Monday, June 09, 2014

Bashkimi i Himares me Komunën e Lukovës të Bregdetit të Poshtëm-e vetemja zgjidhje optimale-



 Mendime rreth statusit administrativo-   
              territorial të Himarës
                           Prof. Dr. Priamo BOLLANO
                                        Prof. As. Dr. Jorgji HAXHARI
Qeveria shqiptare, me zotin Edi Rama Kryeministër, në zbatim të axhentës së saj, është duke punuar për kryerjen e një reforme territoriale administrative. E vlerësojmë dhe e mbështesim domosodshmërinë e  kryerjes së kësaj reforme, sepse ka të bëjë me riorganizimin territorial e administrativ të mbarë Shqipërisë, si një kërkesë e kohës. Ajo, me të drejtë, synon krijimin e njësive të vërteta ekonomike dhe të zonave funksionale administrative vetqeverisëse, të afta për të përmbushur dhe kryer shërbimet bazë, ndaj  gjithë shtetasve, me synim thellimin e decentralizimit dhe afrimin e pushtetit vendor tek populli, deri në fshatin më të largët. Por, opsionet e parashtruara për Himarën, nga Komisioni dhe nga Ministri përkatës, përbëjnë, sipas nesh, hapa mbrapa, krahasuar me statusin administrativo-organizativ, që ka gëzuar historikisht Krahina e jonë. 
Si  himariotë dhe njohës të problemeve, që shqetësojnë sot Himarën dhe banorët e saj,  shprehemi kundra opsionit të rekomanduar për “krijimin e një  zone funksionale me qendër Himarën, përfshirë   Komunën e Vranishtit të zonës së Lumit të Vlorës dhe Komunën e Lukovës, të Bregdetit të poshtëm”. Në parim, ne shprehemi absolutisht kundër bashkimit të Himarës me komuna të tjera, sepse siç ka deklaruar Ministri Çuçi: “Himara më vehte as që nuk diskutohet se mund të rrijë si një zone funksionale. Këtu ska absolutisht gjë për të debatuar në lidhje me këtë çështje”. Me këtë deklarim u jepet përgjigje edhe zërave që gjykojnë jashtë realitetit,  se me miratimin e Himarës si një zonë më vehte funksionale, mund të ketë edhe prirje për ngjarje të ngjashme si ato të Krimesë!  Përballë pikëpamjeve dhe koncepteve të tilla, që unitetit midis popujve i vejnë mina, ne u përgjigjemi me fjalët e politikanit dhe publicistit shqiptar, të viteve postkomuniste, zotit Preç Zogaj: Realitetet historike nuk vijnë nga qielli, as janë pjellë e fantazive të studjuesve dhe historianëve të ndryshëm, por vijnë nga thellësia e viteve dhe e shekujve. I tillë është dhe komuniteti greqishtfolës në Himarë. Ai ka historinë e vet autentike, disa shekullore...” dhe se “ nacionalizmi i sëmurë është anakronik dhe armik i historisë, por në kohën e globalizmit, internetit, lëvizjes së lirë, multilinguizmit etj, nganjëhere shkon deri atje sa t’u kërkojë llogari një pakice njerëzish se përse flasin si gjuhë të parë, gjuhën që  kanë  mësuar në krahët e prindërve”                                                                                                 Në se gjykohet se Himara nuk mund të qëndrojë më vehte, ashtu siç jemi shprehur edhe në disa shkrime të mëparëshme, gjykojmë se ajo mund të bashkohet vetëm me Komunën e Lukovës të Bregdetit të Poshtëm, duke formuar një zonë funksionale më vehte dhe që lidhen me veçansitë  dhe vetdijen historike, kulturore, të besimit dhe me vetë shtrirjen topogjeografike të saj, në mbarë BregdetinJonian.
Qëndrimin dhe  mbështetjen sa sipër, ndër të tjera, e mbështesim:

Së pari, në Himarë dhe në mbarë Bregdetin Jonian, mbetet ende i pazgjidhur problemi i pronave, ku  pushtetit vendor i mbështetur nga Qeveria, i takon të luajë një rol të veçantë. Me një Bashki të re, që do menaxhojë disa mijëra banorë, përfshi edhe disa fshatra të Lumit të Vlorës, kjo zgjidhje na  duket shumë e largët, për të mos thënë që do të anash kalohet. Ndërkohë, një bashkim i tillë, nuk i shërben unitetit dhe bashkëegzistencës popullore, krijimit të një zone ekonomike funksionale, ku në përbërjen e saj hyjnë komunitete apo subjekte, që kanë pretendime pronësore dhe, për rrjedhojë, konflikt interesi lidhur me ‘të. Këtu, shkurtimisht, nënvizojmë se i tillë është rasti i komunitetit  kuçjot, që, në kundërshtim me faktet historike dhe me realitetin, pretendon edhe sot se ata  fillimisht kanë banuar në Porto Palermo, ku kanë pasur edhe pronat e veta dhe mandej janë vendosur aty  ku janë edhe sot, se ata lejuan Ali Pasha Tepelenën të ndërtonte në tokat e tyre kalanë e Porto Palermos, e të tjera  broçkulla të kësaj natyre!! ( Shih librat: Janko Pali, ‘’Historia e fshatit Qeparo’’, Rami Memushaj, ‘’Histori e Kurveleshit’’, Seit Alikaj, ‘’Kuçi i Labërisë në shekuj’’ )
Në rast se  kohët e fundit, ish kryeministri Berisha , për demagogji, shprehet i penduar për gabimin e bërë për miratimin e  ligjit kriptokomunist 7501 për ndarjen e pronave, duke  shkelur hapur parimin e pronësisë, gjë që çoi në bërjen sa një mal të fallcifikimeve për ‘to,  aq më shumë i takon Kryeministrit  Edi Rama  dhe kabineti të tij, që duke mos qënë të implikuar në padrejtësitë dhe gjithçka të keqe, që mbarti ndarja e pronave sipas  parimit leninist-bolshevik “ toka tek ai që e punon dhe  që banon në fshat”, t’i japë fund sistemit kleptodemokratik të instaluar ne Shqipëri dhe të vendosë moralin e shkelur mbi pronat. Me këtë akt  historik, do të mund të shënohet shkëputja përfundimtare e shoqërisë shqiptare nga gjurmët e komunizmit, do t’i jepet fund  edhe gjithë padrejtësive të vërtetuara deri më sot në pronat, duke i kthyer tokën pronarit të ligjshëm, himariotit të shpronësuar me dhunë nga diktatura e proletariatit.
Ne shpresojmë se kjo Qeveri do  të ndalojë dhënien në Krahinën e Himarës të  tapive e të titujve të pronësisë mbi tokën, sipas ligjës 7501, pa verifikuar më parë, se sa origjina e tokës së fituar  është në përputhje me nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës së Shqipërisë.

Së dyti. Himara është me të vërtetë një vend me pak banorë, por me potenciale të mëdha ekonomike dhe humane, veçanërisht intelektuale,       ( për zhvillimin e turizmit detar, malor dhe kulturor dhe të agrokulturës në interes të tij), të atilla që i mundësojnë asaj një zhvillim e përparim të kënaqëshëm, punësimin e gjithë forcave dhe ndërprerjen emigrimit të krahut të punës dhe, përmes politikave fiskale të studjuara e bashkëkohore, mund të sigurojë kapitale jo vetëm për vehte por edhe për zhvillimin e krahinave të tjera.  Mos shfrytëzimi i tyre,  deri më sot, lidhet me faktorë të shumtë eksogjen, që nuk varen nga himariotët.                                                            
Prandaj, Himara sot karakterizohet nga një prapambetje ekonomiko-sociale, me tipare ekstraversionin, që shprehet në faktin që konsumi material i bregdetasve, në një masë të madhe, mbulohet nga të ardhurat që prodhohen jashtë Krahinës dhe që, në formën e  transfertave monetare, komsumohen në 'të. Kjo gjëndje e ka burimin në politikat jo të studjuara, të ndjekura nga qeveritë e para 23 qershorit 2013, që, nga njera anë, kanë të bëjnë  me ligjën 7501  dhe me pranimin edhe sot të parimit enverian “pronë e shtetit”, në një kohë kur në Himarë s’ka pasur çifligarë dhe bejlerë, ndërsa shteti s’ka pasur prona të vetat. Nga ana tjetër, ajo është shprehje e investimeve publike të munguara në infrastrukturë, sidomos në sigurimin e ujit të pishëm, në pastrimin e mbetjeve urbane, në funksionimin e qëndrave shëndetësore, etj.                                                                                   

Së treti, është fakt i padiskutueshëm se, shumë turistë vendas por edhe të huaj, zgjedhin Himarën për pushime, sidomos gjatë stinës së verës. Prandaj, duhet një Bashki më vete dhe  pushteti qendror t'i japë prioritetin e duhur me fonde, sepse, deri më tani, ato kanë qënë  qesharake. Edhe ndonjë punë me peshë që është bërë aty, është realizuar nga kreditë e dhëna nga bankat e huaja. Siç shkruan me të drejtë studjuesi i mirënjohur shqiptar Moikom Zeqo: “ ka ardhë koha që politika shqiptare t’i kthejë sytë nga Himara, kjo Priceshë në gjumë pa dyshim që do të zgjohet” dhe se “ në se politika  shqiptare do të kthejë sytë nga Himara atëhere çështja e  shpopullimit të kësaj  kryevepre natyrore, të ikjes së banorëve të saj në emigracion nëpër botë, do të ishte kushti i parë ekzistencial i një rimgjalljeje. Një projekt vizionar strukturuar për Himarën, do ta kthente atë të paktën në një purgator turistik, për të mos përdorur fjalën apologjike parajsë. Në këtë kuptim populli i Himarës do të kishte një kontakt të ri të shumfishtë me gjithë qytetarët e botës. Stinët do të kishin karakterin e festave të veçanta masive të Diellit, të ullinjve dhe të detit, të polifonisë, ...që tek popujt e tjerë, po thuajse ka vdekur, kurse në Himarë ka një karakter shpërthyes, të brendshëm, të përtejkohshëm, të kapërcimit të hapsirave dhe marrëzive idioteske të politikave të pa emancipuara ”

Së katërti, përfshirja e Komunës së Vranishtit në Bashkinë e Himarës nuk i përgjigjet vetdijes historike, kulturore, shpirtërore dhe besimit të popullsisë së dy zonave, por i ngjan më shumë një amalgame, të ngjashme me bashkimet mekanike në kohën e komunizmit të kooperativave fushore me ato malore, që  në shumë raste nuk kishin as një vazhdimësi territoriale.  Bashkim i Himarës me Vranishtin, në vend të një rikonceptimi të qeverisjes vendore, i ngjan më tepër si një rikonfigurim i kufijve administrativë. Siç ka vënë në dukje, në mendimet e shfaqura për reformën territoriale, kolegu i ynë Prof. Dr. Arqile Bërxholli, një  gjë e tillë  përbën një  bashkim “ administrativ për interesa elektorale, nxitur nga egoizmi për pushtet” dhe jo një liberalizim të pushtetit vendor dhe rritje të kompetencave të tij.  Prandaj, ne, nuk ka si të pajtohemi me një bashkim të tillë mekanik, me  tendenca të theksuara politike, sepse bie ndesh me qëllimet e reformës administrative terriroriale, që duhet bërë në Shqipëri.                                                 
Historikisht, pas ndërrimit të fesë nga fshatrat brenda hinterlandit, këto dy krahina, për shkak të konflikteve, që lidhen me pronat, kanë qënë në luftë të vazhdueshme. Banorët e Lumit të Vlorës, disa herë u orvatën të zaptojnë tokat e Qeparoit, sikurse me mbështetjen e Ali Pasha Tepelenës,   kuçjotët zaptuan tokat himariote të Panormës dhe filluan të ndërtojnë edhe xhami në qafën e Lerës, por që, në saje të luftës heroike të himariotëve, u larguan me turp. Po kështu, për qëllime grabitqare ata shpërngulën Pilurin nga vendbanimi i quajtur Katund  dhe  himariotët i sistemuan ata në vendin ku janë sot. Evetmja lidhje po thuajse e qëndrueshme midis Himarës dhe Lumit të Vlorës ka qënë ajo për verimin dhe dimrimin reciprok të bagëtive. Sa për lidhje të tjera, deri nga fundi i viteve 60 të shekullit të kaluar, nuk mund të bëhet fjalë. Aq është e vërtetë kjo, sa që në fillim të viteve 60 të shekullit të kaluar, kur himariotët kërkuan të mernin një pjesë të ujit nga Buronjat e Kuçit për pirje nga popullsia dhe për vaditje, ata preferuan që uji të rridhte në Shushicë dhe prej andej, përmes Vjosës, të derdhej në Adriatik.
Ne pajtohemi me atë që shpreh Prof. Dr. Rami Memushaj se “ Sot fshatrat e Kurveleshit janë shpërndarë në pesë komuna: Kallarati, Bolena dhe Kuçi janë pjesë e komunës së Vranishtit;  Golemi, Kaparjeli,Nivica, Rexhini, Progonati dhe Lekdushi bashkohen me komunën e Progonatit, Ftera e Çorraj janë pjesë e komunës së Lukovës, kurse Vermiku është pjesë e komunës së Smokthinës. Ky copëzim ka goditur rëndë lidhjet tradicionale midis fshatrave të Kurveleshit, ndërkohë që do të kishte qënë në interesin jo vetëm të kurveleshasve, që krahina të tilla me lidhje të ngushta historike, kulturore e ekonomike, të formonin një njësi administrative më vete, ashtu siç kanë qenë në shekuj” (nënvizimi i yni ).

Së pesti, në aspektin topogjeografik, këto dy zona, kanë një ndarrje të fortë natyrore, malet Akrokeraune. Komunikimi  midis tyre, edhe sot, sikurse në të kaluarën, bëhet  duke ecur nëpër shtigje e monopate nga kalojnë dhitë, duke çarë dëborën e dimrit dhe duke përballuar vapën e verës. Për të ardhur me mjete bashkëkohore në Himarë , banorët e tyre duhet të shkojnë ose në Vlorë, ose në Borsh dhe prej andej në Himarë duke përshkuar 70 deri 100 km. Vështirësitë e komunikimit sigurisht që do të mbartin ndikimet e tyre edhe në cilësinë e kryerjes së shërbimeve nga pushteti vendor dhe në vend që ai të jetë sa më afër banorëve, si një ndër synimet themelore të reformës, me këtë bashkim do të largohet.
Ne shpresojmë dhe besojmë se Qeveria e pas 23 qershorit 2013, me obligimin e saj për të dëgjuar dhe për  t’i shërbyer sa më mirë popullit, do t’i japë rrugëzgjidhje të drejtë statusit të Himarës, në interes të  përparimit dhe prosperitetit krahinor e mbarëkombëtar. E shohim me vend që,  mbylljen e këtij shkrimi, ta bëjmë me thënjen e publicistit Loloçi se “ Himarën s’mund ta posedojë askush, sepse kjo gjë nuk ka ndodhur edhe në mote më të vështira të egzistencës së saj. Atje mund të marrin fund përrallat me piratët e përtej detit, nëse nisin seriozisht investimet, riformulohen politikat për më shumë dashuri për truallin amë dhe për fqinjët e dhënë nga perëndia dhe kur atje kthehet normaliteti i një qyteze krejt të veçantë”.
P.S. Për të lehtësuar lexuesin, në mirëkuptimin e arësyetimeve të mësipërme, po i japim për njohje:

Pjesë nga disa botime dhe dokumente historike për STATUSIN E HimarëS dhe PËR lidhjet e saj     
            histOrike me zonën e Kurveleshit.

Nga libri: Δρυμάδες, Χιμάρα,  të mësuesit  dhërminjas Kosta Dede, bot, Athinë, 1978 :
” Nga vitet 1421 deri më 1745, në zonën e Akrokeraunve, 30 fshatra të Krahinës Autonome të Himarës ndërruan fenë. Në vitin 1682 despoti i Himarës Zaharia  nga pa mundësia e përballimit të islamizimit në mitropolin e tij kristiane, vdiq nga hidhërimi. Brënda 5 vjetesh, nga viti 1735 deri në vitin 1740, pjesa më e madhe e të krishterëve të Delvinës ishte islamizuar. Si rrjedhojë, ndërsa muhamedanët ishin në fillim 1 me10 të krishterë, kaluan në mazhorancë absolute...Ndërmjet bashkësive të Krahinës mbretëronte mirëkuptimi, dashuria, ndihma reciproke dhe patriotizmi i zjarrtë. Për mijra vjet jetonin të bashkuar dhe në miqësi dhe së bashku përballonin çdo ndërhyrje të huaj. Pas islamizimit të 30 fshatrave të komunitetit krahinor, në zonën e Vetëtimave, u ngrit një mur  që e ndau Himarën e lodhur. Duke filluar nga 1421 e këndej krahina e Himarës njohu ndërhyrjet dhe sulmet armiqësore më të forta nga komunitetet e islamizuara.  Që atehere. një ditë të qetë nuk njohu Himara. Kur me sulme të rregullta, kur me sulme të ndërprera e të shkurtëra, kur me vjedhje piraterie, vendi gjëndej kurdoherë në këmbë. Vëllezërit e djeshëm u bënë armiq më të eger.”( fq.. 25)                                                                                                                                                                                                                                            
                                       ---------- . ---------
 Nilo Borgia, misionar bazilianë i Papës, në përmbledhjen,   për misionin e tij në Himarë, dërguar Selisë së Shënjtë, shkruan :
Ne i duam dhe i vlerësojmë shumë, në krahasim me Grekët e tjerë që kanë aq urrejtje për Latinët. Është e vërtetë që Grekët e Himarës i duan dhe i vlerësojnë misionarët për shkak të interesit që kanë për edukimin e fëmijve të tyre, por kjo nuk është kundër qëllimit të Misionarëve, bile është një mjet i  përshtatshëm për të arritur qëllimin kryesor...”

Nga libri: Historia e fshatit Qeparo, të Mësuesit të Merituar         
                                     Janko Pali:
“ Banuesit e Borshit s’ishin të kënaqur me kufijtë e gjëra që qeveria turke ( Dovleti ) i kish favorizuar duke u dhënë toka e, duke i bërë kufitarë me 9 a 10 fshatëra, po donin të merrnin dhe tokat e pakta që pati Qeparoi...
( fq.18)” dhe  pas përpjekjeve të përgjakëshme pa sukses ndaj qeparotasve, borshiotët... “ me gjithëse i shin tre herë më të shumtë në numur, menduan të kërkojnë ndihmën e katundit Kuç. Që kish filluar, edhe ky, të bëhej muhamedan duke ndërruar besimin. ... Kuçiotët, me nam si gabitës e të pa fre, pranuan me gëzim aleancën me Borshin kundër Qeparoit ( ndoshta për qëllime vetjake, siç do shikojmë më poshtë) e s’vonuan të ndezin luftën edhe ata kundër gjyshërve tanë, të ndodhur tanimë mes dy zjarresh. Për pesë vjet me radhë, thotë gojëdhana, trimat e paktë po zëmërluanë të fshatit tonë mbajtën luftën gjallë duke luftuar kundër dy fshatrave të mëdha Borsh e Kuç, të bashkuar kundër nesh...( fq.22).
Së fundi, Borshi me Kuçin, duke parë se me luftë nuk mposhtnin dot Qeparonë ose ta ndqinin e ta shtronin, menduan dhe në verë të atij viti, vunë zjarr në grunjërat e fshatit tonë me qëllim që, me anën të urisë, t’i detyrojnë të  përulen e të zhduken. Këtë radhë gjyshërit tanë, për mungesë të ushqimit, shtrëngohen të lënë vëndin, çkulen dhe shkojnë e ngulen më të shumtët në Lëkurës të Sarandës..Kjoi ngjarrje mund të ketë ndodhur para ndoshta 200 vjetësh ( aty nga 1730-1750)... ( fq.22-23).
Largimi i krejt katundit tonë bëri  që kuçiotët dhe borshiotët ndanë tokat e Qeparoit, mbasi plaçkitën e dogjën fshatin që u kish qëndruar nën hundë me vite me radhë e që, me pushkën e tij që s’lajthiti, kish hapur aq varre në zëmrat e fsamiljeve të dy fshatrave. Ndarja e tokave të Qeparoit dhe mosrespektim i kufijve të caktuara vazhdoi për shumë vite, deri sa kuçjuotët me lakminë e tyre, filluan grindjet me fshatin e vogël Pilur që ahere përbëhej prej 50-60 familje e ishte i vendosur në afëri të Kuçit, në vëndin Katundi i Vjetër. Në atë vënd janë akoma edhe sot godina e kishës dhe gërmadhat e banesave të mbytura në përralle e ilqe, dru pylli rritur aty pas largimit të sforcuar. Ky, i shtrënguar nga Kuçi, la vëndin dhe u shpërnda  ca andej e ca këndej. Po katundi i Himarës, duke ndjerë se largimi i Pilurit nga vëndi i parë i tyre e vinte këtë në fqinjësi imediate me Kuçin muhamedan, të fortë po edhe lakmonjës, përmblodhi piluriotët dhe i lejoi të ndërtojnë fshatin e tyre të ri, në vëndin e saj Gjonadhe , dmth aty ku edhe sot ata janë. Jo vetë këtë, por për një periudhë të mirë kohe, i mbajtën me ndihma të çdo lloji, me pajisje, ushqime e sidomol me armë me qëllimin e urtë që, në u tekej kujçiotëve të varreshin përmbi Himarë, duhej medoemos të shkelnin  mbi gjokset  malësore prej burrash të piluriotëve, që vazhdimisht patën mbajtur kufijtë dhe vendin, duke u përleshur sy për sy e dhëmb për dhëmb me fqinjin e tyre të madh, Kuçin.
Dhe asgjë s’ ndalonte Kuçin që të lakmonte pushtimin dhe grabitjen edhe  të fshatit Himarë, i cili me 300  shtëpi e ca familje që kishte atëhere e me tregëtinë që bënte me Venecianët, po dhe me toka të gjëra  e kullota të përshtatëshme deri diku, s’kish si të mos u binte në sy! Por himariotët qenë trima, qenë shumë, qenë të pasur në armë, në pajisje, në miq, ndihmoheshin lehtë nga deti, e kjo bëri që kuçiotët, pas disa tentativash periodike plot dëm karshi Himarës, s’guxuan ta sulmojnë haptazi. Si shënjë e lakmisë së tyre kemi gërmadhat ende të mbajtura të xhamisë që ata ndërtuan në vëndin  Lerë , futur si pykë midis kufijve Qeparo-Himarë, por që s’mundën ta mbajnë gjatë e për shumë vjet, po e lanë e u shkretua ashtu siç duket edhe sot. Depërtimi, pra, i kuçiotëve në kufi të Himarës nuk u shkoi për mbarë e, në kërkesë të ndonjë preje tjetër, kthyen sytë nga juga e s’ vonuan të fillojnë veprimtarinë e tyre grabitqare që tregonte epshin e tyre luftarak e rrëmbyes.
Pas një periudhe shumë a pak të gjatë, pas pushtimit të Qeparoit dhe ndarjes së tokës së tij me Borshin, kuçiotët filluan të kërkojë sher me vetë Borshin duke i grabitur e duke i rëmbyer me plang e me gjë e gjallë... (fq.24-25).”                                                  ------- . -------

Pjesë nga Libri : Histori e Kurveleshit,  Prof. Dr. Rami Memushaj:

“ Sot fshatrat e Kurveleshit janë shpërndarë në pesë komuna: Kallarati, Bolena dhe Kuçi janë pjesë e komunës së Vranishtit;  Golemi, Kaparjeli,Nivica, Rexhini, Progonati dhe Lekdushi bashkohen me komunën e Progonatit, Ftera e çorraj janë pjesë e komunës së Lukovës, kurse Vermiku është pjesë e komunës së Smokthinës. Ky copëzim ka goditur rëndë lidhjet tradicionale midis fshatrave të Kurveleshit, ndërkoh që do të kishte qënë në interesin jo vetëm të kurveleshasve, që krahina të tilla me lidhje të ngushta historike, kulturore e ekonomike, të formonin një njësi administrative më vete, ashtu siç kanë qenë në shekuj” ( fq. 29, nënvizimi i yni ).
“Pasi i afërm me kuçjotët me anë të fesë, ai ( dmth Ali Pasha Tepelena) e pa të arësyeshme sa ata do të ishin të vlefshëm, po të tregohej bamirrës ndaj tyre duke ndërtuar për besimtarët e rinj një vendbanim dhe një xhami në kufijt e tij të reja me Himarën në një vend e prone të himarjotëve. Që atëhere e deri sot ai vend quhet Lerë. Aliu shpresonte se, duke vepruar në këtë mënyrë, mes kuçiotëve dhe himariotëve do të fillonin grindjet e hakmarrjet për punë të kufijve dhe kështu kuçiotët do të mbeteshin aleatë të tij… (fq. 222-223)”
“Megjithatë, Kurveleshi është nga zonat e fundit që u islamizua në Shqipëri… Autori grek V. Baraçi, në librin  “To Dhelvino, shkruan për mësues Zaharinë nga fshati Kuç i Kurveleshit, i cili në vitin 1695 hoqi dorë nga mësuesia dhe u dorëzua prift në fshatin e tij”. Por pa kaluar shumë kohë, ai detyrohet të largohet  nga Kuçi dhe të vendoset familjarisht në Kudhës, pasi   “në këtë kohë kuçjotët përqafuan islamizmin”. Sipas Baraçit, mbi varrin e tij, që  ka mbishkrimin “ Papa Zaharia nga fshati Kuç“, kudhësjotët ndezin kandile dhe pasardhësit e tij me mbiemrin Priftaj që rrojnë në Kudhës, “ ruajnë si antikë familjare kupën e argjendët me të cilën pinte verë dhe kungonte besimtarët” (fq. 227) ”
“ Para ndarjes fetare, këto lidhje ishin shumë të ngushta, …Më shumë ndarja fetare ndikoi në lidhjet martesore midis fshatrave të Bregut dhe hinterlandit lab, që erdhën duke u kufizuar me islamizimin e Kurveleshit, … Zbatimi i praktikave dhe i zakoneve të fesë islame, sado formalisht, dalëngadalë zëvëndësoi elementët e kulturës së lashtë me elementë të kulturës islame, në veshje, në festat e ceremonitë e ndryshme. Të gjitha këto sollën një largim kulturor të të dy pjesëve të Labërisë. Dalëngadalë, ashtu si prej labëve musliman vëllai i krishterë filloi të thirrej “kaur”, dmth i pabesë, edhe popullsia e krishterë e Himarës nisi t’i shihte me përbuzje vëllezërit muslimanë dhe i quanteturq”.(fq. 232).
                                              ------- . ---------
Pjesë nga Libri : Kuçi i Labërisë ndër shekuj, nga Seit Alikaj :

“Kuçi ka pasur xhami në Porto Palermo, e cila ekziston edhe sot që thirret xhamia e Kuçit, e cila u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena. Kodra mbi kala lidh bregun e detit, gjirin e Porto Palermos me Kuçin. Në këtë territor kanë edhe sot tokat e tyre fiset e Brahime, Balile, Elmaze, Xhafere, Zenele, Gjokute, Alie, Shehe, etj. ( fq 13),”
“Kuçi në krye të herës me gojëdhëna dhe me dokumente historike ka qënë pare me qëndër në Porto Palermo dhe më vonë qëndra e fshatit u zhvendos dhe u përqënsdrua në shpatën e malit Shkabës, ku është edhe sot… ( po aty)”
“Me ardhjen  e Ali pashë Tepelenës në vilajetin e Janinës Kuçjotët  e mbështetën atë. Kështu bëri Myslim Gjoleka i parë më 1803 me 100 trima, apo Aliko Suli që e ndihmoi Aliun duke i dhënë armë e municione të bollëshme. Feim Gjokutaj që ishte njeriu më besnik, pasi Aliu i kishte besuar çelsat e thesarit të tij në  Janinë, Laze Dauti që shkoi me 300 forca në ndihmë të Aliut, apo Myftar Aliu kapedan e këshilltar, i shpjegoi Ali Tepelenës  arësyet pse duhet të ndërtonte kalanë në tokat e  Kuçit në gjiun e Porto Palerrmos, gjë që Aliu e bëri realitet duke ndërtuar kalanë në bregun e Herave, ngjitur me të ndërtoi xhaminë. E cila mban emrin xhamia e Kuçit. Në qafë të Lerës e në Armiridhë sot ruhen banesat e fshatit dhe tokat për rreth janë punuar që në lashtësi, të cilat si dhe territoret për rreth mbajnë emrin, vreshti i Alie dhe ajo mbi xhade mban emrin bregu i Alikos, apo i Kuçit, etj ( fq.13-14)”.
                                            ------- . ------
Njeri nga politikanët, diplomatët shkrimtarët dhe  mbrojtës i flaktë i kauzës shqiptare, Eqerem Bej Vlora, në kujtimet e tij, nënvizon faktin, e njohur historik, se banorët e Himarës i kanë të theksuara prirjet e tyre  helenike, ndërsa në vazhdin shkruan: ” midis tyre ka vetëm 3000 njerëz që kanë folur gjithmonë greqisht dhe që të gjithë rrjedhin nga një rrënjë e vetme, sa do e largët në kohë, me prejardhje greke“ ndaj vazhdon ai  “... unë edhe pse kundërshtarë, i kam nderuar dhe vlerësuar .”
                             ------- . ------
                                                     ------ . -----
 Me ndërmjetësin e himariotit nga Vunoi Spiro Gogo Koleka, në atë kohë deputet në Parlamentin Shqiptar,  si përfaqësues i Qeverisë së Tiranës dhe përfaqësuesve të autorizuar të krahinës së Himarës, më 2 qershor 1921, nënshkruhet  marrëveshja e Vlorës, duke i njohur  „ an princip“ Krahinës  koncensione të veçanta. Marrëveshja ka përmbajtjen e mëposhtëme:                 Na, Spiro Koleka, deputet i Vlorës, delegati fuqiplotë i qeverisë shqiptare për të dëgjuar ankimet e krahinës së Himarëls, e përbërë prej fshatrave Palas, Dhërmi, Vuno, Himarë, Pilur, Kudhës, Qeparo pasi dëgjuan ankimet parashtruar prej përfaqësuesve t’asaj krahine, të autorizuar me shkresë zyrtare ( nënshkruar nga Paria e Krahinës më 16 maj 1921- shën. i yni) z.z. Dhimtri Leka nga Dhërmiu, Miço Karai e Jorgji Ballona ( Bollano- shën, i yni) nga Himara dhe Thanas Simonodhi, si sekretar i përfaqësuesvet.                                                                                               Tue marrë parasysh vobektësinë lokale t’asaj krahine dhe për të çfaqur interesimin dhe simpathinë qi shteti ynë tregon për ndenjësit, u vendos t’i bëjë  “an princip”  këto koncensione preliminare krahinës  së lartpërmënmdur.                                                                                                                                            
I.Venomet.                                                                                              Të njihen nga ana e qeverisë venomet ekonomike që ka pasur ajo krahinë në kohrat e vjetra dhe të paguaj një pagesë si dhe
II.Feja:                                                                                                                Të njihet liri e plotë në detyrat fetare dhe pasuria e kishave të disponohet përej tyre si deri   ë sot.,                                                                    
II.Arësimi:                                                                                       Në shkollat e asaj krahine gjuha shqipe do të jetë e domosdoshme ( obligatore) edhe zyrtare, greqishtja të jetë e lirë të mësohet si gjuhë e dytë, kur populli të çfaqi dëshirën.                                             
IV.Shërbim ushtrak:                                                                       
Shërbimi ushtarak  të bëhet rregullisht  si edhe  në viset e tjera, vetëm klasat që janë sot në moshë ushtarake dhe ata qi do të jenë sot në moshën ushtarake dhe ata qi do të hynë deri në vitin 1923 do të thirren për stërvitje ushtarake vetëm për tre muaj; përgjithësisht shërbimi ushtrak i kësaj krahine do të bahet nga Shkumbini e poshtë. Në kohë lufte do të merren parasysh rregullat e përgjithëshme të shtetit pa ndonjë  eksepsion (përjashtim- shën. i yni).                                                                                                                                           
V.Nënprefektura:                                                                 Nënprefekti e komisari i policisë do të jenë kristianë dhe jo himariotë.                                                                                                                                               
VI.Gjykatorja:                                                                                         Të ketë në Himarë një gjykatore jo më të vogël se të paqit me Kryetar  kristian dhe jo himariot,                                                                                                                                  
VII.Deputetët:                                                                                    Himara ka të drejtë të ketë dy deputetë, pa mos vështruar numurin e popullsisë,                                                                                                                        
VIII.Amnisti:                                                                            Duke marrë parasysh ngjarjet e kohës së shkuar anormale  jepet amnisti ( falje ) e plotë për të gjitha fajet penale e politike që kanë ngjarë deri më sot,                                      
  IX.Hollësira:
Për të shpjeguar dhe hollësitë e duhura do të vejë një komision nga qeveria qëndrore,                                                                                                                                            
X. Pranuar nga tre himariotët përfaqësues dhe nga ana e delegatit të plotëfuqishëm. Për të marrë formën legale do të paraqitet në Parlament“ “ ( AQSH,  Fondi Nënprefektura e Himarës, viti 1921, dosja 203, shih, edhe Arkivi i Ministrisë Jashtëme të Greqisë, viti 1927, Arkivii i Himarës, Nr. 10 592,                                                                            Shih edhe Kastriot Dervishi, Marrëveshja e Spiro Kolekës për 7 fshatrat dhe Himarën, Gazeta 55, 13 gusht 2006)
                            -------------  . ---------
Nga Intervista e Mbretit Zogu I dhënë korspoedentit të përditëshmet Eliniqi, në Vjenë viti 1931.
Me  Greqinë na lidhin së bashku fate historike...Por sigurisht, për vetë rrethanat është e nevojshme ruajtja e miqësisë, e respektit reciprok, e integritetit territorial të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Greqisë”, dhe më tej,  mbreti pranon,  realitetin historik se “ mbretëria e shqiptarëve ka pjesë greke. Si Korça, Himara, Dhruvjani, Gjirokastra. Por kufijtë tanë në fillim të shekullit janë vendosur nga ndërkombëtarët, ...” ( Shih, Ardit Rada. Deklarata e Panjohur e Ahmet Zogut më 1931, në gazetën SHEKULLI dt. 23.08.2012, si edhe « Με τον Βασιλέα Ζόγου, για την Πολιτίκη της Αλβανίας και τας σχέσει με την Ελλάδα- Απο τα  Τίρανα εως την Βιέννην, Εφ. « ΗΛΛΙΝΙΚΗ» Αρ. Φ. 2176, Ημ. 15  μαρτίου 1931)                                           

1 comment:

Unknown said...

A po kërkoni një huadhënës privat? A keni nevojë për hua urgjentisht? A keni një kredi të keqe? Unë mund t'ju ndihmoj të siguroni një kredi me normë interesi deri në 2%. 100% financim me dokumentacion minimal.Kompania jonë e kredisë është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e huave të zgjedhjes suaj për sa kohë që ju mund të paguani përsëri Ne nuk kërkojmë ndonjë formë të kolateralit. Norma e interesit të kredisë është fleksibël sepse ne i japim fondet tona të huasë me një normë interesi prej 2%. Ne jemi një huadhënës i besueshëm i huasë dhe ne ju sigurojmë se në qoftë se ju ndiqni procedurën tonë hap-pas-hapi do të merrni kredinë tuaj të miratuar dhe transferuar tek ju. mail: {lendersuccess@gmail.com} nëse jeni i interesuar në marrjen e një hua kështu që unë mund të ju jap më shumë informacion në lidhje me kushtet dhe kushtet tona të kredisë

Për të hyrë në të drejtën tuaj, më jepni detajet e mëposhtme:

Emri i plotë:
Adresë:
Të ardhurat mujore :
Shuma e huasë:
Kohëzgjatja e huasë:
Qëllimi i huasë:
Mosha:
Profesioni:
Numri i telefonit:
Skanoni kopjen e kartës së identitetit tuaj dhe foton tuaj:
Data e lindjes :

BIZNESI KREDISË SUKSES
(Lendersuccess@gmail.com)