Publikuar më 30.04.2014 | 12:43 (shekulli on line)
Panajot Barka
Ditët e fundit, dy eksponentë të lartë të shërbimeve inteligjente
shqiptare, përkatësisht ish-kryetari Fatos Klosi dhe ai në detyrë, Visho
Ajazi Lika, dolën në publik me deklarata, që minimalisht shkelin etikën
profesionale dhe realisht provokojnë tension në marrëdhëniet mes
Shqipërisë dhe Greqisë, si edhe në marrëdhëniet e minoritetit etnik grek
me shtetin dhe qytetarët shqiptarë. Fjala është për deklaratën e Fatos
Klosit në gazetën “Illyria” të SHBA-ve, se shteti grek, nëpërmjet kishës
ortodokse në Shqipëri, është më i rrezikshëm se ekstremizmi islamik. Po
kështu, fjala është edhe për deklaratën e kryetarit në detyrë të
SHISH-it bërë në Komisionin e Sigurisë, se shërbimet inteligjente që ai
drejton disponojnë informacione se nëse në ndarjen e re territoriale
zona e Himarës do të jetë njësi më vete, atëherë nën ndikimin grek, kjo
krahinë mund të ndjekë shembullin e Krimesë. Është më se normale që
shërbimet inteligjente të një vendi, në funksion të sigurisë së tij
kombëtare, të klasifikojnë impenjimin e tyre ndaj faktorëve të ndryshëm
brenda dhe jashtë vendit. Normale është (dhe kështu ndodh) që raportimet
dhe konkluzionet inteligjente nuk janë për konsum publik, veçse për
struktura të caktuara. Ndryshe s’ka përse të quhen “sekrete”. Për
SHISH-in, historia e tranzicionit provoi se bën përjashtim rasti i
raportimeve “sekrete” të tij ndaj Greqisë. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm
për dy rastet e fundit, por për “një transparencë” dhe konsum vijues nga
publiku të sekreteve të SHISH-it që kanë për objekt Greqinë.
Ndodh veçanërisht kur situata politike e brendshme në vend përjeton
trazime, ose prag trazimesh; kur forcat e caktuara politike në vend (me
ndikim në shërbimet inteligjente) kërkojnë të mënjanojnë përgjegjësitë e
veta për situatat e ndërlikuara me “rrezikun” grek ndaj Shqipërisë, ose
kur minoriteti etnik grek, brenda kuadrit kushtetues të vendit, ka
rastin të përmirësojë statusin e vet në fusha dhe nivele të ndryshme.
Mekanizmi është i thjeshtë dhe shumë efektiv. Për vetë natyrën e këtij
shërbimi, informacioni “i rrjedhur” prej tij ka një ndikim ekstrem në
ndjesitë nacionaliste antigreke të shtresave të opinionit publik
shqiptar. Kështu mund të interpretohen edhe dy rastet e fundit. Zoti
Klosi e kupton se kumti i informacionit që ia servir publikut shqiptar,
edhe në rast se është i saktë, parimisht, ligjërisht, logjikisht dhe nga
pikëpamja humane, nuk ka asnjë gjë të keqe. Nuk është në dem të
ortodoksisë shqiptare ringritja e një strukture kaq brilante të këtij
besimi në Shqipëri, ashtu siç nuk i erdhi asnjë e keqe popullit shqiptar
nga vepra sociale dhe humane e kreut të kishës ortodokse. Aq më keq
kur, as Klosi e as ndonjë strukturë tjetër shtetërore në vend, apo
brenda komunitetit ortodoks ose komuniteteve të tjera fetare, nuk kanë
as edhe një rast të vetëm që mund të komprometojnë kreun e kishës
ortodokse apo edhe shtetin grek për veprimtari të dënueshme ndaj
interesave të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Zoti Klosi do të
kishte të drejtë nëse do të “vërtetonte” për shembull se, sipas censusit
të fundit, zvogëlimi gati tri herë i numrit të ortodokseve shqiptarë
ishte “pasojë e reagimit kundërshtues” të besimtarëve ndaj kreut të
ortodoksisë. Ose të zbulonte arsyet se përse shteti shqiptar i ka ndezur
dritën jeshile braktisjes dhe shkatërrimit të gati 400 objekteve të
kultit ortodoks. Pas kësaj, është e lehtë të gjykohet se bëhet një
përpjekje e sforcuar për tërheqjen e vëmendjes nga ato raste të
ekstremizmit islamik që e komprometojnë rrugën evropiane të vendit tonë.
Rimarrja e kësaj teze të Klosit nga grupet e njohura në Shqipëri, që
mbajnë të ngrehur në mënyrë permanente antigreqizmin, duhet të
konsiderohet edhe si një demarsh që mbjell dyshim dhe çarje në harmoninë
ndërfetare në vend dhe krijon premisa për një kompleks faji dhe
inferioriteti te komuniteti ortodoks shqiptar.
Akoma, më absurd ishte
“informacioni” i kreut aktual të SHISH-it në Komisionin e Sigurisë në
Parlament. Paralelizmi i Himarës me Krimenë dhe i Rusisë dhe Ukrainës me
Greqinë dhe Shqipërinë i kalon caqet e çdo fantazie. Kjo do të thotë
se në konceptin e SHISH-it, lehtësia për inicime ndryshim kufijsh midis
dy vendeve anëtarë të NATO-s ka një domethënie tjetër. Historia e
tranzicionit bën të njohur reagimin e minoritetit etnik grek ndaj këtyre
“informacioneve” të publikuara të SHISH-it. Provokon frikë të shprehur
në formulën se diçka është kurdisur prapa krahëve të tij, që më siguri
do të ftohet për ta paguar shumë shtrenjtë ai si komunitet. Kjo
përkthehet në frikë kolektive, në deformim karakteri, në mosbesim dhe
rezervim ndaj shumicës dhe shtetit. Asnjë prej strukturave legale të
minoriteti etnik grek nuk u ngrit për ta dënuar ose kundërshtuar
deklaratën e kryetarit të SHISH-it që synon paralelizmin e Himarës me
Krimenë dhe Greqinë me Rusinë. Nga ana tjetër, eksponentët e minoritetit
grek u bënë më memecë në paraqitjen e projekteve të tyre në lidhje me
natyrën e minoritetit etnik grek në ndarjen e re territoriale dhe në
lidhje me korrigjimin e gabimeve të historisë.
Përveç kësaj, e njëjta deklaratë synon gjithashtu të mbajë në këmbë
një klimë antigreke e cila, sipas projektuesve të saj, mund të ndryshojë
sado pak negativisht qëndrimin grek për marrjen e statusit të vendit
kandidat të BE-së nga ana e Shqipërisë. Është gjithashtu e sigurt se
këto përpjekje do të vazhdojnë edhe pas deklaratave të
kryeparlamentarit grek se për Athinën zyrtare marrja e statusit nga ana
e Shqipërisë përbën angazhim primar. Nga ana tjetër, historia e fundit
më se 20-vjeçare tregon se informacionet e rrjedhura apo të publikuara
nga shërbimet inteligjente shqiptare për gjoja veprimtari subversive
greke ndaj Shqipërisë, nuk janë vërtetuar asnjëherë, pra kanë qenë një
mashtrim, ose një lojë shpesh me protagonistë nga minoriteti etnik grek
të kompromentuar nga shërbimet inteligjente shqiptare, që synonin
kultivimin e fobisë dhe rezervimit të minoritetit etnik grek në
marrëdhëniet me shtetin dhe popullin shqiptar, ose kishin si qëllim
tërheqjen e vëmendjes nga problemet e brendshme politike. I takon tanimë
historisë së afërme loja “e autonomisë së Vorio Epirit” me projektin e
çifteve të një fondacioni privat grek. Për incidentin e Peshkëpisë së 10
prillit 1944, nuk janë marrë akoma përgjigje se kush e urdhëroi
shkeljen e ligjeve ushtarake të shtetit shqiptar. P.sh transferimin në
kufi të rekruteve para kryerjes së betimit ushtarak, lënies së tyre pa
armatim dhe ndërlidhje, zhdukjes së procesverbalit të kryerjes së
veprimeve etj. Në gjyqin e të pestëve të OMONIAS mbeti enigmë se përse
shërbimet sekrete e zbuluan nëpërmjet shtypit (kur me ndërhyrjen
amerikane bëhej gati lirimi i tyre) se tre nga të pestët ishin të
rekrutuar nga sigurimi i shtetit. Asgjësues mbetet për variantin e
ish-SHIK-ut se shkaku i trazirave të 1997-ës ishte plani i lobit grek
fakti që në Shqipërinë e Jugut pa shtet, ushtri e qeveri në atë
periudhë, nuk pati asnjë përpjekje për ndryshim kufijsh etj. Duke e
mbyllur këtë analizë dua të theksoj se ajo ishte e përfunduar kur
ambasadori amerikan Arvizu tërhoqi vëmendjen për një kujdes në
publikimin e informacioneve të shërbimeve sekrete.
No comments:
Post a Comment