Sunday, February 23, 2014

“Toka pronarit të shpronësuar dhe jo atij që e punon” -berishistet dhe nanoistet ne unison grabitjeje-A ka te ngjare qe ta ndryshoje kete Edi Rama?!?!-mundesite jane 0

“Ortakëria” Berisha-Xheferson në vitin 1991
Publikuar më 22.02.2014 | 12:34-shekulli on line
 30  0
 
Prof. Dr. Priamo Bollano
Shkas për këtë shkrim u bë intervista e kohëve të fundit e i ish-Kryeministrit Sali Berisha në të cilën pranon se janë bërë sa një mal  falsifikimet për pronat dhe se në miratimin e ligjit kriptokomunist nr. 7501 “Për ndarjen e tokave bujqësore” është vepruar gabim. Sipas tij gabimi qëndron në faktin se “ligji i tokës u votua në shkelje të hapur  të parimit të pronësisë” (korsivi i yni), sepse  u mbështet “në parimin e Thomas Jefferson -toka i përket atij që e punon dhe në frymët e popullsisë banuese në fshat në korrik-gusht 1991”. Prandaj për këtë ai e ndjen veten fajtor dhe mban përgjegjësi si demokrat-liberal “i kulluar” dhe politikan “i madh”, siç mundohet ta paraqesë veten, por edhe si drejtues kryesor i Partisë Demokratike për rreth 23 vjet.
Me këtë deklarim, që në formë është dhe një farë pendimi, dikush, një ithtar i tij, aq më shumë një militant partiak, apo edhe një demokrat i thjeshtë mund të thotë: “Ç’kërkoni më tepër? Pozicionimi i z. Berisha kundër ligjit nr. 7501 është i qartë dhe i prerë. Pranimi prej tij, se ligji u votua duke shkelur parimin e pronësisë, si një ndër të drejtat themelore të njeriut, flet për atë se kemi të bëjmë me një prijës demokrat të madh dhe politikan largpamës, që në kohën e duhur, di dhe bën  autokritikë të “pastër e të sinqertë” për gabimet, sepse njerëz të pa gabueshëm nuk ka!” Ne do të thoshim se kushdo që mendon e arsyeton kështu, ai  gabon. Siç do të analizojmë më poshtë,  pendesa nuk mjafton dhe se gabimet shlyhen duke korrigjuar gafat e kryera, gjë që gjatë 23 vjetëve ai nuk e bëri. 
1. Historia postkomuniste e Shqipërisë dhe ngjarjet e ndodhura në këto 23 vjet japin shumë shembuj dhe fakte që vërtetojnë konkluzionin e mësipërm. Nuk kërkohet ndonjë përgatitje e veçantë për njohjen e tyre, prandaj s’është  nevoja as edhe qëllimi i këtij shkrimi që t’i përsërisim ose edhe t’i rendisim ato. Por, shkarazi do të nënvizojmë se politika që u ndoq për ndarjen e pronave në bazë të ligjit famëkeq nr. 7501 përbën një ndër rrugët që përdori edhe në Shqipëri ish-nomenklatura partiake dhe ajo shtetërore për grabitjen e pronave pronarëve të ligjshëm dhe lejoi kthimin  në rrugë paqësore, pa u vrarë dhe pa u prerë të kuadrove, por edhe  pinjollëve kriptokomunistë të saj, të paraqitur tashmë me ngjyra rozë, blu e kush e di se me ç’ngjyrë tjetër, në “ kapitalistë të kuq”.
Tashmë është e qartë se sistemi aktual në Shqipëri është një sistem klepto-demokratik i “ kapitalistëve të kuq”, të cilët në mënyrë të organizuar, sistematike, të mbështetur në ligjet dhe në vendimet e institucioneve shtetërore qendrore dhe ato vendore, falsifikojnë dokumentet dhe vjedhin në mes të ditës pronat e pronarëve të ligjshëm. Mbi këtë bazë, në tokat e pronarëve të shpronësuar nga diktatura, mbijnë si kërpudhat pas shiut, pronarët e rinj, që në shumë raste nuk kishin të bënin aspak me tokën dhe nuk dinin as shtrirjen topo-gjeografike të parcelave të pronësuara. Faktet janë kokëfortë.
Ato flasin shumë më tepër se çdo politikan, kalemxhi, apo dhe analizues kompetent. Ndarja e pronave sipas parimit “toka atij që e punon dhe që banon në fshat”, jo vetëm që nuk çoi në zhvillimin e kapitalizmit në bujqësi, në prosperitetin e fshatit, as edhe në krijimin e bollëkut e të mirëqenies së masave popullore, sikurse nuk çoi edhe në zvogëlimin e emigracionit të popullsisë nga fshati për në qytetet e mëdha brenda vendit dhe sidomos për në shtetet e tjera. Ai çoi në një katrahurë të madhe që kërkon shumë mund e kohë për të vënë në vend drejtësinë e munguar dhe moralin e shkelur për pronat. Zbatimi i ligjit nr. 7501, së pari, e copëtoi shumë pronësinë mbi tokën.
Ai krijoi mbi 350 mijë pronarë dhe ekonomi bujqësore, duke i rënë mesatarisht çdo ferme diçka më shumë se 10 dynym ose 1 ha tokë. Ndërkohë, toka u copëtua në afro 1,8 milion parcela të  vogla, që do të thotë se çdo ekonomie  i takojnë rreth 5 të tilla, mesatarisht për çdo parcelë afërsisht 2000 m2. Ndërsa, në zonat kodrinore, malore dhe në Bregdetin Jonian, parcelat jo rrallë përfshijnë një sipërfaqe toke prej më pak se 1 mijë m2. Siç kanë vënë në dukje shumë herë shoqata “Pronësi  në Drejtësi”, dhe ajo “ Bregdeti”, por edhe mjaft studiues, analizues e specialistë të ndryshëm në shkrimet e tyre, ky përbën një krim të  madh e të paparë të kryer nga “ kapitalistët e kuq”. Me këtë akt ata jo vetën ri-shpronësuan pronarët e origjinës dhe trashëgimtarët e ligjshëm të tokave në Shqipëri, shkelën parimet kushtetuese, por edhe shkaktuan një dëm të madh ekonomisë shqiptare, në një nga asetet themelore të saj siç është toka, që përbën pasurinë më të madhe dhe më të vlefshme të shqiptarëve.
Por edhe prishën biodiversitetin e krijuar në shekuj. Historia jep mjaft shembuj se copëtimi i skajshëm i pronësisë mbi tokën, sikurse  tregoi edhe përvoja shqiptare e këtyre 23 viteve të fundit, nuk çon dhe s’ka si të çojë në zhvillimin e bujqësisë, në shtimin e prodhimit dhe të rendimenteve, në nxjerrjen e fshatarësisë nga skamja dhe mjerimi, shkurt në zhvillimin e kapitalizmit në një degë të rëndësishme të ekonomisë siç është bujqësia. Por në të kundërtën, ajo të çon vetëm në degradimin dhe shkatërrimin e saj. Sot bujqësia shqiptare prodhon më pak se në dy dekada të mëparshme, sepse pjesa më e madhe e tokës  ngelet e papunuar dhe është e abandonuar. Është pasojë e politikës që u ndoq nga “kapitalistët e kuq” të ngjyrave blu dhe rozë, që sunduan vendin në këto dy dekadat e fundit, që Shqipëria importon çdo vit rreth 400 mijë tonë drithë dhe oriz, pa përmendur importin e miellit, mbi 100 mijë tonë perime, patate e fruta, deri në importin e rreth 60 mijë tonë ushqime për kafshë, përfshi edhe kashtën. Për të mos e rënduar lexuesin me shifra, nuk e shohim me vend të përmendim sasitë e mëdha të importit në qumësht e nënprodhimet e tij, në mish, etj., në një kohë kur Shqipëria i ka të gjithë faktorët prodhues (tokën, klimën, por edhe njerëzit e çliruar nga skllavëria e kooperativave komuniste etj.) për prodhimin në vend të produkteve bujqësore e blegtorale bio, të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e  popullsisë vendase por edhe për të rritur vlerat e eksportit.
Për të patur një ide edhe më të qartë rreth  pasojave negative ekonomike që mbarti ndarja e tokave sipas ligjit nr. 7501, le të sjellim për lexuesin edhe një shembull tjetër. Në vitet e monizmit, të tri kooperativat e bashkuara të Krahinës se Himarës, d.m.th ajo e Dhrimadhes, e Himarës dhe e Qeparoit, siguronin afro 1/3 e prodhimit bujqësor të rrethit të Vlorës. Sot në këtë krahinë gjithçka është abandonuar. Ullishtet, agrumet e pemët e tjera frutore, të cilave pothuajse nuk u bëhet asnjë shërbim, prodhojnë minimalisht dhe sipas ligjeve biologjike të riprodhimit të tyre. Është fakt se zona e Himarës, si mbarë Bregdeti Jonian, kjo perlë  e Rivierës shqiptare, megjithë mundësitë e mëdha që ka për zhvillimin e industrisë së turizmit, për shkak të mos shkuarjes të tokës tek i zoti, trashëgimtar i ligjshëm i saj, sipas disponimit në vitet 1945-1946, i cili është në gjendje të vlerësojë punën kolosale të bërë nga progonët e tij për ngritjen e mjedisit antropologjik krahas atij natyror dhe që nuk ndikoi në frenimin e emigrimit të popullsisë vendase etj., dallohet sot për një jetë ekonomike që ka si tipar  karakteristik ekstraversionin.
Kjo do të thotë, se pavarësisht nga përpjekjet që bëjnë banorët e këtij komuniteti për të mbijetuar, konsumi material i bregdetasve, në një masë të madhe, mbulohet nga të ardhurat që prodhohen jashtë krahinës dhe që në formën e transfertave monetare konsumohen në të. Dhe kjo është e qartë. Fermat e vogla, sikurse ka vënë ne dukje kolegu ynë, Doktor i Shkencave Ekonomike Teodor Kareco “Janë të thirrura të prodhojnë sa për vete d.m.th të përballojnë në natyrë nevojat familjare për produktet me origjinë nga bujqësia dhe blegtoria”. Kjo për arsye se ekonomitë e vogla bujqësore pak mundësi kanë për zbatimin e arritjeve shkencore dhe të masave agroteknike të përparuara, për rritjen e shkallës së mekanizimit dhe të kimizimit në bujqësi, për zbatimin e qarkullimeve bujqësore, pa bërë fjalë për mundësitë e pakta që kanë ato për rindërtimin e sistemit të shkatërruar të ujitjes e të mbrojtjes së tokave nga faktorët klimatikë, që në vitet e monizmit u ndërtuan me djersën dhe mundin e masave punonjëse të qytetit e të fshatit. Është e njohur teorikisht dhe e vërtetuar në praktikë, se ekonomitë e copëtuara dhe të vogla fshatare nuk mund  sigurojnë efektivitetin e duhur ekonomik, as edhe mund të çojnë në zhvillimin e kapitalizmit në fshat. 
****Së dyti, ndarjen e tokës sipas parimit “tokën atij që e punon dhe për frymë për popullsinë që banon në fshat”, e bënë jo thjesht për të bërë gjithë fshatarësinë pronare dhe as pse u dhimbsej gjendja e mjeruar dhe fukarallëku i tejskajshëm i fshatarit shqiptar. Por e bënë, siç do të shihet më poshtë, për një qëllim tjetër, në interes të tyre. Koha tregoi se rruga e ndjekur nuk solli zhvillim dhe as edhe mirëqenie. Në të kundërtën, në fshatin shqiptar ajo mbajti të ngulitur thellë fukarallëkun, varfërinë dhe skamjen, si dhe krijoi turbullira dhe përplasje jo të vogla sociale, të cilat kanë çuar dhe çojnë edhe në humbje të jetëve, siç informon përditë media shqiptare për shpërthime me tritol dhe vrasje për konflikte të ndryshme lidhur me pronat.
Duke udhëhequr dhe zbatuar me fanatizëm konceptin e ish-baballarëve të tyre, se shteti është i vetëm pronar i tokave, politikanët demokratë të postkomunizmit në Shqipëri, sigurisht për të fshehur dhe maskuar synimet e tyre të vërteta, që kishin të bënin me grabitjen dhe vjedhjen e pronës së grabitur pronarëve nga diktatura, ndoqën një rrugë të dyfishtë. Nga njëra anë, ata ndoqën rrugën e zbatimit me forcën e pushtetit të parimit thellësisht komunist “toka atij që e punon dhe që banon në fshat” dhe, nga ana tjetër, rrugën e zotërimit sa më shpejt, përmes korrupsionit, mashtrimit e falsifikimeve dhe gjyqeve të stisura nga burokracia partiake e shtetërore, të tokave më të mira , siç janë ato të ultësirës fushore dhe të bregdetit Adriatik e Jonian të Shqipërisë, të cilat  në aspektin ekonomik mund t’u sigurojnë atyre fitime përrallore. Për arritjen e këtij qëllimi të dyfishtë, ata sajuan ligjin antidemokratik “7501”, e paraqitën atë  si një “reformë” rrënjësore në marrëdhëniet e pronësisë mbi tokën, si dhe konservuan, ruajtën dhe e mbajtën të paprekur, edhe sot e kësaj dite, parimin enverian “toka është pronë e  shtetit”.
 Shënojmë se, parimin “ toka atij që e punon” dhe të aplikuar në zbatim të ligjit nr. 7501, pavarësisht se politika shqiptare postkomuniste  e paraqet si një ndër parimet e ish-Presidentit të tretë sipas radhës të SHBA- Thomas Jefferson (prill 1743- korrik 1826), në esencë atë  e nxori nga brumosja e vjetër e saj ideologjike, komunisto-bolshevike, nga eksperienca e sistemit  enverian , që me besnikëri e fanatizëm e zbatoi këtë parim, që në vitet e para të Shqipërisë së Pasluftës, në procesin e kryerjes së reformës agrare në vitet 1945-1946.  Është e vërtetë se Thomas Jefferson konsiderohet  ikonë e madhe e lirisë, demokracisë dhe republikanizmit, një politikan nga më të shquarit të historisë amerikane. Ndërkohë pronësia e tij në Marticello e mbështetur në punën e qindra skllevërve, binte ndesh me pikëpamjet e tij për lirinë dhe barazinë e njerëzve për të cilat ai luftoi. (Petterson M.D. The Jefferson Image in the American Mind. Univ. Of Virginia Press). Prandaj duket si paradoksale që ai të ketë pretenduar parimin “toka atij që e punon”.  Nga ana tjetër, në të gjitha rendet ekonomiko-shoqërore, në skllavëri, feudalizëm dhe kapitalizëm, ai që e punon tokën, skllavi, bujkrobi ose punëtori me mëditje, apo që e ka marrë tokën me qira, në masën më të madhe të saj, nuk është pronar i saj. Pronar ngelet kurdoherë skllavopronari, feudali dhe kapitalisti.
Vetëm, socializmi  me politikën e shpronësimit me dhunë të pronarëve, tokën e shndërroi, në pronësi të përbashkët në duart e shtetit. Dhe dihen tashmë pasojat ekonomiko-shoqërore që mbarti ky shndërrim. Ndarja e tokës sipas parimit “toka atij që e punon dhe që banon në fshat”,  përbën një veprim të hapur antidemokratik dhe shkelje të një prej të drejtave themelore të njeriut, atë të pronësisë, sepse ai nuk mban parasysh origjinën e krijimit të saj. Siç ka vënë në dukje, kohët e fundit, edhe Partia Republikane e Shqipërisë, parti në koalicion me atë demokratiken dhe që ka qenë edhe është kurdoherë në krah të zotit Berisha,  parimet e ndarjes së pronave sipas ligjit nr. 750i nuk janë gjë tjetër, veçse një “ reminishencë e hapur bolshevike”, se ligji nr. 7501 që mbështetet  në  parimin “toka atij që e punon” është  produkt i  një politike të pathelluar shtetërore, që përbuz pronarin e vërtetë, nuk njeh moralin ndaj pronës dhe shkel një nga të drejtat themelore të njeriut. *****Ndarja e tokës sipas parimit “toka atij që e punon” në esencë njeh vetëm të  drejtën e pronësisë mbi tokën çdo banori  që jetonte në fshat në gusht të vitit 1991, përfshi edhe ata të lindur në korrik –gusht 1991 dhe, që është e natyrshme nuk ka dhënë asnjë kontribut në krijimin e pronës dhe të pasurisë të ish- kooperativave bujqësore.
Në të njëjtën kohë, ai u mohon këtë të drejtë shumë të tjerëve: a) anëtarëve bashkëthemelues të kooperativave bujqësore, por që për arsye pune e shërbimi, në gusht të vitit 1991 ndodheshin jashtë vendlindjes dhe nuk figuronin në gjendjen civile banorë të saj; b)  trashëgimtarëve të ish-anëtarëve të kooperativës, që për vite të tëra derdhën djersë dhe u rropatën për shtimin e pasurisë dhe të aseteve të pronësisë kooperativiste, por që për arsye të ndryshme (moshe etj.), në këtë periudhë nuk ishin të gjallë. Zbatimi i këtij parimi, përveç se është një mohim i hapur i të drejtës së pronësisë së këtyre shtresave të popullsisë, në të njëjtën kohë përfaqëson një  grabitje tjetër e re që u bëhet pronarëve të shpronësuar nga diktatura komuniste, përveç grabitjes që u bëhej në sistemin monist, që për tokën dhe mjetet e prodhimit futur në kooperativë ata nuk gëzonin asnjë të ardhur ose përfitim ekonomik, por kooperativat bujqësore, edhe sipas ideologjisë komuniste, përfaqësonin një bashkim “vullnetar” të tokës dhe të mjeteve të prodhimit dhe të anëtarëve bashkë-formues të saj.
Në këtë aspekt, ato ishin si të thuash, një shoqëri aksionere e tipit të veçantë. Por ndryshe nga shoqëritë aksionere të zakonshme, por edhe nga kapitali rentier, ku pjesëmarrja në fitime është përpjesëtimisht me aksionet ose me kapitalin e avancuar, d.m.th të investuar, në kooperativë të tipit të kartelit, që u zbatua edhe në Shqipëri, pjesëmarrja e kooperativistëve në të ardhurat e krijuara nuk bëhej në raport me tokën dhe mjetet e prodhimit të shoqërizuara, por kryhej përpjesëtimisht me sasinë dhe cilësinë e punës së bërë. Rrjedhimisht familjet bashkë-formuese të  kooperativës, pavarësisht se kishin shoqërizuar tokën dhe mjetet e tjera të prodhimit bujqësor dhe që për arsye të ndryshme punonin jo në kooperativë, por në sektorin shtetëror, asnjë përfitim material ose ekonomik nuk gëzonin nga kooperativa, si rentë, ose dividend të  aseteve e shoqërizuara.
Ndërkohë është e njohur se në Shqipëri tokat pronë të shtetit ishin shumë të kufizuara. Vetëm sistemi monopartiak me Kushtetutën e vitit 1976, i shpalli të gjitha tokat pronë shtetërore. Ndërsa me kalimin nga ky sistem në atë demokratik e pluralist kjo Kushtetutë u abrogua, çka nënkupton automatikisht edhe shfuqizimin edhe të dispozitave dhe normave përkatëse legjislative, ose ekzekutive, që e shpallnin tokën bujqësore pronë të shtetit. Por, siç tregoi jeta, abrogimi i konceptit “toka pronë e shtetit” nuk u bë. Kjo ishte një politikë dhe praktikë  shumë e kamufluar dhe në tërësi antidemokratike, sepse ruajtja e këtij  koncepti, shërbeu si mbështetje për nxitjen dhe kultivimin e abuzimeve, korrupsionin dhe grabitjeve me dokumente false, të fabrikuara nga makina shtetërore, të pronave, me konsekuenca të rënda sociale dhe konflikte, që jo rrallë kanë çuar deri në vrasje. Kështu, “me një të rënë”, siç thotë populli, “politikanët demokratë vranë dy zogj”.
Me këtë veprim politikanët dhe  qeveritë shqiptare demokratike ose socialiste, të para 23 qershorit të vitit 2013, për të fshehur vjedhjet në mes të ditës të pronave, pronarëve të ligjshëm, i referohen Kushtetutës së vitit 1976 dhe në ndonjë rast tjetër, urdhëresës së 29 nëntorit 1944 të qeverisë së Enver Hoxhës, që shtetëzonte gjithë kullotat, livadhet dhe pyjet, për nevojat e ushtrisë kombëtare dhe të rindërtimit të vendit. Shtrohet pyetja: Pse politikanët demokratë në ndarjen e pronave në fshat nuk morën për bazë, fjala vjen edhe “Statutin tip” të kooperativave, i cili përbënte ligjin themeltar të organizimit të tyre, e që në një nen të veçantë të tij parashikonte, sigurisht për konsum më tepër të jashtëm, të drejtën e çdo kooperativisti për të dalë nga kooperativa, e cila i jepte atij tokën dhe mjetet e prodhimit që kishte shoqërizuar? Sigurisht që ky nen i statutit tip do t‘u priste rrugët dhe mundësitë e zhvatjes prej tyre të pronave, të pronarëve të shpronësuar nga sistemi monopartiak. Pra, ndarja e tokave sipas dispozitave të “Statutit tip” të kooperativave bujqësore do t’i linte ata, në rastin më të mirë me gisht në gojë, duke u prerë mundësinë e shndërrimit, nga komunistë të hierarkisë së lartë shtetërore e partiake në “kapitalistë të kuq”.  
****3. Përmbysja paqësore e sistemit monopartiak dhe kalimi në sistemin demokratik, në ekonominë bazuar në iniciativën e lirë, në pronën private dhe në konkurrencën në treg edhe për fshatarin shqiptar përbënte një kapërcim të madh epokal. Ai ringjalli shpresat e ndrydhura, sepse siç nënvizon Profesori i nderuar i ekonomisë Aristotel Pano, ai do të shënonte “kalimin nga barazia e dhunshme në pabarazinë e pakufishme”. Mbi këtë bazë, edhe në Shqipëri, rivendosja e kapitalizmit i dha hov ringjalljes së idealeve të mëdha të barazisë, të lirisë dhe të drejtësisë, që regjimi monist i kishte varrosur. Përvoja e Shqipërisë edhe në këtë fushë vërtetoi atë që tregonte historia botërore, se arritja e tyre nuk është e lehtë dhe as mund të kryhej në mënyrë të njëkohshme jashtë kontradiktave të përgjakshme mes individëve dhe grupeve të caktuara sociale, të shoqëruara me shumë sakrifica dhe drama njerëzore. Siç thekson me të drejtë shkrimtari i madh Ismail Kadare, në intervistën e tij të fundit në “Illyria” të New York-ut, “Përparimi i një vendi dhe i një populli, varet kurdoherë nga zgjidhja e çështjeve të mëdha dhe në kohën e duhur, sepse në rast të kundërt, anarkia e mendimit çon në vetë-anarkinë e veprimit”. Prandaj, përmbysjet e mëdha kërkojnë edhe njerëz të mëdhenj, udhëheqës të shquar, vizionarë, reformatorë e largpamës nga radhët e politikanëve, shkencëtarëve, atdhetarëve. Njerëz të aftë që të marrin përsipër realizimin e zgjidhjeve të mëdha.
Eleanor Rosevelt, bashkëshortja e ish-Presidentit F. Rosevelt dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara në kohën e vet, ka thënë një fjalë të urtë: “Mendjet e mëdha diskutojnë për idetë, mendjet mesatare diskutojnë për ngjarjet, ndërsa mendjet e vogla diskutojnë për njerëzit”. Parë nga ky këndvështrim, në tërësi, udhëheqësit politikë shqiptarë, në vitet postkomuniste, përfshi këtu edhe zotin Berisha si President i Republikës dhe si Kryeministër për 8 vjet rresht, nuk arritën të ngrihen në rangun e një politikani të madh, aq më shumë nuk mundën ta  paraqisnin veten e tyre si  prijës demokratë dhe vizionarë. Gjatë 23 viteve të Demokracisë së brishtë shqiptare,  megjithëse ata kishin gjithçka sa duhej, pushtetin, autoritetin, forcën dhe kohën e nevojshme për të ndrequr gabimet, asnjëherë nuk reflektuan në gafat dhe gabimet e tyre. Të gjithë ata, pavarësisht përpjekjeve në dukje për t’u paraqitur para masave si reformatorë dhe vizionarë, në të vërtetë e treguan veten  njerëz pa horizont dhe dritëshkurtër, grindavecë dhe të etur për të siguruar me çdo kusht pushtetin. A nuk flet për këtë fakti që zoti Berisha në intervistën e tij pranon gabimin e bërë gjatë miratimit të ligjit nr. 7501, por nuk shkon më tej, sepse është i pafuqishëm për ta ndrequr atë? Kur Ai ishte në pushtet dhe kishte gjithçka, siç thotë populli “edhe çekiçin edhe arrën”, për të rivënë në vend të parimin e shkelur të pronësisë nga ky ligj, ai nuk e bëri dhe nuk punoi për ndreqjen e të metave.
Është fakt se ai nuk punoi edhe për vënien në jetë të Kushtetutës së vendit, e cila në nenin 41 të saj garanton të drejtën e pronës private, kur “ajo fitohet përmes dhurimit, përmes trashëgimisë, përmes blerjes dhe në çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil”. Në të kundërtën, bashkë me stafin e tij, ai hartoi dhe miratoi një sërë ligjesh të tjera në rregullim e përsosje gjoja të ligjit nr. 7501, por që në të vërtetë thellonin dhe u hapnin rrugë të reja padrejtësive dhe gjithë të këqijave të tij si: korrupsionit, falsifikimeve, zhvatjeve dhe abuzimeve mbi pronat e pronarëve të ligjshëm. Kjo, siç analizuam më sipër, përbënte të vetmen  rrugë të pasurimit të  pinjollëve të ish-nomenklaturës shtetërore e partiake komuniste, tashmë të kthyer sipas porosive famëkeqe të Katovicës e të zbatuara me besnikëri me urdhër të Ramiz Alisë në Shqipëri, ndjekur në vazhdimësi nga zoti Berisha, Nano etj.. Dhe s’mund të ndodhte ndryshe, sepse s’kishte si të pasurohej hierarkia komuniste, sepse si ka thënë i madhi Viktor Hygo “nga ferri i të varfërve është bërë parajsa e të pasurve”.
Pikërisht për këto arsye sovrani popull më 23 qershor 2013 i  tregoi vendin e merituar, sepse në një shoqëri me të vërtetë demokratike, për të cilën jemi të angazhuar që të funksionojë edhe në Shqipëri, prona private është parametri më i rëndësishëm dhe më karakteristik, është alfa dhe omega e të drejtave themelore të njeriut. Sigurisht në këtë zallamahi edhe katrahurë që është krijuar në procesin e kthimit të pronave  pronarëve të ligjshëm e të shpronësuar me grabitje dhe dhunë nga diktatura enveriane, nuk mbetet pa faj edhe komuniteti ndërkombëtar me organizmat dhe institucionet e tij në Shqipëri.E kemi theksuar në një Letër të Hapur, dërguar kryeministrit, zotit Edi Rama, në nëntor të vitit 2013, se  në  furtunën e papërmbajtur për të marrë toka, sidomos në Bregdetin Jonian, nga Orikumi deri në Ksamil, u turrën gjatë viteve të fundit, siç i turret bisha gjahut të vet, jo vetëm  politikanët dhe klanet e tyre, në nivel vendor e qendror, por nuk ngelën jashtë kësaj gare edhe disa organizma ndërkombëtare.
I tillë është rasti i Bankës Botërore, por edhe dhe i organizmave të tjera ndërkombëtare, të lidhura me shumë fije me pushtetarët qendrorë ose lokalë, që me të ashtuquajturat projektet e tyre, për menaxhimin e tokave dhe për ngritjen e fshatrave turistike etj., siç është rasti tipik i Jalit në Vuno, i Kakomesë në Nivicë, i Dhrales në Drimadhes etj., me  arsyetimin se tokat në Bregdet janë pronë e shtetit, u turrën sikur ato të ishin mall pa zot dhe shpallën veten  pronarë të ligjshëm. Është detyrë e komuniteti ndërkombëtar që edhe në kuadrin e dhënies së statusit kandidat për në BE, në vend që të bëjë sehir dhe të mjaftohet vetëm me vëzhgime, konstatime, rekomandime apo këshilla, t’u kërkojë qeverive shqiptare, pavarësisht ngjyrave, zbatimin e parimeve dhe të vlerave demokratike perëndimore, të Kushtetutës së Shqipërisë, ndërtimin e një demokracie me të vërtetë të për masat punonjëse të qytetit e të fshatit, dhe të shtetit ligjor në shërbim të jetës, të  mirëqenies dhe prosperitetit ekonomiko-shoqëror të vendit. Sigurisht padrejtësitë dhe të metat e mbartura gjatë këtyre 23 vjetëve në lëmin e pronësisë janë të shumta.
Ato mbeten, siç e ka shprehur në programin e saj mazhoranca e re socialiste, me kryeministrin zotin Edi Rama t’u japë rrugë zgjidhje. Duke mos qenë i implikuar në padrejtësitë dhe gjithçka të keqe që mbarti ndarja e pronave sipas ligjit nr. 7501 dhe parimit leninist bolshevik “toka tek ai që e punon dhe  që banon në fshat” , i ka mundësitë  t’i japë fund sistemit klepto-demokratik të instaluar në Shqipëri nga qeveritë që kanë vepruar para 23 qershorit 2013.
Me këtë ai njëkohësisht mund t’u japë fund edhe të gjitha padrejtësive të vërtetuara deri më sot në pronat. Duke i kthyer tokën pronarit të ligjshëm të shpronësuar me dhunë nga diktatura e proletariatit, do të mund të vendosë me të vërtetë drejtësinë edhe moralin e munguar e të shkelur mbi pronën. Ndërmarrja e një aksioni për dhënien pronarëve të ligjshëm, tokën sipas origjinës së krijimit të saj, për zbatimin e së drejtës së pronës, siç e sanksionon Kushtetuta e Shqipërisë, mbetet guri i provës për vlerësimin e tij si atdhetar, njeri të besës dhe mbajtës i fjalës së dhënë, apo si sharlatan, që synim të vetëm ka patur marrjen e pushtetit, për të mos thënë antishqiptar.
Ne shpresojmë shumë  se mazhoranca e re do të mbajë dhe do të realizojë premtimet e veta elektorale edhe në fushën  e çuarjes së pronës pronarit të ligjshëm. Sikurse me të drejtë përgëzohet për vazhdimin e aksionit për çlirimin e pronave të zaptuara nga ndërtimet e paligjshme, për pastrimin e Bregdetit dhe rivendosjen në vend të ekosistemit, si dhe për prishjen e koncensioneve, dhënë jo sipas rregullave e normave ligjore në fuqi.  Me të njëjtin temp mendojmë se duhet të ndërhyjë për të ndaluar dhënien e tapive e të titujve të pronësisë mbi tokën sipas ligjit nr. 7501, pa verifikuar më parë se sa origjina e tokës së fituar  është në përputhje me nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës së Shqipërisë. Hedhja e një hapi të tillë me siguri do të shënojë daljen e fshatarit shqiptar nga skamja, varfëria dhe errësira mesjetare, që e kishte zhytur sistemi monist, në dritën e madhe të Demokracisë, në lirinë e ekonomisë së tregut dhe do t’i japë një hov zhvillimit të kapitalizmit në bujqësi, duke krijuar mundësinë edhe funksionimin e tregut të tokës, këtij segmenti të rëndësishëm të ekonomisë së lirë të tregut. Njerëzit e mëdhenj, vizionarët dhe reformatorët, dallohen kurdoherë nga zgjidhjet e mëdha dhe  jo nga bindjet politike as edhe nga mosha e tyre. Historia ka evidentuar se të tillë janë jo ata që flasin shumë ose  që hiqen si demokratë, por  ata që  me të vërtetë, duke u nisur nga idealet e mëdha të barazisë, të lirisë dhe të së drejtës, kanë ditur që krahas lirisë dhe mirëqenies së përgjithshme, të sigurojnë edhe kufizimin e pabarazive ekonomike e pasurore midis shtresave të popullsisë, ngushtimin e diferencave në nivelin e konsumit të grupeve të caktuara të shoqërisë, njëkohësisht edhe ngushtimin e kontrastit antagonist ndërmjet fshatit dhe qytetit. Në mbyllje të këtij shkrimi e shohim me vend t’i bëjmë të njohur lexuesit fjalët e urta të filozofit, juristit e publicistit të madh anglez Francis Bacon se: “Mosha është e mirë në katër gjëra: druri i vjetër është më i miri për t’u djegur; vera e vjetër është më e mira për t’u pir;, miqtë janë më të mirë për t’ju besuar dhe autorët e vjetër janë më të mirë për t’i lexuar ”.
*Titulli i autorit: “Toka pronarit të shpronësuar dhe jo atij që e punon”

No comments: