Friday, September 21, 2012

Universiteti Äristotelios"i Thesaloniqit ve ne dispozicion sallat per mesimin e gjuhes shqipe

Mësimi i shqipes në Greqi, ende nuk ka tekste shkollore

Për pak ditë në qytetin e Selanikut si në shumë qytete të tjera të Greqisë, fillon viti shkollor i mësimit të gjuhës shqipe, për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. 
Në Selanik dhe Janica, është viti i 9 që një grup mësuesish, anëtarë të shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Nënë Tereza” zhvillojnë mësim vullnetar, për t’iu mësuar fëmijëve të bashkatdhetarëve gjuhën e nënës, ta shkruajnë dhe ta lexojnë atë drejt. 
Interesi i fëmijëve është rritur me kalimin e kohës dhe vitin e kaluar, vetëm shkolla e Selanikut numëronte 123 nxënës. Nxënësit zhvillojnë mësim në kushte shumë të mira, në sallat e Universitetit “Aristoteli” të Selanikut. Falë një marrëveshjeje që Shoqata “Nënë Tereza” ka bërë me drejtuesit e Universitetit, këta të fundit ofrojnë sallat e mësimit për nxënësit tanë në çdo vit shkollor. 
Duket sikur gjithçka shkon shumë bukur; interesi i nxënësve nuk mungon, mësues vullnetarë ka gjithashtu, mjediset janë të siguruara, të mëdha, të ngrohta e me dritë, por kur nxënësit të ulen në banka, natyrisht iu duhen tekstet mësimore, abetarja ose libri i gjuhës shqipe. Kur vjen puna këtu, problemi ndërlikohet, edhe pse është një çështje që lidhet me Shqipërinë dhe si e tillë duhet të ishte shumë e thjeshtë. 
Që kur mësimi ka filluar në Selanik, Janica e qytete të tjera të Greqisë, librat janë siguruar nga vetë mësuesit, të cilët mblidhnin privatisht libra të vjetër, por kjo u bë e pamundur kur numri i nxënësve filloi të rritet. Në vitin 2006, krerët e shoqatës zhvilluan një takim me ish ministrin e Arsimit Genc Pollo dhe ish ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj, takim që u pasqyrua edhe nga mediat në atë kohë duke shërbyer si një reklamë e mirë, për interesin e qeverisë ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi. 

Ka tre vjet, që librat vijnë nga Tirana në ambasadën shqiptare në Athinë dhe prej andej shpërndahen, por vonesat janë shumë të mëdha, gjë që shton vështirësitë në realizimin e programit mësimor, po të kemi parasysh edhe faktin që fëmijët bëjnë mësim vetëm një herë në javë dhe çdo klasë mëson me abetare të autorëve të ndryshëm. 
Kur flasim për shkollat shqiptare në Greqi, të cilat janë për t’u marrë shembull nga të gjitha vendet e botës, ku ka komunitete shqiptarësh, të vjen në mend filmi “Mësonjëtorja” dhe mësuese Dafina me vështirësitë që haste dhjetëra vjet më pare, për t’iu mësuar fëmijëve gjuhën e nënës. Sot kur kohët kanë ndryshuar, vështirësitë vijnë andej nga s’ta pret mendja. Universiteti grek “Aristoteli” i Selanikut ndihmon për zhvillimin e mësimit, ndërsa problemi ngec aty ku duhet të merrte udhë, te qeveria shqiptare, e cila e sheh pajisjen me tekste të këtyre shkollave, si problemin e dorës së fundit. 

Mësuesit dhe fëmijët shqiptarë në Selanik nuk kërkojnë asgjë më shumë, veçse Abetaren e gjuhës shqipe dhe presin që ajo të mbërrijë tek ata, në mënyrë që mësimi të fillojë mbarë. Edhe sikur “donatorët” ta përdorin pajisjen me libra si reklamë të punës së tyre në ndonjë kronikë televizive. Vetëm të mos harrojnë se mësimi i gjuhës amtare, shënon tek fëmijët formimin e plotë të identitetit, gjë që nuk lidhet vetëm me identitetin kombëtar por dhe atë personal, pa të cilin nuk mund të ndërtojmë një të ardhme me dinjitet si komb.


Ballkanweb.com

No comments: