Thursday, June 05, 2014

Fjalimi i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, † ANASTASIT NË CEREMONINË E SHENJTËRIMIT TË KISHËS SË SHENJTË TË TIRANËS “NGJALLJA E KRISHTIT”


1 qershor 2014
“Kjo është dita që bëri Zoti, le të ngazëllohemi dhe le të dëfrehemi në të” (Ps.117:43)
          Tërëshenjtëri, Patriark Ekumenik i Konstandinopojës, zoti Vartholome; Shkëlqesia Juaj, President i Republikës;  Fortlumturitë Tuaj, Primatë dhe Hirësi përfaqësues të Kishave Orthodhokse Lokale,i nderuar zoti Kryetar i Parlamentit, i nderuar zoti Kryministër i, i nderuar zoti Kryetar i Bashkisë, përfaqësues të nderuar të Komuniteteve Fetare në Shqipëri, zotërinj ambasadorë, vëllezër dhe motra të shtrenjtë,
          1. Ndjenja falënderimi, mirënjohjeje dhe ngazëllimi përmbushin shpirtrat e orthodhoksëve të Shqipërisë, ndërkohë që kujtojmë bamirësitë e jashtëzakonshme të Perëndisë gjatë 23 viteve të fundit. Dhe në mënyrë spontane na vjen në mendje përsëri kontakti i parë personal me popullin e vuajtur orthodhoks të këtij vendi.
          Në fillimet e vitit 1991, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike mori nismën dhe më ngarkoi të vija në Shqipëri si ekzark patriarkal, për të shqyrtuar se çfarë kishte mbetur nga shkatërrimi ateist. Ishte qershori i vitit 1991 kur, me dy persona të tjerë që më shoqëronin, mbërritëm në aeroportin e Tiranës. Na priti një grup i vogël burrash të moshuar, të munduar nga persekutimi i gjatë. Prej andej u drejtuam për te kisha - rrënojë e Ungjillëzimit. Që në çastin e parë m’u desh të përcaktoja mesazhin thelbësor të misionit tim. Kërkova të marrin të gjithë nga një qiri dhe pyeta se si i thonë në gjuhën shqipe “Hristos Anesti”. Ndeza qiriun duke thirrur “Krishti u Ngjall”. Njëri pas tjetrit, ndezën qirinjtë edhe besimtarët e tjerë të paktë të ndodhur aty, të cilët u përgjigjën me lot në sy: “Vërtet u Ngjall”. Nga ai çast, “Krishti u Ngjall” u bë mesazhi me të cilin rrugëtuam deri më sot. Ky mesazh fali dritë në vjeshtën melankolike dhe në dimrin e akullt që pasuan. Ai mbizotëron në pranverën shpirtërore që më në fund na fali Perëndia. Ngjallja e Krishtit u bë simboli më shprehës i Kishës sonë.
          Me mirënjohje të thellë, Tërëshenjtëri, kujtojmë gjithmonë, si kleri dhe populli, dashurinë dhe përkujdesjen sypafjetur të Patriarkanës Ekumenike, të Kishës Mëmë, në vitet e errëta të persekutimit totalitar dhe veprimet Tuaja personale të drejtpërdrejta për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pikërisht në këto çaste të Shenjtërimit të Kishës së re Katedrale, “përsëri dhe përsëri”,  ndiejmë detyrimin të shprehim me gjithë shpirt falënderimet tona.
          Gjithashtu nga zemra Ju falënderoj edhe Ju, Fortlumturi Patriarkë të Jerusalemit z. Theofil, të Serbisë z. Irine, të Rumanisë, z. Daniel dhe Ju Fortlumturi, Kryepiskopë, të Qipros z. Hristostom, i Athinës z. Jeronim, i Varshavës z. Sava si edhe Ju Hirësi Mitropolitë, përfaqësues të Patriarkanave të Aleksandrisë, Antiokisë, Rusisë, Bullgarisë dhe Gjeorgjisë, sepse patët mirësinë të merrni pjesë në këtë ditë historike për Kishën e Shqipërisë.
          Prania juaj këtu, në të Dielën e sotme, e cila përkon me kujtimin e 318 Etërve të Sinodit të Parë Ekumenik, thekson me një emfazë të veçantë unitetin e Orthodhoksisë, të vërtetën se “në qoftë se një pjesë vuan, gjithë pjesët vuajnë bashkë me të; ose në qoftë se nderohet një pjesë, të gjitha pjesët gëzohen bashkë me të” (1Kor. 12:26-17). Pra ngjarja e sotme nuk përbën nder të madh vetëm për Kishën e Shqipërisë, por njëkohësisht është edhe një dëshmi më e gjerë e  Orthodhoksisë Mbarëbotërore,  “që shtrihet nga njëri skaj i botës në tjetrin”.
          Dita e sotme vulos një periudhë historike Pësimi, Varrosjeje dhe Ngjalljeje të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Nuk do t’u referohemi  kushteve, rrugëve pa krye, keqkuptimeve, shpifjeve, vështirësive objektive, sprovave të vështira apo arritjeve gjatë këtyre 23 viteve të gjata. Tashmë nuk mund të vihet në dyshim se, në një epokë pasigurie dhe trazirash, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me praninë  dhe nismat e saj sociale të shumanshme, forcoi besimin, dashurinë dhe shpresën e popullit orthodhoks dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Me aktivitetin e saj, kontribuoi në mënyrë thelbësore në një periudhë historike kritike, për rindërtimin e përgjithshëm dhe zhvillimin shpirtëror e social të Shqipërisë.
          2. Simbol i qartë i rindërtimit të mundimshëm nga themelet në të gjitha fushat, i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, është kjo Kishë e re Katedrale. Konceptimi i përgjithshëm i arkitekturës së saj gërshetohet me shumë simbolika të Traditës Orthodhokse. Burim frymëzimi, ka qenë arritja madhështore e arkitekturës orthodhokse, “Shën Sofia”, duke kërkuar mënyrë të re shprehjeje, të bazuar në teknologjinë bashkëkohore. Kisha mbështetet në katër shtylla të mëdha, që formojnë kryqin. Sipër tij lartësohet kubeja me 52 dritare, simbol i javëve të vitit dhe në majën e saj mbizotëron mozaiku i Pantokratorit, i të Gjithëpushtetshmit, që lidh kohën e krijuar me përjetësinë.
          Në absidën e Hierores, një tjetër mozaik i madh lidhet me triumfin mbarëbotëror të të Ngjallurit, me porosinë dhe me premtimin me të cilin mbyllet Ungjilli sipas Mattheut: “M’u dha çdo pushtet në qiell dhe mbi dhé. Shkoni pra mësoni të gjithë kombet... Dhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në fund të jetës” (Matth. 28:19-20). E gjithë skena lidhet me fillesën e re hierapostolike që nisi në Kishën Orthodhokse para rreth një gjysmë shekulli. (Pikturimi parashikohet të plotësohet me Darkën Mistike dhe skena të tjera).
          Në këtë pikë, lejomëni të bëj një parantezë. Para pak ditëve, u mbushën pesëdhjetë vjet nga dorëzimi në prift (24 maj 1964) i personit që po ju flet dhe largimit të tij, po atë ditë, për në Afrikë. Ishte përfaqësues i një grupi të ri që dëshironte ringjalljen e Hierapostullimit të jashtëm Orthodhoks dhe që, duke dëgjuar porosinë e fundit të Zotit të Ngjallur “Shkoni....”, dëshironte të shkonte në kufij të rinj, për të transmetuar mesazhin e Ngjalljes, në njerëz të etur për të vërtetën e Ungjillit, të cilëve u ishte bërë padrejtësi. Shumë vonë, nga Afrika, iu përgjigj thirrjes për një tjetër rrugëtim, për në Shqipërinë e plagosur nga persekutimi ateist.
Hyrja qendrore në pjesën perëndimore të Katedrales, të  sjell në mendje përqafimin e hapur, që në heshtje u drejton ftesën e Zotërisë së shtëpisë, të Krishtit “ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar dhe unë do t’ju preh ju” (Matth.11:28). Një ftesë që përmbledh mesazhin e misionit tonë.
          Një tablo e ndritshme e kaltër prej qelqi, të çon tek ylberi, shenja e paqes dhe e shpresës pas përmbytjes. Sipër hyrjes qendrore, lartësohet një kryq prej bakri, i rrethuar nga dy kallinj, simbol i dashurisë sakrifikuese dhe i përkushtimit, siç e përcaktoi Krishti para Pësimit të Tij: “Në mos rëntë kokrra e grurit në dhé e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë pemë” (Jn. 12:24). Ky varg është përcaktues për të gjithë rrugëtimin.
          Sa i takon kambanores, katër llambadhe paskale të çojnë te katër Ungjillorët, të cilët shpallin Ngjalljen e Krishtit. Kishëza e Lindjes së Krishtit, rikujton se të gjitha nisën nga përulësia dhe dashuria e Fjalës së bërë njeri. Katedralja rrethohet nga Qendra Sinodike dhe ajo Kulturore, duke nënvizuar bindjen tonë se kultura lidhet direkt me jetën e Kishës. Të gjitha theksojnë se në traditën orthodhokse e vërteta, dashuria dhe bukuria lidhen në mënyrë të ndërsjellë.
          Në realizimin e ngritjes së kësaj Kishe Katedrale, kontribuuan shumë njerëz të njohur dhe anonimë: Si fillim, kryeministrat e Shqipërisë, që kanë shërbyer gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Shumë donatorë dhe bashkëpunëtorë nga vende të ndryshme. Diptikët e lutjes së Kishës, përfshijnë qindra emra, të atyre që kontribuuan në ngritjen e saj. Falënderimi ynë ndaj të gjithë këtyre, mbetet i sinqertë dhe shumë i thellë.
          Shpresojmë se kjo Kishë Katedrale do të jetë -siç u lutëm në Shërbesën e Shenjtërimit- “liman për ata që ndodhen në stuhi, spital ku shërohen pasionet, strehë e të sëmurëve”, burim ngushëllimi, dashurie dhe shprese, duke kontribuuar në zhvillimin e një jete liturgjike dinamike dhe të jetës shpirtërore orthodhokse. Gjithashtu ajo do të ofrojë, frymëzim të pandërprerë për të “vazhduar liturgji pas Liturgjisë”. Që jeta jonë e përditshme të transformohet në një liturgji personale, ku me predispozitë dhoksologjike, do të ndajmë me njerëzit tanë, me vepra dhe fjalë, dhuratat që na ka falur Perëndia.
          3. Brenda kufijve të këtij gëzimi dhe bekimi të përgjithshëm, na kërkohet të tregojmë kujdes edhe për mesazhin mistik, të cilin e dërgon Perëndia për secilin nga ne personalisht me rastin e këtij shenjtërimi: Detyrimin që ne kemi për ripërtëritjen personale të qenies sonë që të jemi “tempuj të Perëndisë së gjallë”.
          Në fjalën e tij “Në të Dielën e re”, shën Grigor Theologu gërsheton thirrjen për ripërtëritje rrënjësore të të gjithave, e cila kryhet me Ngjalljen e Krishtit, me detyrimin e të krishterit për një përpjekje të pareshtur rinovuese. Mesazhi i tij kryesor kulmon me apostrofin: “Le të kremtojmë shpirtërisht këtë përurim”. “Të vjetrat shkuan, ja ku u bënë të gjitha të reja”. “Në këtë të kremte jep fryte, ndryshohu me ndryshimin e mirë”. “Ripërtërihuni, o vëllezër, dhe hidhni tej njeriun e vjetër, jetoni në risinë e jetës”. “Kështu ripërtërihet njeriu, kështu le të nderohet dita e ripërtëritjes”. “Ripërtërihu!” e nxit Kisha secilin nga ne. Përkushtoja me korrektesë jetën tënde Perëndisë së dashurisë.
          Por kryesorja, ajo që i kërkohet çdo besimtari, është dhe mbetet se si do të bëhemi tempuj të Shpirtit të Shenjtë. Jo me përgjithësime dhe abstraksione, por duke kultivuar frytin e Shpirtit të Shenjtë në jetën tonë të përditshme. Dhe se si me jetën tonë, do të jemi dëshmitarë fuqisë së Kryqit dhe gëzimit të Ngjalljes. Le të urojmë njëri - tjetrin, që drita e tërëndritshme ngjallësore, të ndriçojë qenien tonë, të fuqizojë besimin tonë te Krishti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur dhe të mbështesë përpjekjet tona për përparimin shpirtëror të vendit tonë e të mbarë botës.
          Le të lutemi që kjo Kishë Katedrale të bëhet simboli i një Orthodhoksie të hapur ndaj botës bashkëkohore- vend ku do të përjetohet dhe do të predikohet misteri i Perëndisë Triadik, ekonomia hyjnore në Krishtin me anën e Shpirtit të Shenjtë; një fidanishte e vërtetë e kultivimit shpirtëror të besimtarëve me ndërgjegjen ngjallësore që përqafon të gjithë Ekumenin, botën dhe rrezaton të vërtetën, fuqinë dhe bukurinë e Orthodhoksisë.
          “Atij që sipas fuqisë që veprohet te ne mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Krishtit Jisu në gjithë brezat në jetë të jetëve. Amin” (Efes.3:20-21).
          

No comments: