Sunday, April 14, 2013

Dule: Kushti për koalicion me PS, jo AK ose PDIU. Ankimimi i paktit detar, gabim fatal i PS-së.


Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule i ftuar në emisionin “Bugajski Hour” në “Albanian Screen” e cilësoi gabim fatal vendimin e Partisë Socialiste për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, paktin detar me Greqinë. Lidhur me aleancat në zgjedhje, Dule la të kuptohet se do t’i bashkëngjitet atij koalicioni ku nuk do bëjnë pjesë Aleanca Kuqezi dhe PDIU.

Sa elastikë jeni ju mbi koalicionin të cilit do i bashkangjiteni apo e keni ndarë mendjen për t’u bashkuar me koalicionin e drejtuar nga PS apo nga PD? 

Ne kemi qenë një zë i fortë opozitar brenda dhe jashtë parlamentit gjatë këtyre katër viteve. Ne mendojmë se ky ishte një mandat i humbur qeveritar. Ishte një dështim që në gjenezë. Ndërsa jemi tepër kritikë në lidhje me qeverinë, jemi kritikë edhe ndaj opozitës. Kemi kërkuar një vizion më të qartë, një strategji dhe taktika. Nëse qeveria po shkon normalisht drejt fundit të këtij mandati, që është një dështim i vërtetë, kjo në njëfarë mase, po ndodh për shkak të politikave të pavolitshme të ndjekura nga opozita. Tani duhet të zgjedhim. E dimë që sistemi zgjedhor është i padrejtë, dhe penalizon veçantërisht partitë e vogla. Kandidimi më vete në zgjedhje është thuajse vetëvrasje. Pra, duhet të marrim një vendim për t’u bashkuar me radhët e njërit koalicion apo tjetrit.

Ç’duhet t’ju ofrojë njëra palët, cilatdo qoftë ajo? Ç’politika duhet të ndjekin ato që të hyni në koalicion me to? 

Tradicionalisht, ne kemi qenë parti pa paragjykime. Kemi bashkëpunuar si me demokratët ashtu dhe me socialistët. Caku ynë i vetëm janë partitë që nuk ndajnë vizionin evropian dhe s’e zbatojnë me përpikmëri sundimin e ligjit, dimensionin njerëzor, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e minoriteteve.

Cila parti i shkon për shtat këtij përshkrimi që sapo bëtë? 

Është e qartë se vitet e fundit, kemi pasur parti politike të themeluara mbi këto baza dhe që kanë vepruar mbi këto parime. Dimë që për herë të parë pas një serie raportesh që vlerësonin qëndrimin konstruktiv të Shqipërisë mbi paqen, bashkëpunimin dhe prosperitetin në rajon, vitin që shkoi dëgjuam një këmbanë tjetër që ra në Bruksel, dhe ajo ishte kundër nacionalizmit. Dhe opinioni publik e ka të qartë se cilat janë këto parti. S’kemi asgjë të përbashkët me partitë që janë kundër fqinjësisë e miqësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit.

Besoj se e keni fjalën për Aleancën Kuq e Zi?! 

Aleanca Kuqezi, PDIU, madje edhe politikanë të veçantë në radhët e dy partive të mëdha. Është një situatë tepër e ndërlikuar. Të gjitha përpjekjet që po bëhen, që kanë si qëllim krijimin e koalicioneve, në thelb varen nga hollësi teknike. Ky do jetë problemi i madh i të nesërmes për vendin. Kur krijohen koalicione, që s’bazohen në programe, alternativa, qëllime të përbashkëta, por ngrihen vetëm mbi numra, atëherë ju jeni i destinuar të mos keni vijueshmëri pas zgjedhjeve.

Mund të na thoni numrin e popullsisë greke në Shqipëri? 

Qeveria shqiptare premtoi se censusi i 2011-ës, do zhvillohej sipas standardeve. Anëtarët e të gjitha minoriteteve në vend e bojkotuan censusin. Dhe pas kësaj, dolën edhe rezultatet qesharake që tregonin se në vend jetonin 25 mijë anëtarë të minoritetit etnik grek. Për ne, këto rezultate janë të pavlefshme. Ne nuk e njohim atë census dhe as rezultatet e tij.
Pas kësaj, OMONIA zhvilloi regjistrimin e vet. Përfundoi në fund të janarit, dhe presim që rezultatet të shpallen në fund të verës.

Për sa i përket anketës së bërë nga OMONIA, cili është numri, përafërsisht, siç e themi në SHBA, i grekëve në Shqipëri? 

Mund të them se është shumë më i lartën ga ç’tregoi censusi zyrtar.

Ç’nënkuptoni me shumë më tepër? Dyfish? Trefish? 

Shumë më tepër.

Ku mendoni se të drejtat e minoritetit janë realizuar në mënyrë të pamjaftueshme? 

Ne nuk mund të përmendim as edhe një të dhënë pozitive në këtë aspekt, dhe fatkeqësisht në kalendat e këtyre njëzet e dy viteve të fundit, dy vjet më parë ne patëm vrasjen e parë të urrejtjes etnike në Himarë. Aristotelis Gumas u vra për shkak se ai po fliste gjuhën e tij amtare, greqishten. Problemet kryesore kanë të bëjnë së pari me statusin e pronës në viset ku jetojnë pjesëtarët e minoritetit grek. Problematika e dytë më e rëndësishme është ajo e arsimimit. Ne nuk kemi një shkollë publike në gjuhën greke që të funksionojë jashtë të ashtuquajturave zona minoritare, të imponuara gjatë regjimit komunist. Me përjashtim të tri qyteteve: Gjirokastrës, Sarandës dhe Delvinës. Në Himarë, ndonëse autoritetet ndërkombëtare, KiE dhe OSBE-ja thonë se ka një komunitet grek atje, ne jemi të shtrënguar të kemi një shkollë private atje. Në Korçë kemi të njëjtën situatë. Ndërkohë që kemi më tepër se sa 600 studentë që ndjekin shkollën greke, ne s’kemi një shkollë publike atje. Aspekti tjetër që është tejet problematik, tekstet e historisë, madje dhe në zonat ku veprojnë shkollat publike në gjuhën greke janë tej mase problematike. Fëmijë të moshës 10, 11 apo 12 vjeçare janë shpeshherë të detyruar të mësojnë e të riprodhojnë teori që flasin kundër kombit të tyre grek. Dhe fatkeqësisht, këto probleme po intensifikohen me çdo vit që kalon.

Mund të na tregoni një shembull? 

Si për shembull, grekët kanë shkelur gjithnjë integritetin territorial të Shqipërisë. Dhe grekët gjithnjë kanë dashur më të keqen për shqiptarët, e kështu me radhë. Pra, kjo është tejet problematike dhe tejet e rrezikshme. Si mund ta helmojmë ne ndërgjegjen e këtyre fëmijëve me teori të këtilla! Pra, situata është tejet e vështirë në këtë aspekt dhe kështu ne mund të vazhdojmë me prezencën e pjesëtarëve të minoritetit etnik grek në administratën publike, ndërkohë që ne kemi patur përqindje mjaft të kënaqshme në çdo aspekt të jetës së vendit përpara viteve ’90, duke filluar nga bota akademike, nga ushtria apo forcat e sigurisë, e deri te trupi diplomatik. Sot, vështirë të gjesh ndonjë diplomat me origjinë etnike greke. Gjatë viteve 1995-96, ushtria u spastrua nga pothuajse të gjithë oficerët me prejardhje greke. Dhe kjo situatë vazhdon madje dhe sot. Edhe në aspekte të tjera, edhe në institucione të tjera, ne nuk kemi ndonjë antar në Gjykatën Kushtetuese të vendit. Ka shumë pak në nivele të tjera të sistemit gjyqësor. Pra, është një problem mjaft i madh. Paragjykimet dhe stereotipet shoqërojnë çdo pjesëtar të minoritetit etnik grek, sidomos nëse ai synon një pozitë në trupin diplomatik, në ushtri, në forcat e sigurisë, e kështu me radhë.

Ju mendoni se kjo retorikë nacionaliste që shfaqet herë pas here në debatin politik do të përshkallëzohet gjatë fushatës elektorale? 

Them se reagimi i komunitetit ndërkombëtar, pikë së pari i SHBA-së dhe i BE-së, erdhi në kohën e duhur. Tani ai po funksionon! Dhe unë shpresoj që ata do të ndalin përshkallëzimin e rrezikshëm, sepse nëse ka një vend që dëmtohet më tepër se sa kushdo tjetër nga një retorikë e tillë, ajo është vetë Shqipëria. Për shkak se ata kanë shënjestruar gjënë më të çmuar për Shqipërinë: bashkëjetesën e harmoninë fetare, bashkëpunimin ndëretnik. Ne kemi një vend multifetar. Ne kemi një vend multietnik. Dhe e vetmja modus vivendi (mënyrë jetese) është respekti i ndërsjellë!

Por, a ka rrezik që marrëdhëniet ndëretnike e ndërfetare në Shqipëri të përkeqësohen? 

Qëndrimi ynë është tejet i qartë: distancim nga retorika nacionaliste. Ajo është e cekët, ajo është polarizuese, është tejet abuzive. Dhe a ia vlen që për 10.000 vota të flijosh atë që nga parardhësit e ke trashëguar si gjënë më të vyer? Unë s’e besoj! Unë duhet të sjellë këtu një shembull. Partitë politike qeverisëse të Greqisë nuk flirtojnë me radikalët, qoftë majtas qoftë djathtas, diçka kjo që ndodh në Shqipëri.

Marrëdhëniet shqiptaro-greke përballen me dy çështje të tjera që ngrejnë krye shpeshherë: kufiri detar dhe, së dyti, çështja e Çamërisë, e cila do të thoja se është bërë më e spikatur në dy-tri vitet e fundit me popullatën e konsiderueshme të çamëve këtu në Shqipëri që bëjnë fushatë për këtë çështje. Cili është këndvështrimi juaj mbi këto dy çështje: kufiri detar dhe ajo e Çamërisë? 

Caktimi i zonave detare, pra i zonave ekskluzive ekonomike, them se ishte një marrëveshje e drejtë midis të dyja vendeve. Por ajo nuk pati një fund pozitiv. Them se PS-ja bëri gabimin fatal duke keqpërdorur një problem të çështjeve ndërkombëtare në politikën e brendshme. Kemi të bëjmë me këshillën më të keqe për një parti politike. Problemi tjetër është se ata e nxitën të gjithë retorikën nacionaliste kundër kësaj marrëveshjeje. Çdo individ në rrugë, që nga këpuctari e deri te hidrauliku, kishte një opinion se si do të duhej të ishte marrëveshja. Është për të ardhur keq! Ata akuzuan zyrtarë të lartë të ushtrisë dhe të Ministrisë së Jashtëme, dhe pas kësaj ata e çuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Më duhet ta përsëris edhe një herë se Gjykata Kushtetuese votoi në rrethanat e një sovraniteti dhe integriteti të kufizuar. Unë nuk shoh asnjë problem në atë marrëveshje. Ajo ishte e barabartë dhe e drejtë, dhe ishte në favor të të dyja vendeve. Fatkeqësisht ne patëm rezultatin negativ mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo mbetet një vështirësi mjaft serioze që pengon zhvillimet e mëtejshme në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sa i përket çështjes tjetër, çështjes së Çamërisë? 

S’besoj se kjo çështje ekziston!


No comments: