Sunday, February 03, 2013

DEKLARATË – Nikolla Marku nuk është prift, ai është një mashtrim i vazhdueshëm i opinionit publik


Posted by in Deklarata, KOASH, Media, Polemike


LOGO KOASH bw ssmall
KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Sinodi i Shenjtë
DEKLARATË
Nikolla Marku nuk është prift, ai është një mashtrim i vazhdueshëm i opinionit publik.
    Kohët e fundit, janë shtuar sulme në drejtime të ndryshme kundër komunitetit orthodhoks të Shqipërisë. Mes tyre është dhe shfaqja në mënyrë të përsëritur në media e Nikolla Markut nga Elbasani si prift orthodhoks.
Jemi të detyruar të ri-informojmë opinionin publik për mashtrimet flagrante të këtij të vetëshpallur prift orthodhoks i Shqipërisë. Ai nuk njihet si prift nga asnjë Kishë Orthodhokse në botë, as nga ndonjë Kishë tjetër apo konfesion i krishterë dhe as nga Shteti Shqiptar.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, i vetmi Institucion fetar orthodhoks në Shqipëri, deklaron zyrtarisht, në mënyrë të përsëritur, se Nikolla Marku nuk është prift. Vetëshpallja e tij si prift nuk e bën atë klerik, as nuk e bën të pranueshëm nga të tjerët si të tillë. Nëse dikush e shpall veten “kirurg”, “profesor” i një universiteti që nuk ekziston, a do të lejohej vallë të mashtronte njerëzit?
Veprimet e tij të paligjshme vazhdojnë edhe sot e kësaj dite duke keqpërdorur dhe duke mbajtur të uzurpuar një monument kulture, që ende sot mbahet nga shteti, Kishën e Shën Marisë në lagjen “Kala” Elbasan.
Është e qartë se ai vazhdon të përdoret dhe vetëpërdoret në mënyrë të përsëritur nga qarqe ekstremiste për sulme antiorthodhokse. Por, sado të përpiqet të paraqitet si superpatriot, ai është një kukull në duart e të tjerëve. Me sakrilegjet e përditshme që bën fyen rëndë dhe përdhos fenë e krishterë dhe jetën fetare të Shqipërisë edhe më keq se në regjimin e mëparshëm dhe mashtron në mënyrë flagrante opinionin publik shqiptar.
Përfaqësuesi i Sinodit të Shenjtë
Episkopi i Apollonisë, Nikolla
31.01.2013

No comments: