillë është i natyrshëm, kur një shoqëri i reziston shpërbërjes së saj. Është përgjigjja ndaj zbatimit të detyrueshëm të një programi që çon me saktësi matematike drejt falimentimit, daljes nga Eurozona, humbjes së sovranitetit kombëtar, uljen dramatike të nivelit të jetesës, si dhe humbjen e të drejtave më themeltare. Kësisoj, ndërkohë që sistemi politik po shembet, i hapet rruga një qeverie të së Majtës. SYRIZA bashkon grupime sociale rreth një alternative tjetër, e cila parashikon shkëputjen e vendit nga një politikë e detyruar rënieje ekonomike.

Marrëdhëniet greko-shqiptare, kohët e fundit, kanë rënë në “batak”. Ç’parashikoni të bëni për rigjenerimin e tyre z. Cipras?

Nuk duam marrëdhënie “të ngrira” me asnjë nga fqinjët tanë. Duam marrëdhënie dypalëshe të mbështetura në bazën e besimit reciprok dhe marrëdhënieve më të gjera të mundshme. Përvoja e viteve të kaluara tregoi se, kur nacionalizmi i të dyja palëve u mund, shërbeu si faktor bazë për konsolidimin e marrëdhënieve si dhe i shërben bindshëm zgjidhjes së problemeve dypalëshe, sikurse është, bie fjala, emigracioni. Nga forcimi i marrëdhënieve, vetëm të fituara do të dalin dy vendet tona. Jo vetëm në rang bashkëjetesës harmonike, por edhe në një sërë fushash me interes të përbashkët zhvillimi.

Duhet të dini, z. Cipras, që mes dy vendeve ende qëndron pezull nënshkrimi i marrëveshjes për ujërat territoriale. Planifikoni, nëse merrni qeverisjen, të nisni negociata të reja me palën shqiptare?

Primare në programin tonë është të nisim menjëherë negociatat e nevojshme me të gjitha vendet e interesuara fqinje, me qëllim që, pas nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe, të nisë përcaktimi i Zonave Ekskluzive Ekonomike të çdo vendi. Në këto procedura, do të shkojmë në bazë të së Drejtës Ndërkombëtare si dhe Konventës për të Drejtat Detare.

Kundërshtarët tuaj iu akuzojnë se doni të nxirrni vendin nga Eurozona. E keni përgënjeshtruar disa herë por, meqenëse kjo u intereson edhe qindra mijëra shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Greqi, doni të shtoni diçka?

Dalja e Greqisë nga Eurozona nuk është plan i askujt. Një zhvillim i tillë, do të ishte jo vetëm në dëm të ekonomisë greke, por edhe në tërësi të ekonomisë europiane. Prandaj dhe ne vlerësojmë se, në këto çaste, një rinegocim i Greqisë me huadhënësit e saj, është strategjia më e drejtë për të dyja palët. Rreziku i daljes së Greqisë nga Eurozona i kanoset vendit, vetëm nëse vazhdon të jetë i bllokuar në politikën e sotme të kursimeve të ashpra.

Vërtet, a ka ndryshuar diçka në strategjinë tuaj për krijimin e qeverisë? Këmbëngulni në vendimin tuaj, të qeverisni vetëm me parti të majta?

Këmbëngulim në zbatimin e programit tonë, i cili parashikon anulimin e Memorandumit, nëpërmjet të cilit diktohet politika e masave të rrepta shtrënguese, të rinegociojmë me huadhënësit tanë dhe të nisim një plan kombëtar për rimëkëmbjen ekonomike, solidaritetin social, si dhe konsolidimin fiskal. Këtë mund ta arrijë vetëm një qeveri e së Majtës. Partitë tradicionale qeveritare, po shemben bashkë me dështimin me potere të politikës së tyre. Zgjedhjet e 17 qershorit do hapin rrugën për një qeveri të tillë, përmes fitores së SYRIZA-s dhe forcave të Majta.

Hyrja në Parlament e Agimit të Artë (Xrisi Avgji) u pasua me një sërë sulmesh kundrejt emigrantëve. A kanë vend në sistemin politik, të tilla formacione? Mund të diskutohet për nxjerrje jashtë ligjit të organizatës në fjalë?

Të tilla formacione, as në politikë dhe as në shoqëri, nuk kanë vend. Bëhet fjalë për banda kriminale dhe jo për formacione politike. Në Greqi, është ngjallur një problematikë e vërtetë, për faktin që 440.000 grekë, “përkthyen” dhunën, përdorimin e thikave dhe urrejtjen raciale, si qëndrim ndaj sistemit dhe votuan ata tipa. Urgjente është të rimendohet ai elektorat më me pjekuri, kujt ia dha votën dhe çfarë pret nga ata?! Më urgjente dhe më e domosdoshme nga nxjerrja jashtë ligjit, është që neonazistët kriminalë të veçohen nga shoqëria.

Zoti Cipras, edhe pse do më thoni se është shpejt diçka e tillë, nuk po i shpëtoj dot tundimit: nëse pas datës 17 qershor, merrni postin e kryeministrit, është në planin tuaj një vizitë në Shqipëri?

Është me të vërtetë shpejt, mirë e parashikuat përgjigjen. Të gjitha energjitë tona janë të përqendruara te zgjedhjet e 17 qershorit si dhe te hapat e parë paszgjedhorë që duhet të bëhen, në rast se rezultati është ai që presim. Domethënë, një humbje e forcave spekulative dhe shkatërrimit social, dhe një fitore e madhe e së Majtës dhe e popullit grek. Të tjerat vijnë më pas. (SHQIP)

No comments: