Wednesday, April 03, 2013

Dule: Së shpejti vendimi për koalicion

Për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit, por edhe strategjitë parazgjedhore të partisë së tij, në studiot e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte i ftuar Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ-së. 

Ilir Paço: Sapo kemi ndjekur reagimet e para të opozitës për aleancën ndoshta të re mes PS dhe LSI. Cili është komenti juaj lidhur me zhvillimet më të fundit në lidhje me këtë afrim PS-LSI?

Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ: Partitë politike nuk komentojnë njëra-tjetrën. Është një vendim i PS për ftesë bashkëpunimi LSI. Ajo që ne na intereson është përmbajtja që këto dy parti do t’i japin bashkëpunimit të tyre duke qenë se edhe ne jemi në prag të vendimmarrjes, që ta kemi parasysh këtë.

Ilir Paço: Ju keni qenë vetë një aleat me zotin Rama, cilat ishin arsyet që e larguan PBDNJ nga PS dhe opozita e bashkuar pasi qendruat bashkë për katër vite?

 
Dule: Kemi një keqkuptim. PBDNJ bashkëpunoi me PS në 2009. I fituam zgjedhjet me përgjegjësinë e PS se nuk mbrojtëm fitoren. Pas zgjedhjeve nuk kemi patur asnjë bashkëpunim, asnjë marrëveshje me PS. Kemi koordinuar aksionin tonë politik në rastet që kemi ndarë të njëjtat qendrime politike. Në këtë bilanc marrëdhënie PBDNJ ka kontribuar në 80 përqind të rasteve politikat e PS në kohën që PS zor se gjendet një rast që ka mbështetur një qendrim politike për fizionominë e PBDNJ. Arsyeja është se PBDNJ është forcë politike luajale, mbetet dhe pret përgjigjen nga kjo e fundit.

Ilir Paço: Kemi mësuar se një nga arsyet që zoti Meta mund të ketë paraqitur te kryeministri Berisha për ikjen nga qeveria dhe afrimin e tij me PS ka qenë fakti se dështoi ideja e një poli të tretë. Cilat janë arsyet e këtij dështimi? Cfare bisedimesh janë bërë mes jush dhe zotit Meta apo zotit Topi?

Dule: Është një element i ri dhe shumë i rëndësishëm. Kjo lëvizje, dhe nuk dua të përcaktoj ndryshimet numerike dhe të gjitha debatet përqendrohen tek politika parlamentare. Një klasë politike serioze, para se të diskutojë aritmetikën parlamentare, diskuton përmbajtjen politike. Poli i tretë nuk dështoi. Personalisht jam shprehur se do ishte një ide shumë interesante për të thyer bipolaritetin. Jemi të dështuar si klasë politike në realizimin e objektivave strategjike dhe poli i tretë do të jepte një gjallëri jetës politike në vend. 

Ilir Paço: Ku e sheh veten PBDNJ tani? Cfarë elementesh do të përcaktojnë pjesëmarrjen e PBDNJ-së në një koalicion? A do të afroheshit sërish me Partinë Socialiste dhe cilat janë kushtet tuaja për këtë? Pak caste më parë në një konferencë shtypi kryeministri Berisha ju ftoi si PBDNJ për të qenë pjesë e maxhorancës pas ikjes. Si do i përgjigjeni kësaj ftese?   

Dule: PBDNJ është në komunikim politik me të gjitha forcat politike në vend. Edhe kur ka qenë në qeverisje me PD, PBDNJ e ka mbajtur të hapur rrugën e bashkëpunimit me PS. Jemi parti e hapur që nuk kemi frikë nga dialogu. Asnjëra prej këtyre dyjave nuk qendron në këtë rast. 

Ilir Paço: Ca elementësh përcaktojnë pjesëmarrjen e PBDNJ në koalicion? 

Dule: Programi, qendrimet tona politike, sistemi i vlerave dhe morali janë ato që ne mbështesim dialogun me forcat e tjera politike. Nuk kërkojmë integrim europian si slogan, por europianizim kërkojmë ne, që duhet të nisë nga vetë forcat politike.  


top-channel

No comments: