Saturday, June 07, 2014

A është Kryepeshkopi Janullatos një…agjent?

Nga Bledar Prifti.

Kam vënë re prej kohësh sulme të pareshtura kundër Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Personalisht jam kundër këtyre sulmeve për disa arsye. Së pari, Kryepeshkopi akuzohet se është grek dhe kështu Kisha Ortodokse Shqiptare humbet pavarësinë e saj. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe absurde pasi pavarësia e institucionit nuk diktohet nga kombësia e udhëheqësit por nga pavarësia që ka institucioni në marrjen dhe ekzekutimin e vendimeve dhe zbatimin e rregullave që normojnë aktivitetin e tij. Kisha Ortodokse Shqiptare, edhe nga vetë emri, është një institucion i pavarur nga institucionet e tjera të të njëjtit niveli hierarkik brenda Ortodoksizmit botëror.

Nëse kombësia e Kryepeshkopit na qënka ajo që i heq pavarërinë Kishës Ortodokse Shqiptare, sipas disave, atherë le të pajisim Kryepeshkopin me shtetësi shqiptare dhe e mbyllim këtë debat të stisur i cili prodhon vetëm përçarje mes shqiptarëve. Shume grekë, turq, dhe arabë e kanë marrë shtetësinë, përse të mos e marrë edhe Kryepeshkopi? Unë nuk e di saktësisht nëse Kryepeshkopi ka aplikuar për të marrë shtetësinë Shqiptare. Kam degjuar, por nuk jam i sigurt, se ai ka aplikuar por nuk ia kanë dhënë pushtetarëtt tanë. Nëse kjo është e vërtetë, atherë ne jemi përballë një skandali të paprecedent i cili fyen jo thjesht komunitetin ortodoks shqiptar, por vetë Shqiptarizmën. Fuqia dhe reputacioni i një kombi tregohet në dëshirën që kanë individët për të marrë ose lënë shtetësinë e atij kombi. Marrja e shtetësisë Shqiptare nga një shtetas i huaj, aq më shumë kur flitet për një figurë fetare me shtetësi greke si Kryepeshkopi Anastas, do të ishte një triumf i Ortodoksizmit Shqiptar dhe i vetë nacionalitetit.

E parë nga perspektiva e pavarësisë fetare, përsëri hasim me një paradoks absurd. Shumica dërrmuese e atyre që janë kundër Kryepeshkopit për shkak të Autoqefalisë, janë në të njëjtën kohë pro një prokurori të huaj për të hetuar krimet e shqiptarit kundër shqiptarit (tip EULEX) dhe pro lëshimit në masë të sovranitetit kombëtar në duart e Bashkimit Europian. Pra, këta janë gjoja pro sovranitetit fetar por kundër atij kombëtar, çka është një paradoksale dhe tejet absurde. Këtu del se këtyre iu “djeg” më shumë për fenë sesa për nacionalizmin, aq më shumë kur pjesa dërrmuese e tyre nuk janë të besimit Ortodoks.
Se dyti, akuzohet Kryepeshkopi se është agjent i grekut dhe i serbit, por kërkush nuk na tregon zinxhirin/kanalet e marrjes dhe dhënies se informacionit. Sipas këtyre i bie që Kryepeshkopi është bërë si Agjenti 007. Nëse Kryepeshkopi na qënka “Agjent 007”, ku janë provat më minimale për këtë gjë dhe c’farë ka bërë qeveria Shqiptare në lidhje me to? “Jo jo,” do të thonë te “shqetësuarit” me sekretet shqiptare, “Kryepeshkopi nuk vepron si Agjenti 007 por ka punësuar agjentë të tjerë që e bëjnë këtë punë.” Dhe ky pretendim, sa absurd aq edhe djallëzor, nuk bën gjë tjetër por insinuon se gjoja struktura të Kishës Ortodokse janë të përfshira në veprime agjenturore.

Le t’i japim të drejtë për pak kohë pretendimeve të “nacionalistëve” se gjoja Kryepeshkopi Anastas është “Agjenti 007” i Greqisë apo se struktura të Kishës janë struktura agjenturore. A mund të na tregojnë këta individë së çfarë sekretesh shtetërore i kanë ngelur sot shtetit shqiptar që po e merr Kryepeshkopi dhe po e çon në Greqi? Nga do e nisni? Nga ushtria që vetë e shkatërruam ashtu si shkatërruam çdo gjë pas rënies së komunizmit; nga bazat ushtarake që ua kemi lëshuar shteteve të tjera për arsye strategjike, nga aerodromet e hashishit, nga aeroporti që nuk e menaxhojmë, apo nga institucionet shtetërore të hapura tërësisht për inspektim nga kancelaritë e huaja? Ju lutem të dilni me një listë të sekreteve shtetërore që ju mendoni se janë marrë nga Kryepeshkopi dhe u janë dhënë agjenturave të huaja. Por ju e dini shumë mirë se ato çfarë flisni janë marrëzira.

Dhe ja paradoksi apo absurditeti i radhës: Këta që ankohen kundër Kryepeshkopit në të njëjtën kohë ankohen pafundësisht për tradhëti, vjedhje dhe vrasje, që ka pjellë politika shqiptare që nga koha e krijimit të shtetit të pavarur në vitin 1912. Dhe këtu kanë të drejtë. Për pushtet kemi vjedhur dhe vrarë njeri tjetrin, niseni me Mbretin Zog, vazhdojeni me diktatorin Hoxha, dhe mbarojeni me Sali Berishën e kompani. Për pushtet kemi shitur troje dhe sovranitetin kombëtar, niseni me Mbretin Zog, vazhdojeni me diktatorin Hoxha, dhe mbarojeni me Sali Berishën e kompani. Ne e dimw shumë mirë se kush na ka vjedhur dhe na vjedh, e dimw se kush na ka vrarë dhe po vret, dhe e dimw se kush e ka cuar Shqipërinë dhe Shqipëtarët në këtë derexhe mes varfërisë dhe degjenerimit. Dhe të gjithë e drejtojmë gishtin nga një entitet: POLITIKA! Atwherë përse e akuzoni me pa të drejtë Kryepeshkopin Anastas? Ai nuk është më i keq se të gjithë udhëheqësit Shqiptarë ndër shekuj, dhe ne nuk jemi më të mirë dhe nuk kemi kontribuar më shumë për Shqipërinë sesa ka është apo kontribuar Kryepeshkopi.

Së fundi, flitet shumë kundër përdorimit të gjuhës greke në Kishën Ortodokse Shqiptare, dhe kjo gjë i faturohet në mënyrë absurde Kryepeshkopit Anastas. Kryepeshkopi nuk e solli greqishten me vete kur erdhi ne krye të Kishës Ortodokse; ai e gjeti atë aty për shkaqe të cilat kanë lidhje me historinë dhe natyrën e lidhjeve midis popujve. Duhet pranuar se Shqipëria nuk është djep civilizimesh, dhe se kanë qënë të tjerë kombe ata qe i kanë dhënë jetë civilizimeve të ndryshme dhe kanë influencuar kombe si Shqipëria. Për këtë arsye është e pavend që të akuzohet Kryepeshkopi për gjuhën greke që përdoret në Kishat Ortodokse. Ajo është diçka që e kanë në dorë Shqiptarët, dhe që unë besoj po ndryshon dhe do të ndryshojë në të ardhen e afërme. Por gjithashtu dua të theksoj se këto pretendime janë tendencioze dhe selective pasi si Latinishtja dhe Arabishtja përdoren gjërë si në jetën fetare ashtu edhe në atë jofetare në Shqipëri. Biles, Islami nuk e lejon përkthimin e Kuranit në gjuhët e tjera përvec Arabishtes, për shkak të natyrës së gjuhës dhe për faktin se ajo është gjuha e Profetit Muhamed. Ku është feja Islame është edhe Arabishtja, ku është Katolicizmi është edhe Latinishtja, dhe ndaj nuk duhet të shqetësohemi se ku është Ortodoksimi është edhe Greqishtja. Këto janë më shumë çështje që varen nga historia dhe popujt që e bëjnë atë.

Si përfundim do të thoja se sulmet kundër Kryepeshkopit Anastas janë tejet absurde dhe të mbushura me paradokse, kjo edhe për faktin se absurditeti të nxjerr ngahera në paradokse. Fakti që Kryepeshkopi është me shtetësi greke nuk ia heq pavarësinë Kishës Ortodokse Shqiptare pasi trajtat individuale nuk mund të njëhsohen me rregullat dhe procedurat institucionale, të cilat janë të vazhdueshme dhe të detyrueshme për të gjithë. Në vend të një pretendimi absurd kundër figurës së Kryepeshkopit, unë propozoj që të inkurajojmë dhe mbështesim marrjen nga Kryepeshkopi të shtetësisë Shqiptare. Kjo do të ishte një fitore e madhe për të gjithë, si për komunitetin Ortodoks ashtu dhe për kombin. Nëse Kryepeshkopi e nisi karrierën fetare në Shqipëri si shtetas Grek, le ta bëjmë ta lëri karrierën si shtetas shqiptar.

Nëse pretendoni se jeni nacionalistë, ju kujtoj se nacionalizmi kurrë nuk mund të jetë i 
vertetë nëse nuk ka kaluar më parë stadin e patriotizmit. 

Bledar Prifti(GazetaDita)

No comments: