Wednesday, January 17, 2007

Dhimitër Llazari i PD perballe Vasil Bollanos te PDNJ

Ndarja e zonave zgjedhore, ka ashpërsuar marrëdhëniet në koalicionin e djathtë. Sikurse në çdo lloj zgjedhjeje, shkak është bërë bashkia e Himarës ku PBDNJ e PD nuk janë marrë vesh me njëra tjetrën.
“Nuk kemi një marrëveshje. PD nuk e toleron kandidatin e vet për atë zonë. Sigurisht, duke pasur mbështetje në Himarë, ne nuk mund të lëmë këtë zonë të lirë për PD” ishte deklarata e djeshme e deputetit të pavarur të Himarës Spiro Peçit, i cili gjithsesi nuk e dinte se ç’mund të ndodhte deri në fund të negociatave. “Megjithatë ata deri tani nuk e kanë toleruar këtë zonë” ishte deklarata e Leonard Solisit.
Të ndodhur përballë kësaj situate, PBDNJ, sikurse e ka deklaruar edhe më parë, do të bëjë aleanca lokale me të dyja partitë, edhe PS edhe PD, dhe nuk do të impenjohet me një aleancë të përgjithshme në qendër. Kjo ka qenë një strategji e kahershme e PBDNJ dhe vazhdon të ruhet.
Në Himarë PD ka vendosur të shpallë një kandidat të vetin. Biznesmeni Dhimitër Llazari, do të jetë kandidatura e PD për këtë qytet me shumicë minoritare. Ndërkaq, që PBDNJ kërkon të rikandidojë në këtë bashki, kryetarin aktual Vasil Bollano. Në zgjedhjet e vitit 2003, ai u zgjodh në krye të Bashkisë pas një marrëveshjeje PD-PBDNJ. Por në zgjedhjet e vitit 2000 për herë të parë, PS e PD, u bashkuan bashkë kundër kandidatit të Omonias dhe PBDNJ në emër të interesave kombëtare, çka shkaktoi edhe precedentë negativë në ato zgjedhje, për shkak të inicidenteve të raportuara edhe në raportet e misioneve të vëzhgimit të OSBE dhe Këshillit të Evropës.
Krerët e PBDNJ-së me kohë ishin përfshirë në bisedime me drejtuesit më të lartë të PD-së, në përpjekje për të sendërtuar një koalicion lokal për tre bashki në jug të vendit: Himarën, Sarandën dhe Dropullin. Në këto tre bashki, PBDNJ-ja pretendonte të paraqiste kandidatët e saj për kryetarë, të cilët do të mbështeteshin nga PD-ja dhe aleatët e tjerë të koalicionit qeverisës. Bisedimet kishin ditë që zhvilloheshin dhe PBDNJ-ja nuk kishte marrë ende asnjë përgjigje mohuese apo pohuese nga krerët e PD-së. Por Berisha duket kishte në mendje tjetër gjë. Pa asnjë njoftim paraprak, ose refuzim për të mbështetur kandidaturat e PBDNJ-së, kryesia e PD-së mori vendim për të mos “lëshuar pe” për dy nga kërkesat e PBDNJ-së për bashkitë e Himarës dhe të Sarandës.

1 comment:

Anonymous said...

Dhimiter Lazari os Xhim Lazeri sic e quajne midis tyre himarjotet po mat kapacitetin e tij ne keto zgjedhje qe pergjithesisht nuk eshte per tu lakmuar. PD perfundimisht vendosi qe perballe PBDNJ te mos paraqise figuren e konsumuar te Savo Priftit qe ndonse ne koalicion me PDNj ishte kritizeri me i madh i punes se kryetarit te bashkise.

Nga Petraqi