Friday, June 06, 2014

Nuk jane te gjithe ne nje mendje me Xhufin e Cipen

PROBLEMET E FEVE DHE NACIONALIZMI SHQIPTAR

ZAMIRA ÇAVO
Zamira Cavo 
Vështirë të gjendet ndonjë ngjarje e mirë për vendin dhe imazhin e tij, që të mos jetë përfolur dhe anatemuar nga vetë ne shqiptarët! Duket si një mallkim historik, që gëzimin të mos e jetojmë dot deri në fund! Kështu ndodhi edhe me shenjtërimin e Katedrales Ortodokse. Pse ndodh kështu? Mbase ndonjë studim i hollë i profilit psikosocial shqiptar, i trashëgimisë sonë kulturore mund ta shpjegojë, por ajo që më shqetëson, është ringjallja e një farë “nacionalizmi”, i përdorur në mënyrë vulgare në rastin në fjalë. Në të gjithë ngjarjen, që në mendimin tim e konsideroj shumë të rëndësishme, ajo që duhej të na kishte bërë krenarë çuditërisht u shndërrua në një pikë fyerjesh, sharjesh pa kursyer, klerikë, politikanë e njerëz të thjeshtë! Madhështia e kësaj vepre, që me siguri do të bëjë krenarë brezat që vijnë, ashtu si besoj na bën sot krenarë kisha katolike, e që besoj do të na bëjë krenarë edhe xhamia e re që pritet të ndërtohet, u zbeh dhe vëmendja e opinionit publik u spostua në ngjarje që u provokuan nga “nacionalizmi” ballkanik, qoftë i brendshëm qoftë i jashtëm! Sido qofshin ata (nacionalistët), ia dolën të na e prishnin gëzimin. Ndaj nuk dua të merrem as me serbin Irinej, e as me thirrjet “poshtë Janullatosi!” Dua të jem e qartë në atë çfarë më shqetëson. Dhe mendoj se problemi thelbësor është ky: Sa institucione fetare në Shqipëri kanë marrë formën shqiptare? Pra, se institucionet fetare në vend kanë fituar aftësinë për t’u “vetëqeverisur”? Mesa kam vënë re në media dhe rrjetet sociale, problemi që na ka shqetësuar në rastin e Katedrales Ortodokse nuk është vetëm Irinej, por edhe fakti që në krye të kësaj kishe qëndron një individ i një kombësie tjetër, i cili nuk meshoi në gjuhën shqipe, por në gjuhën greke. Gjuha shqipe u dëgjua pak nga kryepeshkopi. 

Edhe unë, në dëshirën time, do ta dëshiroja që në krye të kishës të jetë një shqiptar, si dikur Noli punoi për këtë. Çuditërisht ne, me atë “përbindëshin tonë nacionalist”, që na zgjohet hera-herës kundër fqinjëve tanë grekë e serbë, nuk jemi ndalur gjatë në problemin kyç të kësaj të vërtete. Po kisha katolike, nga kush drejtohet? Sigurisht që nga kryeipeshkvi Anxhelo Masafra! Në dijeninë time nuk është shqiptar. Por për të nuk flitet e askush nuk e ka anatemuar këtë fakt. Nga ana tjetër, dëgjojmë faljet e myslimanëve në festat e mëdha dhe pjesa më e madhe e tyre është në gjuhën arabe. Por askush nuk i anatemon. Italia duket më “miqësore” dhe Arabia është larg “shpirtit tonë nacionalist”. Pra, problemi nuk qëndron thjesht në fenë ortodokse, por është problemi ynë, që duket se lidhet me disa faktorë të vet organizimeve fetare, por edhe të pamundësive reale tonat për të pasur klerikë të standardeve që ata kanë, për të drejtuar institucionet e tyre.

Po bëhet gati çerekshekulli kur liria fetare krijoi një mundësi të re për shqiptarët dhe Shqipërinë. Sot unë jam e bindur se, një brez i ri klerikësh shqiptarë në të gjitha fetë, janë të gatshëm të marrin në dorë jetën e institucioneve të tyre dhe uroj që shqipja të jetë gjuha e folur brenda çdo institucioni fetar.

Atëherë problemi që ngriti gjithë këtë mjegullnajë mediatike nuk duhej kurrsesi të zbehte festën dhe gëzimin për shqiptarët. Në këtë rast, patriotizmi shqiptar do të dukej në vlerësimin që i duhej bërë ngjarjes për të parë imazhin pozitiv, që u soll në botë! Një kryeqytet i vogël arriti të mbledhë bashkë krerët e kishës ortodokse, duke e bërë Tiranën, qoftë edhe për një ditë, kryeqytetin e kësaj feje! Kjo është shumë pozitive dhe unë e kam ndier të tillë. Dikush do të thotë, po ai prifti serb që na përdhosi në shtëpinë tonë? Në këtë rast ndaj po të njëjtin mesazh me Kryeministrin e vendit dhe turpi i mbetet priftit serb dhe asnjë shqiptari. Bota e qytetëruar nuk do të anatemojë Shqipërinë, por kishën serbe që u përfaqësua në këtë mënyrë nga një individ nacionalist ballkanik.

Sikur të mos mjaftonte kjo, skandalet e “vogla” sërish u përpoqën të na shuajnë gëzimin. Dikush ka shkuar edhe më tej, duke e quajtur “skandaloze” daljen e disa të rinjve serbë me flamurin e tyre pranë kishës. Ok dhe ata të rinj e kanë në thelb nacionalizmin. Por pse nuk na u duk e tillë shfaqja e disa të rinjve shqiptarë, dy javë më parë, kur në Beograd u hap ekspozita e Marubit dhe ata, me flamurin shqiptar, dolën rrugëve të Beogradit dhe u fotografuan pranë çdo objekti që e konsideruan të arsyeshëm dhe fotot e tyre janë në rrjetet sociale? Po kur Papës ne i vumë shallin e kuq në qafë si shenjë mirënjohjeje, si mund të kishin reaguar katolikët ekstremistë ndaj kësaj ngjarjeje? Ja pra që bota është tolerante, sepse është përpjekur në kohëra të largojë nacionalizmin ekstrem nga ndërgjegjja e vet. Këtë duhet të bëjmë edhe ne. Toleranca fetare duket se është më shumë indiferentizëm fetar dhe si e tillë është mjaft e përdorshme nga individë, që si thoshte dikur Ainshtajni: maskarenjtë gjejnë stofën e tyre të fundit te nacionalizmi! E për të gjithë ata që do të më akuzojnë si ortodokse apo ku e di unë se çfarë, u them: jam ateiste!

No comments: