Tuesday, January 01, 2013

Te vertetat e thjeshta

NUMËRIM ME GISHTA

xhaxhai.wordpress.com


Botimi i rezultateve kryesore të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Shqipëri për vitin 2011, të realizuar nga INSTAT-i, u shoqërua me polemika të mëdha.
Veçanërisht u kontestuan të dhënat për përbërjen fetare të popullsisë dhe për pakicat.
Censusi numëroi një popullsi prej 2 800 138 vetësh, nga të cilët 82.58% u deklaruan të “përkatësisë etnike dhe kulturore” shqiptare, 0.87% (24,243) të “përkatësisë etnike dhe kulturore” greke, 0.20% (5,512) të “përkatësisë etnike dhe kulturore” maqedonase, 0.12% (3,368) të “përkatësisë etnike dhe kulturore” egjiptiane, e kështu me radhë; në një kohë që 390,938 vetë, ose 13.96%, preferuan të mos përgjigjen.
Ndërkohë, myslimanët në Shqipëri rezultojnë të jenë 56.70% e popullsisë (1,587,608), pa llogaritur bektashinjtë (2.09%/58,828); ndërsa katolikët janë 10,03% (280,921) dhe ortodoksët 6.75% (188,992); edhe për këtë kategori, 13,79% ose 386,024 vetë preferuan të mos përgjigjen.
Sipas një kriteri tjetër, 98.767%  të pyeturve kanë deklaruar gjuhën shqipe si gjuhë amtare; ndërsa greqishten vetëm 0.5%, maqedonishten 0.2% dhe arumanishten 0.1%.
Debate kanë ngjallur, në këto shifra, edhe përqindja e popullsisë së krishterë të besimit ortodoks (6.75%), edhe të dhënat për pakicat.
Kështu në vështrim të parë duket e vështirë të besosh që në Shqipëri ka gjithsej 188,992 të krishterë ortodoksë – po të mbahet parasysh që shqiptarë të kësaj feje kanë jetuar tradicionalisht në Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Myzeqe, Berat, Pogradec, Korçë, Kolonjë, Përmet, Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë; pa llogaritur këtu edhe vllehët (arumunët), maqedonasit dhe grekët etnikë, të cilët i përkasin gjithashtu asaj feje.
Veçanërisht në qarqet e Korçës (220,357 banorë), Fierit (310,331 banorë), Gjirokastrës (72,176 banorë), Beratit (141,944 banorë), Vlorës (175,640 banorë) Durrësit (262,785 banorë) dhe Tiranës (749,365 banorë) prania e komuniteteve të krishtera ortodokse (etnike shqiptare dhe joshqiptare) ka qenë tradicionalisht e tillë, sa të na e bëjë të pabesueshme shifrën prej 188,992 banorësh të kësaj feje, që rezulton të ketë mbarë Shqipëria, sipas Censusit.
Sipas një deklarate reaguese të KOASH-it, e cila nuk i ka njohur rezultatet e Censusit, në bazë të të dhënave që disponon vetë Kisha, “numri i të krishterëve ortodoksë e tejkalon 24% të popullsisë së Shqipërisë.” Kështu me intuitë, duket sikur kjo shifër alternative i përgjigjet më mirë realitetit, sidomos po të merret si pikënisje përkatësia kulturore ose e prejardhjes, jo praktika e besimit fetar. Reagimi i mëtejshëm këtu.
Ende nuk kemi parë gjëkundi ndonjë shpjegim çfarëdo, për këtë mospërkim midis të dhënave dhe pritjeve të arsyeshme, që kujtdo e ka një ide për strukturën fetare-kulturore të popullsisë së Shqipërisë.
(Përkundrazi, kemi parë dhe ngrënë disa reagime gjysmake, nga palë të ndryshme ndonjëherë edhe në skajet e spektrit politik, të cilat nga padija ose për interesat e tyre private duan që këtë rënie të përqindjes së të krishterëve ortodoksë në popullsinë e Shqipërisë ta trajtojnë si dukuri të njëjtëme diferencën midis pretendimeve të ekzagjeruara të disa qarqeve greke brenda dhe jashtë Shqipërisë për numrin e grekëve etnikë në Shqipëri, dhe numrin e po këtyre grekëve etnikë të dalë nga Censusi i tanishëm.)
Të dhënat komprometohen më tej edhe nga dy faktorë jostatistikorë: humbja dramatike e besueshmërisë së institucioneve publike të administratës Berisha nga njëra anë; dhe thirrjet e vazhdueshme të palëve të ndryshme për bojkotim të censusit (veçanërisht nga përfaqësues të pakicave etnike), gjatë muajve kur ky ishte duke u zhvilluar.
Nga këta faktorë, i pari është veçanërisht përcaktues – meqë administrata e tanishme është kapur shpesh duke i manipuluar të dhënat në favor të saj dhe të politikave të partive në fuqi. Kësisoj, INSTAT-it i ka rënë besueshmëria dhe i ka humbur autoriteti, pavarësisht nga cilësia e të dhënave që prezanton.
Institucionet publike në Shqipërinë e sotme e kanë humbur kontaktin me të vërtetën.


No comments: