02
Saturday
Feb 2013
Dom Gjergj Meta

Laikja dhe fetarja janë përplasur në Korçë, në teatrin e saj
shekullar, falë një drame të politikanit Namik Dokle, e cila sipas një
grupi besimtarësh ortodoksë e më pas Mitropolisë së Korçës, është
cilësuar si blasfemike dhe fyese e figurave të fesë ortodokse. Ka patur
reagime edhe në shtyp dhe është folur për cenim të harmonisë ndërfetare,
ndërhyrje të fesë në laicizëm e të tjera, duke nxjerrë në pah opinione
kundërshtuese si në çdo rast tjetër. Reagimit të Mitropolisë i është
shtuar edhe Myftinia e Korçës që gjithashtu e ka cilësuar pjesën si
blasfemike. Ju shihni blasfemi apo ndërhyrje të fetares te laikja? A
janë të ndara qartë këto të dyja në Shqipëri?
E
ndërlikuar kjo historia e “Shën Marisë së Beratit”. Janë të përziera së
bashku shumë elementë e ndjesi ndërsa ndjek titujt dhe tekstet e
debateve te zhvilluara. Religjioni dhe arti, fetarja dhe laikja, kohorja
dhe shpirtërorja. Të ngjan nganjëherë me disa përpjekje që janë bërë
këto kohët e fundit për të krijuar mister apo sensacion përreth
personazheve fetare dhe historike me anë të një lloj danbrownizmi të
përhapur, por i gatuar me salcë shqiptare. Këto ditë, qyshse u hap
polemika mbi çështjen e shfaqjes së dramës “Shën Maria e Beratit”, me
autor Namik Doklen, artikuj e polemika kanë shkuar e kanë ardhur.
Desha të informohem më mirë mbi rastin. Bleva librin Shën Maria e Beratit, ku
gjenden katër drama të autorit Namik Dokle, ndër të cilat edhe drama me
të njëjtin emër. Më pas lexova një pjesë të artikujve të dalë nga dita
që nisi polemika, si p.sh. Alfred Lela, Rudina Xhunga, Enkel Demi, Arben
Kallamata, të gjitha në gazetën “Mapo”. Jo vetëm kaq, por për hir të
ndershmërisë së punës takova edhe një mikun tim dramaturg, të cilit i
bëra disa pyetje mbi ndryshimin që ndodh me kalimin e një drame nga
teksti te shfaqja. Më duhet të them se e gjitha kjo më bëri mirë për
krijimin e një kulture përreth këtij zhanri. Si akt të fundit lexova
dramën fillim e mbarim, por nuk kam parë shfaqjen, çka përbën edhe një
limit në vlerësimin tim dhe në përgjigjen e pyetjes së drejtuar nga
‘Mapo Weekend’.
Po
e nis me polemikën. Nuk është e para e llojit të vet në Shqipëri e në
botë. Kujtojmë humorin që në skenën e Festivalit shqiptar të këngës në
vitin 2002 bënë Agron Llakaj me Agim Bajkon duke imituar Papën Gjon Pali
II. Kisha katolike në Shqipëri reagoi menjëherë, saqë drejtori i TVSH
së asaj kohe, Artur Zheji i kërkoi ndjesë publike Kishës Katolike në një
takim me Imzot Rrok Mirditën. Edhe atëherë u ngrit një tymnajë e madhe
përreth faktit. Reaguan të gjithë, kush pro, kush kundër këtij akti të
TVSH-së. Fati ka dashur që atë mbrëmje unë të isha në sallë për të parë
Festivalin e po aty ishte edhe një miku im meshtar. Unë desha të
ngrihesha e të ikja në shenjë proteste personale (pa bërë zhurmë
sigurisht), pasi m’u duk fyes fakti që dikush tallej me defektet fizike
të një njeriu e sidomos kur ky njeri ishte edhe lideri im shpirtëror.
Megjithatë nuk u ngrita dhe e pashë deri në fund spektaklin edhe nën
sugjerimin e mikut tim prift. Po ashtu para do kohësh marka e prodhimeve
‘Benetton’ bëri një reklamë ku paraqitej Papa Benedikti XVI me Imamin
Ahmed el Tayyeb duke u puthur. Menjëherë Vatikani reagoi dhe reklama u
hoq nga qarkullimi. Po ashtu dimë edhe reagimet që kanë të bëjnë me
romanin e Dan Brown, Kodi Da Vincci apo edhe me filmin Pafajësia e myslimaneve.
Edhe pse në rrafshe të ndryshme e mënyra të ndryshme, reagime ka pasur
nga bota religjioze edhe në rastet e sipërpërmendura. Sa për ata që
mendojnë se nuk mund të ketë një ligj kundër blasfemisë, po iu them se
në Kodin Penal italian nenet 403, 404 e 405 dënojnë sharjen ndaj
religjionit dhe institucioneve të tij. Reagimi ndaj diçkaje që fyen
ndjenjat e thella religjioze të dikujt është më se i ligjshëm. A nuk
bëjnë kështu edhe LGBT, po të shfaqësh sadopak homofobi në ambiente
publike? Pse kjo e fundit po, e ajo tjetra jo? Në këto raste ama jemi
gjithmonë në zgrip të greminës. Pasi mund të reagojmë në një mënyrë të
qytetëruar nëpërmjet kritikës dhe një proteste qytetare, por edhe
nëpërmjet së njëjtës monedhë duke bërë çka bën tjetri. Në këtë pikë
mendoj që askush nuk mund të shkojë në një sallë teatri e të ndërpresë
një shfaqje kur ajo luhet si në rastin e Korçës. Por nga ana tjetër,
askush nuk mund t’i mohojë të drejtën Metropolisë së Korçës të reagojë
ndaj asaj çka ajo e quan blasfemike e të ftojë besimtarët qoftë edhe për
bojkot ndaj shfaqjes. E sa për ata që e quajnë religjionin ende si
diçka që i përket kohës së errët, ngjan shumë ose me një propagandë
bazike (vulgare) komuniste, ose akoma më keq, me ata gjimnazistë që për
herë të parë kanë rënë në kontakt me Niçen e Marksin dhe bëhen rebelë
ndaj gjithçkaje edhe ndaj religjionit.
Mendoj
gjithsesi, pa e parë dramën të vënë në skenë, por duke lexuar vetëm
tekstin, se nuk kemi të bëjmë me akte patriotizmi të autorit sikurse
dikush u nxitua të thërriste. Është një histori e rëndomtë që gjendet
nëpër të gjitha letërsitë me damar danbrownist. Një lloj imitimi në
zhanër dramatik i romaneve të Ben Blushit. Një lloj shartimi midis një
kulture bizantine dhe emrave latinë, sikurse p.sh. murgesha Xhozepa, apo
Maria, apo Tereza. Xhozepa (hera-herës Zhozefa) si emër nuk ekziston
fare në shqip se duhet të jetë o Xhiuzepa, o Xhiuzepina, o Pina ose më
mirë Jozefina, sepse kështu do t’i shkonte më shumë për shtat fakti që
në gojën e kësaj murgeshe, që jetonte me murgjit (kushedi çfarë lloj
manastiri paskësh qenë ky kaq i përzierë) dalin disa fjalë gege të thëna në një manastir jugor si p.sh. “do ta kisha nxjerrë për zhelesh përjashtë (murgun)”.
Autori
duhet të ketë dëgjuar sigurisht edhe historinë e Karavaxhos, piktorit
të mallkuar, që për të portretizuar Fjetjen e Hyjlindëses thonë se mori
fytyrën e një prostitute që kishte gjetur në lumin Tevere në Romë të
vdekur. Ajo vepër e komisionuar për një Kishë në Romë, Zoja e Shkallës,
nga një familje aristokrate romake nuk u pranua kurrë, por tashmë është
një nga kryeveprat e artit botëror. E ka sjellë edhe këtë në një version
alla shqiptarçe. Nuk e shoh unë blasfeminë në faktin që sytë e
murgeshës Mari janë marrë për të pikturuar sytë e Hyjlindëses e as nuk
shoh patriotizmin në faktin që Murg Kozmai i dërguar nga Patriarkana na
qenkësh një intrigant e një vrasës që paguan të tjerët për të vrarë, na
vihet në dritë negative. As nuk shoh patriotizëm në shenjtërimin e
Kostandinit, vëllait legjendar të Doruntinës, pasi patriotizmi dhe
atdhedashuria ime nuk mbështetet në mite. Unë thjesht në këtë dramë nuk
shoh asgjë…
Mua
më shumë më trishtojnë reagimet me sfond nacionalist që ende hedhin
benzinë mbi zjarrin e konflikteve etnike në territorin tonë të brishtë.
Disa për të mbrojtur greqizmin, e disa shqiptarizmin. Ekstremet tërhiqen
e dalëngadalë bëhen të ngjashme. Ky po që është rrezik i madh.
via MAPO.
No comments:
Post a Comment