Friday, December 14, 2012

Arvizu: Personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike

1
Ambasadori Alexandër Arvizu ka deklaruar se deklaratat nacionaliste të kohëve të fundit janë bërë për qëllime të ngushta politike dhe se SHBA nuk i mbështesin ndryshimet e kufijve në Ballkan.
Gjatë fjalimit të tij mbajtur në Konferencën e 15-të Ndërkombëtare mbi Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, diplomati amerikanë ka deklaruar se kohët e fundit, aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin: “mesazhe negative të fokusuara në etnicitetin për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike, nëse zgjohen njëherë, janë të vështira, nëse mos të pamundura për t’u parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Më lejoni të jem i qartë si kristali: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtarë në rajonin e Ballkanit. Çdo përpjekje për ta bërë këtë, është kundërproduktive dhe destabilizuese”, ka deklaruar ambasadori Arvizu.
Diplomati amerikan ka theksuar më tej se sfida për shqiptarët dhe gjithë Ballkanit Perëndimor është integrimi në BE dhe NATO.”Shqipëria qëndron sot si një shembull ndriçues i tolerancës dhe i përfshirjes. Rruga që shtrihet përpara për shqiptarët dhe për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor është e qartë: integrim më i madh përmes NATO-s, Bashkimit Europian dhe institucioneve Euro-Atlantike, dhe refuzim i vendosur ndaj praktikave përçarëse që nuk kanë vend në shekullin e 21-të”,- ka thënë Arvizu.
14 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)

No comments: