Tuesday, February 25, 2014

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar”

 sent by K Jorgji

kom ligjesh 24Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar”.
Deputeti i Partisë Republikane, z. Fatmir Mediu ka shpjeguar amendamentin e propozuar prej tij për ndryshimin e këtij projektligji.
“Qëllimi i këtij projektligji është që të përmirësohet ndjeshëm situata për kthimin e pronave pronarëve legjitimë, tokat e të cilëve përfshihen me vendndodhje në zonat e parashikuara me ligj të posaçëm për zhvillimin e turizmit. Nga ana tjetër kjo do të ndikonte në mënyrë të ndjeshme në uljen e faturës financiare për ata pronarë të cilëve i është njohur e drejta e pronësisë nga AKKP-të, por që janë kategorizuar në subjekte që duhet të trajtohen me kompensim financiar. Çështja kardinale e të drejtës së pronësisë mbi Tokën në Bregdet, ka 20 vjet që nuk zgjidhet dhe aktualisht ndodhet në një ngërç të shkaktuar (për vite të tëra) nga zbatimi i Ligjit 7501, dt. 19.07.1991 “Mbi tokën” dhe shkeljet flagrante të kuadrit ligjor në zbatim të tij”, tha z. Mediu.
Sipas deputetit republikan, amendamenti i propozuar për ndryshime në Ligjin 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, i ndryshuar, zgjidh ngërçin e krijuar, duke garantuar respektimin e të drejtës së pronësisë mbi Tokën Bujqësore në respektim të detyrimeve të përcaktuara në Kushtetutë në Pjesën e Dytë “Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut” dhe veçanërisht në Nenet 15/pika 1; 41/pika2; 42/pika 1 dhe 181, të cilët qartazi nuk pranojnë dhënien e të drejtës së pronësisë mbi Tokën me akte administrative.

Armado Subashi, relatori i këtij projektligji ka prezantuar synimet e tij.
“Ky projektligj kërkon që të konfrontojë ose të përplasë ligjin 7501 në zbatimin që ai ka pasur në praktikë, me pjesën tjetër të legjislacionit që ka të bëj me kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve. Nuk do e përjashtoja mundësinë që zbatimi i ligjit 7501 mund të ketë edhe probleme në terren, mund të ketë probleme në raport me mënyrën sesi mund të jenë shpërndarë titujt e pronësisë, me mosfirmosjen apo me mosvulosjen e titujve të caktuar, me ndarjen e sipërfaqes që i ka takuar çdo familje bujqësore për frymë”, u shpreh nënkryetari i komisionit.
“Pavarësisht problemeve që ligji mund të ketë pasur në zbatimin e vet. Sigurisht kjo nuk do të ishte arsye mendoj unë e mjaftueshme, ligjore, që na ta kundërshtonim totalisht zbatimin e 7501”, tha deputet i PS-së, z. Armado Subashi, i cili theksoi se mbështet edhe konkluzionin e Këshillit të Ministrave, që kjo nismë ligjore të mos miratohet.
Nga ana e tij, deputeti republikan ka kërkuar kohë për të reflektuar mbi qëndrimin e qeverisë, i cili u bë publik nëpërmjet relacionit gjatë mbledhjes në Komisionin e Ligjeve.
Kryetari i komisionit, z. Fatmir Xhafaj mbështeti propozimin e z. Mediu dhe kërkoi shtyrjen në kohë për të marrë në shqyrtim amendamentin e republikanëve dhe njëkohësisht për të marrë të dhëna shtesë nga qeveria për këtë projektligj.
Propozimi është aprovuar me konsensus nga të gjithë anëtarët e Komisionit.



Refuzohet shfuqizimi i ligjit 7 501 dhe kthimi i tokave te ish-pronarët(Shekulli)
 
  • Kërkohej shfuqizimi i ligjit 7501 për bregdetin, kthimin e tokave te ish-pronarët. Relatori Subashi: “Tejkalon objektin e ligjit për tokën bujqësore”   
Publikuar më 25.02.2014 | 10:05
 0  0
Suela Topi 
Ligjvënësit socialistë kundërshtojnë propozimin e republikanit Fatmir Mediu për kthimin e tokave bregdetare tek ish pronarët. Komisioni i Ligjeve shqyrtoi dje nismën kreut të Partisë Republikane për ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar.
Sipas Mediut zbatimi i kësaj nisme do të ulë faturën financiare që do të nevojitej për kompensimin e pronarëve të zonave bregdetare. Por deputeti socialist, Armando Subashi, i caktuar si relator për këtë draft, deklaroi se projektligji nuk ka një faturë financiare siç kërkon Kushtetuta, si dhe tejkalon objektin e ligjit që do të ndryshojë. 
Diskutimet
 “'Qëllimi i këtij projektligji është të përmirësojë situatën për kthimin e pronave për pronarët legjitim. Tokat e të cilëve përfshihen në vendndodhjen në zonat e parashikuara me ligj të posaçëm për zonat e zhvillimit të turizmit. Nga ana tjetër kjo do të ndikonte në mënyrë të ndjeshme në uljen e   faturës financiare, sipas gjykimit tonë, sepse tenton drejt kthimit fizik, duke ulur kështu koston, faturën financiare të qeverisë për kompensim financiar të pronarëve.
 Çështja mbi tokën në bregdet ka 20 vjet që nuk zgjidhet dhe aktualisht ndodhet në një ngërç të shkaktuar për vite të tëra, edhe nga zbatimi i ligjit 7501”, - tha Mediu në prezantim të amendimit të tij. Por sipas Subashit, drafti sjell përplasje. “Ky amendim kërkon që të ngatërrojë ose të përplasë ligjin 7501 në zbatimin që ai ka pasur në praktikë, me pjesën tjetër të legjislacionit që ka të bëjë me kthimin dhe kompensimin e   pronave të ish-pronarëve. 
Nuk do ta përjashtoja mundësinë që zbatimi i ligjit 7501 mund të ketë probleme në terren, mund të ketë probleme në raport me mënyrën sesi mund të jenë shpërndarë titujt e pronësisë, me mosfirmosjen apo me mos vulosjen e titujve të caktuar, me ndarjen e sipërfaqes që i ka takuar çdo familje bujqësore për frymë. Pavarësisht problemeve që ligji mund të ketë pasur në zbatimin e vet, sigurisht kjo nuk do të ishte arsye, mendoj unë, e mjaftueshme ligjore, që ne ta kundërshtonim totalisht zbatimin e 7501-shit”, - tha ai. Më tej nëpërmjet relacionit të tij, Subashi solli në vëmendje dhe qëndrimin e Qeverisë lidhur me amendimin. 
“Objekti i ligjit 8053, datë 21.12.1995 është rregullimi ligjor i kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore familjeve bujqësore ose individëve që e kanë atë në përdorim, kështu që termi “pronat e shtetëzuara” e bën që amendamenti të kalojë objektin e ligjit në fjalë dhe të prekë objektin e ligjit 9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin e kompensimin e pronës”, - thuhet në shkresën e Qeverisë dërguar Kuvendit më datë 17.2.2014. Argumenti i dytë kundër sjell në vëmendje se procesi i verifikimit të titujve të pronësisë përfundon më 30.6.2016 sipas afatit të fundit të shtyrë nga Kuvendi.
“Verifikimi i mosrespektimit të kritereve është objekt i ligjit nr.9948 datë 7.7.2008     “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë”, i cili me nenin 1 pika 1 parashikon që “Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore””, - citon Subashi argumentin e Këshillit të Ministrave. Ndërsa shton më tej se, propozimi duhet të ishte shoqëruar me faturë financiare në të cilën të pasqyrohej efekti financiar, mënyra e përllogaritjes, burimet e financimit si dhe periudha e shtrirjes së efekteve. Kjo sipas detyrimeve të përcaktuara në nenin 82, pika 1 të Kushtetutës, “Propozimi i ligjeve kur është rasti duhet të shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij”.
 “Në përfundim të relacionit tim, nisur edhe nga argumentet e Këshillit të Ministrave se amendamenti tejkalon objektin e ligjit nr. 8053 dhe se ky amendament mund të kufizojë grupin e subjekteve përfituese duke parashikuar zbatimin e tij vetëm në një zonë të caktuar dhe jo për të gjithë hapësirën me përparësi turizmin, në cilësinë e relatorit ftoj anëtarët e komisionit t’i propozojnë Kuvendit të Shqipërisë mosmiratimin e projektligjit”, - sugjeroi Subashi. Për shkak dhe të amendimeve të ndryshime në legjislacionin e pronës Komisioni i Ligjeve vendosi shtyrjen e vendimit për këtë amendim të republikanit Mediu.

  Propozimi i Mediut për ndryshimin e ligjit
Nisma e deputetit, Fatmir Mediu parashikon ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar. Sipas relacionit të përgatitur p/ligji nuk ka asnjë efekt negativ në buxhetin e shtetit. Ai realizohet pa shpenzime shtesë nga Agjencia e Kthimit e Kompensimit Pronave dhe zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. “Zbatimi i tij ul faturën financiare që do të nevojitej për kompensimin e pronarëve të këtyre zonave, e cila bazuar në çmimet mesatare të miratuara për këtë zone, shkon në rreth 74 milion euro, ndërsa me çmimet mesatare të tregut të lirë në rreth 2 miliard euro. 
Në zbatim të këtij p/ligji, kompensimi financiar mund të bëhet vetëm për ata persona apo familje që kanë marrë padrejtësisht pronat e pronarëve të ligjshëm, ndërsa pronareve të ligjshëm u kthehet toka e trashëguar. Nga ana tjetër ky projektligj do t’i japë përparësi zhvillimit të turizmit në zonën bregdetare, në përputhje me masterplanin e zhvillimit të kësaj zone, duke ndikuar fuqimisht në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit”, - argumentohet në relacion.   

No comments: